Trotuaret e Çairit të bllokuara nga veturat, pingpong institucional dhe premtime të pambajtura për garazhin shumëkatësh

Mungesa e parkingjeve vazhdon të jetë një nga problemet kryesore në Komunën e Çairit. Për shkak të numrit të pamjaftueshëm të vendparkimeve, banorët detyrohen t’i parkojnë veturat edhe në trotuare, duke ua vështirësuar lëvizjen këmbësorëve. Në qendrën tregtare “Çairçanja”, ku problemi është veçanërisht i theksuar përderisa ndërtimi i një garazhi shumëkatësh është premtuar disa herë ndër vite dhe nuk është realizuar. Nga Komuna thonë se projekti pritet t’i kalojë procedurat përkatëse në Qeveri deri në fund të dhjetorit, ndërsa punimet planifikohen të fillojnë në tremujorin e parë të vitit 2027. Ndërkohë, një iniciativë për ndërtimin e një parkingu në këtë zonë, e dorëzuar në Qytetin e Shkupit, është refuzuar, shkruan Portalb.mk.

“Është shumë problem. Nuk ka parking, e shihni edhe vetë. Duhet t’i lëmë nëpër trotuare, ku t’i lëmë tjetërkund, s’ka”, tha një banor me të cilin bisedoi Portalb.mk.

Ai nuk beson se garazhi do të ndërtohet, ndonëse vlerëson se një projekt i tillë do të ishte i mirëpritur.

“Jo. Nuk besoj që bëhet. Moti kohë flitet që do të ndërtohet parking me kate këtu, ama nuk besoj që e bëjnë. Mirë do të ishte të bëhej, por vështirë”, tha ai.

Gjatë vizitës në terren, Portalb.mk vërejti vetura të parkuara në trotuare, duke ua vështirësuar lëvizjen këmbësorëve. Parkimi i parregullt shkakton edhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve, pasi në disa pjesë veturat e parkuara zënë njërën nga korsitë, duke krijuar tollovi në komunikacion.

Nga Komuna e Çairit thanë për Portalb.mk se projekti për garazhin shumëkatësh te“Çairçanja” pritet t’i kalojë procedurat përkatëse në Qeveri deri në fund të dhjetorit. Sipas Komunës, ndërtimi planifikohet të fillojë në tremujorin e parë të vitit 2027, ndërsa garazhi parashihet të ketë rreth 100 vendparkime.

“Sa i përket garazhit shumëkatësh te kompleksi “Çairçanja”, parashihet krijimi i rreth 100 vendparkimeve. Ky projekt, së bashku me projektin për parkingun te shkolla “Penko”, pritet të kalojë në procedurat përkatëse pranë Qeverisë deri në fund të muajit dhjetor, ndërsa fillimi i punimeve planifikohet gjatë tremujorit të parë të vitit 2027”, thanë nga Komuna.

Qyteti i Shkupit e ka refuzuar iniciativën

Nga ana tjetër, iniciativë për ndërtimin e një parkingu shumëkatësh në “Çairçanja” kishin dorëzuar edhe këshilltarët e Aleancës për Integrim (AKI) në Qytetin e Shkupit. Megjithatë, Qyteti i Shkupit e refuzoi iniciativën me arsyetimin se ndërtimi i parkingut është në kompetencë të Komunës së Çairit.

Këshilltari i AKI-së në Qytetin e Shkupit, Abdulselam Selami, tha se lokacioni i propozuar ndodhet pranë bulevardit “Cvetan Dimov”, i cili është në kompetencë të Qytetit të Shkupit. Sipas tij, Qyteti është dashur të ndërhyjë për ndërtimin e parkingut.

“Ne e propozuam me iniciativën tonë në Qytetin e Shkupit. Mirëpo, për fat të keq, ajo iniciativë nuk kaloi, me pretekstin se i njëjti parking është nën kompetencat e Komunës së Çairit dhe se Qyteti i Shkupit nuk i ka ingerencat të ndërtojë këtë parking, edhe pse unë nuk mendoj ashtu, shkaku se vendi gjendet përskaj bulevardit ‘Cvetan Dimov’”, tha Selami për Portalb.mk.

Edhe pse Qyteti i Shkupit tani deklarohet si jo kompetent për këtë zonë, kujtojmë se në vitin 2022, ish kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, kishte paralajmëruar ndërtimin e garazheve të reja të montuara në disa lokacione të qytetit, përfshirë edhe hapësirën pranë kompleksit “Çairçanja”.

Ndërtimi i garazheve shumëkatëshe në Çair është premtuar disa herë ndër vite. Ish kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, e kishte përfshirë projektin në programin e tij zgjedhor të vitit 2017. Në vitin 2021, Ganiu dhe ish kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, nënshkruan memorandum me kompaninë “Mabetex Project Engineering” të Behgjet Pacollit për ndërtimin e 12 garazheve në kate dhe nëntokësore në disa lokacione të Çairit, përfshirë edhe “Çairçanën”. Projekti parashihej të realizohej përmes një investimi prej 50 milionë eurosh.

Ndërtimi i garazhit shumëkatësh në “Çairçanja”, pjesë e premtimeve të Izet Mexhitit për Çairin. Printscreen nga programi i tij zgjedhor.

Më pas, edhe kryetari aktual, Izet Mexhiti, e përfshiu ndërtimin e garazhit te “Çairçanja” në programin e tij për mandatin 2025–2029. Megjithatë, pavarësisht premtimeve të njëpasnjëshme, garazhi në “Çairçanja” ende nuk është ndërtuar.

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) Fronti EvropianÇairiIzet MexhitiKomuna e ÇairitPortalb Fakt - Premtime parazgjedhoreQyteti i Shkupit