Mexhiti i replikoi Mickoskit për akuzat në Bërvenicë: Pozicionimi kundër të gjithëve sjell zhgënjim

Njëri ndër krerët e VLEN-it, Izet Mexhiti, i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski pas humbjes së VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale në Bërvenicë, duke i cilësuar deklaratat polarizuese si “folklor paszgjedhor”. Ai tha se votat janë shprehje e lirë e vullnetit të qytetarëve dhe se asnjë parti apo individ nuk i ka ato në pronësi, transmeton Portalb.mk.

Në një reagim në rrjetet sociale, Mexhiti tha se deklaratat nxitëse gjatë fushatës i konsideron si “folklor parazgjedhor”, ndërsa të njëjtën qasje do ta mbajë edhe ndaj deklaratave të dëgjuara pas zgjedhjeve.

“Deklaratat nxitëse gjatë fushatës i kam konsideruar si folklor parazgjedhor. Në po atë frymë, deklaratat polarizuese që dëgjova mbrëmë dhe sot i trajtoj folklor paszgjedhor. Votat janë shprehje e lirë e vullnetit të qytetarëve dhe askush nuk i ka në pronësi ato. Në politikë, pozicionimi kundër të gjithëve nuk është strategji që çon drejt suksesit, por një qasje që herët a vonë prodhon zhgënjim”, shkroi Mexhiti.

Duke iu referuar karakterit multietnik të shoqërisë, ai theksoi se nuk duhet të ketë ndarje në “ne” dhe “ata”, pasi kjo, sipas tij, nënkupton pabarazi dhe tendenca për të shtypur tjetrin. Ai vlerësoi se dialogu dhe bashkëpunimi janë parakushte për funksionimin e shoqërisë dhe detyrim i të gjithë aktorëve politikë.

“Nuk kemi pse të merremi me folklorin e zakonshëm postzgjedhor, me arsyetimet dhe interpretimet që u serviren qytetarëve sa herë që rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë e dikujt. Qytetarët vendosin me votë, ndërsa politika duhet të dijë të marrë përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e veta”, përfundoi Mexhiti.

Reagimi i tij vjen pasi Mickoski, pas humbjes së kandidatit të VMRO-DPMNE-së në Bërvenicë, deklaroi se partia e tij kishte garuar “e vetme kundër të gjithëve”, duke akuzuar kundërshtarët për përdorimin e kartës nacionaliste dhe për bashkimin e votave kundër kandidatit të VMRO-DPMNE-së.

Hristijan Mickoski HristianIzet MexhitiKomuna e BervenicësZgjedhje lokale RMV 2025