Bujqit të revoltuar: Mungesa e vaksinave kundër lisë rrezikon dhentë në Malin Sharr

Mungesa e vaksinava kundër lisë së dhenve, rrezikon të zhdukë nga Mali Sharr edhe pak ato kope që kanë mbetur. Kështu thonë bujqit të cilët të mllefosur kërkojnë zgjidhje nga ana e institucioneve. Madje Asociacionet e bujqive të Sharrit dhe të Kumanovës, shprehën revoltën e tyre ndaj Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari për mosfurnizimin me vaksina kundër lisë së dhenve, raporton TV21.

“Ne gjithnjë e më shumë kemi kërkuar të bëhet vaksinimi, por nga ana e drejtorisë së AUV-së na dhanë që do ketë brenda dhjetë ditësh por kjo nuk u bë. Kjo rrezikon përhapjen e sëmundjes në mënyrë shumë të shpejtë dhe asgjësimin e gjithë dhenve në vendin tonë. Për fat të mirë vetëm regjioni i Sharrit ka mbetur pa prekur nga sëmundja. Disa blegtor nga Maqedopnia Lindore bënë vetë vaksinimin por reagoi AUV që do merr masa, sepse arsyetimi është se nëse vaksinohen mund të ketë ndalesë nga BE për eksportin e mishit, por ne kërkuam që edhe nëse bëhet ndalesë nuk është problem, sepse nëse na humbin dhentë atëherë çka do eksportojmë”, tha Naser Xhemaili.

Nëse nuk ndodh vaksinimi, humbjet do jenë shumë të mëdha thotë drejtuesja e Asociacionit të Bletorëve nga Kumanova.

“Humbjet edhe në këtë moment janë shumë të mëdha , jo vetëm për blegtorët por për gjithë ekonominë e vendit, andaj apeloj të bëhet analiza afat gjate, çndodh nëse kemi eksport më të madh të deleve dhe çndodh tani në moment. Numrat momental duhet t’i analizojnë dhe t’i dyfishojmë sa do sjell kjo për ekonominë, futja e devizave apo BPV-në, dhe të shohim çmund të përmirësojmë se e keqja gjithnjë shkon në rritje e sipër”, tha Milena Veliçkoviq.

Në mungesë të vaksinave nga ministria dhe AUV-ja, blegtorët sot në takim me drejtuesit e Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, kërkuan ndihmë në parandalimin e qarkullimit rreth vijës kufitare me Kosovën ku sëmundja është e përhapur, me qëllim mbrojtjen nga kjo sëmundje.

“Bashkë me policinë kufitare do angazhohemi me masa të përforcuara për lëvizjen e kafshëve, njerëzve por edhe mjeteve motorike sepse që të gjitha këto janë mundësi për bartjen e sëmundjes”, tha Milorad Andrijeski.

Ndryshe, nga lija e dhenve, në Maqedoninë Lindore ngordhën mbi dhjetë mijë dele si pasojë e mos marrjes së masave për vaksinim.

Bujqësi - Bujk - FermerëMinistria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU)Parku Kombëtar "Mali Sharr"