Të rinjtë po zotërojnë teknologjinë, por çalojnë në mendimin kritik dhe dallimin e së vërtetës nga lajmet e rreme

Reformat në arsim, mungesa e mendimit kritik te të rinjtë dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i inteligjencës artificiale ishin në fokus të diskutimit për edukimin mediatik, ku ekspertë të arsimit, medias dhe shoqërisë civile kërkuan më shumë bashkëpunim institucional dhe përshtatje të programeve arsimore me zhvillimet teknologjike. Këto çështje u diskutuan në panelin me titull “Nga dialogu në veprim: Lidhja e arsimit, politikave dhe praktikës për rritjen e nivelit të edukimit mediatik”, në kuadër të Ditëve të Arsimimit Mediatik 2026, së bashku me Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, marrin pjesë edhe Instituti për Studime të Komunikimit, Instituti Maqedonas për Media, Këshilli për Etikë në Media i Maqedonisë, Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë, Lice vo Lice, Fondacioni Metamorfozis në bashkëpunim me organizatën e tyre partnere Media Inovative, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra për Resurse e Prindërve të Fëmijëve me Nevoja të Veçanta, shkruan Portalb.mk. 

Pjesëmarrësit theksuan se krahas zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale, sistemi arsimor duhet të ndryshojë mënyrën se si i përgatit gjeneratat e reja, ndërsa institucionet duhet të krijojnë politika dhe mekanizma për përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë. Profesoresha universitare Jasna Baçovska, vlerësoi se edukimi mediatik duhet të ketë vend më të rëndësishëm edhe në universitetet, veçanërisht në programet e gazetarisë. Sipas saj, sfida e re për arsimimin sidmos atë universitar dhe median është inteligjenca artificiale, përdorimi i së cilës po zgjerohet me shpejtësi edhe në prodhimin e përmbajtjeve mediatike. 

Ajo theksoi se nevojitet përgatitja e programeve të reja studimore që do t’i përgjigjen zhvillimeve teknologjike, por edhe bashkëpunimi më i madh me gazetarët që vijnë nga praktika, në mënyrë që studentët të përgatiten për sfidat reale të profesionit. 

“Duhet të kemi edhe lëndë për edukimin mediatik në universitete. Tani sfidë e madhe është edhe inteligjenca artificiale. Kemi shumë punë për të bërë dhe duhet t’i zgjidhim problematikat në sferën publike dhe në arsimin e lartë, i cili duhet të përshtatet me tregun e punës”, tha Baçkovska. 

Ajo nënvizoi se përdorimi i inteligjencës artificiale në gazetari duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe respektim të kodit etik. Sipas saj, është e rëndësishme që universitetet të ndjekin praktikat e vendeve evropiane, mënyrën se si hartojnë dhe akreditojnë programet studimore, si dhe pritshmëritë që kanë ndaj studentëve. 

Baçkovska ngriti shqetësimin edhe për mungesën e trajnimeve në shkolla, ku nxënësit nuk mësojnë se si ta përdorin inteligjencën artificiale në mënyrë të dobishme dhe kritike. Ajo kërkoi gjithashtu bashkëpunim më të madh me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si dhe përfshirjen e sektorit civil në përmirësimin e programeve arsimore. 

Nga ana tjetër, Biljana Bejkova nga Organizata Infoqendra NVO, e vendosi problemin e edukimit mediatik në një kontekst më të gjerë, duke theksuar se vështirësitë në këtë fushë lidhen edhe me mangësitë themelore të sistemit arsimor. 

Ajo u shpreh e shqetësuar për rezultatet e nxënësve në matematikë, lexim dhe të kuptuarit e tekstit, duke vlerësuar se edukimi mediatik nuk mund të zhvillohet në mënyrë të shkëputur nga njohuritë bazë dhe formimi qytetar. 

“Fëmijët sot dinë ta përdorin telefonin dhe kompjuterin, por nuk dinë ku jetojnë, cilat janë të drejtat e njeriut, barazia gjinore, fuqia e pushtetit dhe demokracia. Ne kemi një sistem arsimor që duhet të reformohet. Nuk mund të formojmë njerëz që kanë mendim kritik dhe integritet nëse nuk i mësojmë të mos e pranojnë automatikisht autoritetin, por të pyesin dhe të analizojnë”, tha Bejkova. 

Sipas saj, ekziston rreziku që shoqëria të përqendrohet në edukimin digjital dhe mediatik, pa i trajtuar paraprakisht njohuritë themelore ekonomike, politike dhe qytetare. Ajo kërkoi përparim të kornizës ligjore, hartimin e një strategjie kombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave që punojnë në këtë fushë. 

Ndërkaq, Filip Stojanovski nga Fondacioni Metamorphosis, theksoi se krahas reformave në arsim, nevojitet edhe përafrimi i legjislacionit vendor me kornizat rregullatore të Bashkimit Evropian për shërbimet dhe tregjet digjitale, si dhe për funksionimin e inteligjencës artificiale. 

Ai vlerësoi se vendi duhet të zhvillojë debat publik më të gjerë për ndikimin që kanë algoritmet dhe inteligjenca artificiale në jetën e përditshme, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë. 

“Na mungon një debat publik për të kuptuar deri në çfarë niveli ka arritur inteligjenca artificiale dhe sa ka hyrë në jetën e përditshme të fëmijëve dhe të gjithë të tjerëve. Kush janë ata që marrin vendime dhe si e perceptojnë jetën dhe ndikimin e këtyre mjeteve teknologjike?”, tha Stojanovski. 

Ai ngriti shqetësimin edhe për demotivimin e të rinjve për të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse, duke theksuar se shumë prej tyre arrijnë moshën madhore pa njohuri të mjaftueshme për mënyrën se si funksionon shteti dhe institucionet. 

Një tjetër problem që ai veçoi është përdorimi i inteligjencës artificiale në procesin mësimor. Sipas tij, nxënësit gjithnjë e më shumë i përgatisin detyrat e shtëpisë përmes këtyre mjeteve, ndërsa më pas vetëm i riprodhojnë përmbajtjet pa i analizuar ato. 

Stojanovski në fund e lidhi diskutimin edhe me nevojën për rregullim të platformave digjitale, parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe mbrojtjen e përdoruesve. Ai përmendi edhe kufizimet që disa platforma të inteligjencës artificiale vendosin gjatë gjenerimit të përmbajtjeve satirike për persona publikë, duke ngritur dilema për raportin ndërmjet rregullimit teknologjik dhe lirisë së shprehjes. 

Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (ASHMAA)Edukim Arsimim MediatikFondacioni Metamorfozis (Metamorphosis)Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Të rinj - Rini - Rinia