Çfarë është Hantavirusi, Panovski: Ekziston prej shekujsh, por nuk përhapet lehtë mes njerëzve

Ditë më parë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) u raportua për një grup pasagjerësh me sëmundje të rëndë respiratore në një kroçierë. Në anije ndodheshin 147 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit, ndërsa deri më datën 4 maj ishin identifikuar shtatë raste (dy raste të konfirmuara në laborator të hantavirusit dhe pesë raste të dyshuara), si dhe tre raste të vdekjes, një pacient i sëmurë kritik dhe tre persona me simptoma të lehta. Fillimet e sëmundjes kanë qenë aty nga 6 deri më 28 prill të vitit 2026 dhe janë karakterizuar me ethe, simptoma gastrointestinale, përparim të shpejtë në pneumoni, sindromë akute të frymëmarrjes dhe shok. Nga OBSH njoftuan se epidemia po menaxhohet me një përgjigjeje të koordinuar ndërkombëtare që përfshin hetime të hollësishme, izolim dhe trajtim të rasteve, evakuim mjekësor dhe analiza laboratorike, transmeton Portalb.mk.

Hantavirusi është një nga viruset më të vjetra dhe në të kaluarën pikërisht me këtë virus janë lidhur një numër i madh i epidemive. Për çfarë lloj virusi bëhet fjalë, që kur ekziston, çfarë simptomash shkakton, a jemi të rrezikuar? Për këto pyetje Meta.mk kërkoi përgjigje nga doktori Nikolla Panovski, mikrobiolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë.

“Kjo sëmundje ekziston prej shekujsh, por epidemi të dokumentuara janë ajo në Rusi në vitin 1912, si dhe ajo në vitet 1954-55 gjatë luftrave koreane, kur u sëmurën disa mijëra ushtarë. Kështu kjo sëmundje e ka marrë edhe emrin, sipas lumit Hanta që ndodhet në Korenë e Jugut. Atëkohë është vërtetuar se bëhet fjalë për një virus, ndërsa në vitin 1976 për herë të parë virusi u izolua nga një brejtës, domethënë, për herë të parë u pa nën një mikroskop elektronik. Hantavirusi bën pjesë në familjen Bunyaviridae, një grup i madh i viruseve ARN dhe është i vetmi virus nga ajo familje që nuk transmetohet nga insektet. Të gjithë anëtarët e tjerë të kësaj familjeje transmetohen nga insektet. Ky është i vetmi virus që nuk është i lidhur me një insekt dhe që mund të gjendet në të gjithë rruzullin tokësor”, shpjegon Panovski.

Shkakton dy lloje të sëmundjes

Siç shpjegon Panovski, bëhet fjalë për një virus ARN me madhësi mesatare që shkakton dy lloje të sëmundjeve. Sindromën pulmonare Hanta dhe ethet hemorragjike Hanta.

“Sëmundja e parë është e rrallë, por shumë e rëndë dhe i prek mushkëritë, pra i ngjit alveolat, ndërsa vuan edhe zemra. Sëmundja e dytë është më e rëndë dhe manifestohet me gjakderdhje nga i gjithë trupi dhe sindromë renale, pra dështojnë veshkat”, thotë Panovski.

Sëmundja fillon me një temperaturë të lartë të trupit që zgjat një javë, ndërsa si simptomë shfaqet edhe dhimbja e kokës, dhimbja në trup, më konkretisht në kurriz, ndërsa nëse zhvillohet një nga dy sindromat, atëherë pasojnë probleme me mushkëritë ose veshkat. Shkalla e vdekshmërisë është nga 1 deri në 15 përqind, që është një shkallë jashtëzakonisht e lartë e vdekshmërisë.

Nuk dihet nëse personat e sëmurë janë infektuar në anije turistike apo kanë qenë në fazën e inkubacionit

Për rastet e infektuara me këtë virus në kroçierë ende nuk dihet nëse udhëtarët janë infektuar në anije apo kur kanë hipur në anije kanë qenë në fazën e inkubacionit (e cila zgjat nga një deri në gjashtë javë).

“Brenda një viti regjistrohen rreth 150 mijë raste të kësaj sëmundjeje. Rasti me kroçierën tërhoqi vëmendje sepse ndodhi në mesin e popullatës së pasur, po të kishte ndodhur në mesin e popullatës së varfër mendoj se nuk do të bëhej kaq shumë zhurmë. Metoda e transmetimit nga një njeri në tjetrin më shumë është teorike, por në kabinat e anijes nuk përjashtohet edhe mundësia e transmetimit nga njeriu në njeri. Gjëja më e rëndësishme tani është që të zbulohet vatra. Nëse në anije ka brejtës, virusi është në pluhurin e shpërndarë në ajër, sidomos në ajrin ku ka jashtëqitje të thara të brejtësve. Gjëja kryesore është të shihet nëse në kroçierë ka brejtës, siç ka edhe në çdo anije, ose nëse këta persona janë infektuar nga jashtë, gjë që është më pak e mundur. Sidoqoftë, kur të dalin në breg ata nuk do të jenë të rrezikshëm për mjedisin”, thotë Panovski.

Nuk ka rrezik për epidemi

Sipas profesorit Panovski, nuk ekziston rreziku që virusi të përhapet.

“Jemi afër një zone endemike ku ai virus ka qenë i pranishëm. Në vitet ’80 të shekullit të kaluar epidemi të këtij virusi kishte në Kosovë dhe Mal të Zi. Atje ku ka problem duhet të ndërmerren masa sepse nëse brejtësit nuk kapen në kohë, atëherë njerëzit do të jenë më të ekspozuar ndaj virusit. Nëse vjen deri te shfaqja e sëmundjes, ose nëse ka ndonjë vatër, atëherë duhet të bëhet deratizim dhe dezinfektim, ka mënyra se si mund të kontrollohet. Vaksinë ka në Kore, por nuk shoh asnjë arsye që njerëzit të vaksinohen”, thotë Panovski.

Sipas informacioneve nga Instituti i Shëndetit Publik i Malit të Zi në kroçierë ka qytetarë të Malit të Zi, si dhe qytetarë nga 87 vende të tjera, përfshirë këtu Britaninë e Madhe, Spanjën, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Belgjikën, Poloninë, Irlandën, Turqinë, Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Zelandën e Re, Australinë, Argjentinën, Japoninë, Filipinet, Rusinë, Ukrainën, Indinë, Portugalinë, Guatemalën dhe Holandën. Por, nuk kanë informacion nëse në mesin e të sëmurëve ose personave me simptoma të lehta ka qytetarë të Malit të Zi.

Në verën e vitit 2017 nga virusi Hanta në Maqedoni vdiqën një baba dhe biri i tij nga fshati Simnicë i Gostivarit. Ministri i atëhershëm i shëndetësisë, Arben Taravari, e qetësoi publikun duke thënë se virusi nuk transmetohet nga një njeri tek një tjetër dhe se bartësi më i shpeshtë është miu i fushës.

HantavirusiInstituti i Shëndetit Publik (ISHP)Mjekësi Mjek(e) Doktor