Studentët nuk u dëgjuan, ministrat dhe rektorët uzurpuan zërin e të rinjve për qëllimet e tyre

Shkrimtarja Rumena Buzharovska sqaron se çfarë ndodhi në tubimin e sotëm në hapësirën para UKM-së, në të cilën studentët duhej të mbanin një orë të përbashkët të organizuar për t’i nderuar viktimat që e humbën jetën në tragjedinë në diskotekën në Koçan.

Tekstin të cilin Buzharovska e ka postuar në Facebook po e përcjellim të plotë.

“Mora pjesë në tubimin e sotëm të organizuar nga studentët para UKM-së. Ishte përplot me studentë. Lumenj me njerëz të rinj, dukshëm të traumatizuar po rridhnin drejt universitetit. Nuk kishe vend se ku të qëndroje. Në atë atmosferë të pikëllueshme në të cilën kishte një ndjenjë uniteti mbajtëm një heshtje shtatë minutëshe.

Pastaj doli për të folur rektorja. Një gjë e tillë do kishte qenë deri diku e kuptueshme në një tubim universitar, por nuk e kuptoj se pse nuk folën të parët studentët. Për fat të keq, në fjalimin e saj rektorja nuk kishte fjalë për përgjegjësinë dhe për sistemin që i vrau fëmijët dhe vrau një qytet të tërë, por kishte plot floskula sentimentale, gjatë të cilave një i ri nga turma u ndje keq. Pas pushimit plot shqetësim në të cilin kërkohej një mjek rektorja vazhdoi me fjalimin e saj bosh. Pas kësaj prisnim që të dalin e të flasin të rinjtë, por jo, doli ministrja e arsimit dhe u ndal para Fakultetit të Filozofisë, lëndët e të cilit, etikë dhe logjikë, i hoqi pak kohë më parë nga arsimi i mesëm.

Dhe e dini se çfarë bëri ministrja? Pas një sërë floskulash të reja boshe, si në një shfaqje shkollore na recitoi një poezi të Aco Shopovit, atë ku thuhet se nëse mbajmë diçka të pathënë që na vret dhe na djeg, e groposim në heshtje të thellë dhe heshtja vetë do ta thotë. Me sa duket deshte ta lidhte me shtatë minutat e heshtjes, por në fakt, me recitimin e papërgjegjshëm të poezisë u tha studentëve se duhet të heshtin, se dhimbjen dhe mllefin duhet ta groposin në heshtje. Ndërkohë edhe disa persona të tjerë u ndjenë keq dhe mjekëve sërish iu desh të çanin rrugën nëpër turmën.

Studentët e mbledhur në turmë filluan të thërrisnin “U-A” dhe t’i fishkëllenin ministres. Në çast u shfaq policia intrervente dhe u rreshtua pranë saj.  Ministrja pushoi së foluri, ndërsa një student, ndoshta nga Parlamenti Universitar (nuk e pashë se kush) doli dhe na tha që nuk kemi ardhur për të bërë trazira, por për tu bashkuar për t’i nderuar viktimat.

Ky ishte zëri i vetëm i një studenti apo një të riu që e dëgjuam në këtë ngjarje pas kësaj tragjedie.

Në vend që të kërkojnë falje për atë që ndodhi, për padrejtësinë sistemike që për dekada të tëra po na vret e që të dielën në mëngjes kulmoi në Koçan, ata që e kanë pushtetin në shoqëri – ministrat, pa edhe rektorët – e uzurpuan zërin e të rinjve për qëllimet e tyre.

“Besoj se të gjithë jemi ende të tronditur dhe nuk dimë si të përballemi me abuzime të këtilla. Por zëri i studentëve, zëri i të rinjve dhe zëri i të gjithë neve që për dekata të tëra jemi viktima të pushtetit të korruptuar që vetëm e hedh tek tjetri fajin, por edhe fuqinë, duhet të dëgjohet dhe besoj se do të dëgjohet”, ka shkruar Buzharovska.

LEXO:

Mijëra studentë u mblodhën në UKM për të nderuar viktimat e Koçanit, kërkuan anulimin e orëve, fjalimi i ministres u fishkëllua

 

Universiteti "Shën Kirili dhe Metodi"Zjarri në diskotekën në Koçan