Blinken – Osmani: Si partnerë strategjikë dhe aleatë të NATO-s, mbetemi të bashkuar në mbështetjen tonë për Ukrainën

Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot realizoi takim me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Entoni Blinken, i cili është në vizitën e tij të parë në Maqedoninë e Veriut.

Në fokus të bisedimeve ishin ngjarjet aktuale ndërkombëtare, me fokus të veçantë në situatën në Ukrainë, ku bashkëbiseduesit dënuan fuqishëm agresionin ushtarak rus dhe shprehën mbështetje të fuqishme për popullin ukrainas.

“Si partnerë strategjikë dhe aleatë të NATO-s, qëndrojmë të bashkuar në mbështetjen për Ukrainën dhe mbrojtjen e vlerave dhe parimeve demokratike. Dënojmë fuqishëm agresionin ushtarak rus, i cili paraqet sulm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në botë”, tha Osmani.

Bashkëbiseduesit iu referuan edhe kryesimit tonë me OSBE-në, me ç’rast u theksuan angazhimet e Maqedonisë së Veriut për tejkalimin e sfidave me të cilat ballafaqohet organizata, si dhe mbështetja e përgjithshme e SHBA-së në këtë proces. Ata së bashku përshëndetën vendimin që i hap rrugën Maltës për të qenë kryesuesja e ardhshme e OSBE-së në vitin 2024, duke kapërcyer kështu krizën me të cilën përballej organizata dhe paraqet sukses të rëndësishëm për kryesimin tonë dhe të ardhmen e OSBE-së.

Takimi i Ministrit Osmani me Sekretarin e Shtetit, Blinken është me rëndësi historike sepse bëhet fjalë për vizitën e parë të një Sekretari të Shtetit të SHBA-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vizita është edhe një konfirmim për marrëdhënien e re ndërmjet dy diplomacive që filloi vitin e kaluar kur Osmani dhe Blinken së bashku lançuan Dialogun Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, në Uashington.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqir i ngjarjes më të madhe politike-diplomatike që ka organizuar ndonjëherë që nga pavarësia e saj. Prej 30 nëntor deri më 1 dhjetor do të mbahet takimi i 30-të ministror i OSBE-së, gjegjësisht do të qëndrojnë për vizitë ministrat e Punëve të Jashtme të Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSBE).

Në këtë ngjarje pritet që të marrin rreth 1.000 delegatë me 76 delegacione nga 57 anëtare dhe shtete partnere të organizatës.

Është njoftuar se do të vijnë dhe krerët e diplomacive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Federatës Ruse, Antony Blinken dhe Sergej Llavrov, edhe pse nuk ka paralajmërim për takim bilateral mes tyre, por mu kjo e bën ngjarjen ndër të rrallat ku të dy gjenden në të njëjtin vend prej fillimit të invazionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Këshilli Ministror i OSBE-së është ngjarja më e madhe në historinë e Maqedonisë së Veriut si për nga dimensioni ashtu edhe për nga rëndësia për vendin.

Antoni Blinken (Antony Blinken)Bujar OsmaniOSBE RMVShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)
Comments (1)
Add Comment