Tre të mitur janë lënduar, njëri prej tyre më rëndë, pasi një veturë “BMW”, e drejtuar nga 42-vjeçari D.S. nga Tetova, i goditi ata. Aksidenti ndodhi në bulevardin “Vidoe Smilevski Bato” në Tetovë, rreth orës 22:20, kur shoferi goditi tre 16-vjeçarët dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes, transmeton Portalb.mk.
Policia e gjeti dhe e arrestoi pas një kohe të shkurtër, ndërsa testi i alkoolit tregoi 2,22 promilë alkool në gjak. Gjatë kontrollit të veturës u gjetën edhe tri paketime me marihuanë.
Në aksident, njëri nga të miturit pësoi lëndime të rënda trupore, ndërsa dy të tjerët u lënduan lehtë.
Gjatë së njëjtës natë ndodhi edhe një aksident tjetër trafiku në fshatin Pirok të Tetovës, ku tre bashkudhëtarë pësuan lëndime të rënda trupore, ndërsa dy persona të tjerë, përfshirë shoferin, u lënduan.
Aksidenti u raportua më 24 tetor, në orën 04:10. Nëntëmbëdhjetëvjeçari D.M. nga Piroku, duke drejtuar një veturë “Volkswagen Polo”, u përplas me një shtyllë betoni të një shtëpie dhe me vitrinën e një objekti në pronësi të 45-vjeçarit F.SH. nga fshati.
Gjatë kontrolleve policore u konstatua se 19-vjeçari nuk kishte leje drejtimi, ndërsa testi i alkoolit tregoi 1,29 promilë alkool në gjak. Ai u arrestua.
Inspektimin në të dy vendet e aksidenteve e kryen ekipet e SPB-së Tetovë. Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të dy shoferëve do të parashtrohen kallëzimet përkatëse.