Çarshia e Vjetër mes turistëve dhe problemeve: Plot premtime, (as) pak ndryshime (Video)

Çarshia e Vjetër e Shkupit pavarësisht se është një prej pkave turistike kryesore të vendit, realiteti që i pret vizitorët është larg imazhit që promovohet. Pa parkingje të mjaftueshme, pa tualete publike, me kalldrëme të dëmtuara dhe probleme me higjienën, Çarshia vazhdon të vuajë nga mungesa e investimeve dhe mirëmbajtjes. Pavarësisht premtimeve të përsëritura ndër vite, shumë prej tyre kanë mbetur vetëm në letër, shkruan Portalb.mk.

Përveç se atraksion turistik, Çarshia mbetet edhe një nga qendrat kryesore të veprimtarisë zejtare dhe tregtare në Shkup. Por, për ata që punojnë aty, problemet me kushtet elementare vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë.

“Mungojnë parkingjet për dyqanxhinjtë, e lëre më për klientët që vijnë. Një tjetër mungesë janë edhe tualetet publike. Turistët kur vijnë këtu nuk kanë ku të shkojnë dhe hyjnë nepër vende të ndryshme për t’i kryer nevojat e tyre. Tjetër problem janë edhe kalldrëmat dhe higjiena është në nivel shumë të ulët”, thotë Vedat Kadriu, pronar i kafeterisë “Te Vedati”.

Për këto probleme, kryetari i Esnafit, Bujar Dullovi, thotë se vazhdimisht u janë drejtuar institucioneve me kërkesa, por përgjigjet, sipas tij, kanë mbetur kryesisht vetëm premtime rë parealizuara.

“Kemi një grumbull letrash dhe kërkesash që i bëjmë për çdo detaj. Kur flet me një të shurdhër apo memec është shumë rëndë të bisedosh. Nuk ke ku të ankohesh, nuk ke prej ku të kërkosh. Kur dikush nuk të trajton sikur të jesh fëmija i tij, është shumë problem”, tha Dullovi.

Ai thotë se pas krkesave të vazhdueshme ndër vite, së fundmi ka nisur të bëhet një ndërhyrje në kalldrëmet e Çarshisë.

“Pas disa viteve, prej paraardhësve, por edhe tre vite që kemi bërë me kryesinë tonë, kemi arritur që të fillojë një ndryshim i kalldrëmit. Bëhet fjalë për rrugën e njohur në të cilën janë kovaçët”, shton Dullovi.

Nga ana tjetër, kryetari i zejtarëve pranë Odës së Zejtarëve – Shkup, Nexhmedin Bushi, thotë se situata infrastrukturore në Çarshi është përmirësuar krahasuar me dekadat e kaluara.

Sipas tij, një prej problemeve kryesore qe po përballet Çarshia e Vjetër sot është fuqia e ulët blerëse e qytetarëve.

“Çarshia e Vjetër problemin kryesor e ka mungesën e të hollave të konsumatorëve. Ne duam që pagat të jenë më të larta, që konsumatorët të mund të shpenzojnë më tepër”, deklaron Bushi.

Premtime për Çarshinë ka pasur ndër vite, por shumë prej tyre kanë mbetur pa u realizuar.

programin zgjedhor për mandatin 2025–2029, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka përfshirë disa prej problemeve që sot i përmendin edhe zejtarët.

Në program parashihet përmiresimi i ndriçimit rrugor në Çarshi, vendosja e tabelave të mençura informative, rindërtimi i fasadave të dyqaneve dhe restaurimi i kalldrëmit, si dhe ndërtimi dhe mirëmbajtja e tualeteve publike. Në program është përfshirë edhe ndërtimi i parkingut nëntokësor te Sheshi “Skënderbeu”.

Por, përveç ndërhyrjeve në kalldrëm që sipas Esnafit kanë nisur së fundmi, në Çarshi ende nuk është parë ndonjë ndryshim konkret në këto pika.

Portalb.mk kërkoi përgjigje nga Komuna e Çairit se kur pritet të realizohen masat e parashikuara në program dhe në çfarë faze është zbatimi i tyre, por deri në publikimin e këtij materiali nuk morëm përgjigje.

 

Për problemet në Çarshi nuk ka vetëm një institucion përgjegjës. Një pjesë e tyre janë në kompetencë të Komunës së Çairit dhe Komunës së Qendrës, varësisht nga pjesa e Çarshisë, ndërsa për çështje që lidhen me infrastrukturën dhe shërbimet në nivel të qytetit kompetenca ka edhe Qyteti i Shkupit. Për objektet dhe pjeset me status të mbrojtur si trashëgimi kulturore, përgjegjësi kanë institucionet shtetërore në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, përfshirë Qendrën Kombëtare të Konservimit – Shkup.

Portalb.mk iu drejtua me pyetje edhe Qytetit të Shkupit dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për kompetencat e tyre dhe masat që janë ndërmarrë për problemet në Çarshi, por as nga këto institucione nuk morëm përgjigje.

Çarshia e Vjetër e Shkupit si lokacion biznesi daton që nga shekulli XII. Me ardhjen e Perandorisë Osmane në Ballkan, u shndërrua në qendër kryesore të tregtisë së qytetit. Në të ndodheshin xhami, karvansaraje dhe hane.

Gjatë periudhave të ndryshme historike e njëjta u godit nga fatkeqësi natyrore dhe dy luftërat botërore, por me iniciativë të sipërmarrësve që kanë bizneset aty pranë, u rindërtua duke ruajtur autenticitetin, deri në ditët e sotme.

Më 13 tetor të vitit 2008 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u miratua ligj i posaçëm për Çarshinë e Vjetër të Shkupit, si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë.

Çarshia e ShkupitIzet MexhitiKomuna e ÇairitMinistria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)Portalb Fakt - Premtime parazgjedhoreQyteti i ShkupitVideo Lajme