Samiti Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, i cili po mbahet në Tivat të Malit të Zi, filloi me fjalimet hapëse të organizatorëve. Të ftuarve iu drejtuan Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq. Kosta, i cili vizitoi të gjitha vendet e rajonit në fillim të kësaj jave, u tha vendeve kandidate të “përveshin mëngët” dhe të përshpejtojnë reformat e tyre, transmeton Portalb.mk.
“Mesazhi im për Ballkanin Perëndimor është i qartë: BE është e përkushtuar ndaj zgjerimit. Tani është koha për të kapur momentin dhe për të zbatuar reformat”, tha Kosta.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi se BE është në procesin e ndërtimit të një autonomie më të madhe strategjike dhe se po bëhet më e sigurt, më elastike dhe më e fortë, por se nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor.
“Do të diskutojmë se si ta përshpejtojmë procesin e zgjerimit, ta bëjmë atë më të dukshëm dhe strategjikisht të rëndësishëm. Dua t’u dërgoj një mesazh të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe veçanërisht pritësit tonë, Malit të Zi, se ka vrull. Le ta shndërrojmë atë vrull në lëvizje dhe lëvizjen në anëtarësim”, tha kreu i Komisionit Evropian.
Fokusi kryesor i samitit që po mbahet sot është zgjerimi i Unionit.
Radev me një mesazh për autoritetet e Maqedonisë para fillimit të Samitit
Para fillimit të sesionit të Samitit, kryeministri bullgar Rumen Radev i tha Deutsche Welle se e vetmja gjë që autoritetet e Maqedonisë duhet të bëjnë për të filluar negociatat me Bashkimin Evropian është të përfshijnë bullgarët në Kushtetutë.
“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë çdo vend që aplikon për anëtarësim, veçanërisht vëllezërit tanë nga Maqedonia e Veriut. Po presim që ata më në fund të përmbushin kornizën negociuese. Kemi një konsensus nga korriku 2024 dhe po presim që ata më në fund të ndryshojnë Kushtetutën dhe të përfshijnë bullgarët në të. Është shumë e thjeshtë. Ata vetëm duhet të ndërmarrin këtë hap për të hapur derën e procesit të negociatave”, tha Radev për DW.
Ndërkohë, nga Shkupi, ambasadori i BE-së Michalis Rokas tha se Bashkimi Evropian ka një vendosmëri të fortë që vendi të fillojë procesin e negociatave të anëtarësimit, por theksoi se angazhimet e marra për ndryshimet kushtetuese nga viti 2022 mbeten kusht i domosdoshëm për përparim.
Kreu i delegacionit të BE-së në vend iu referua mesazheve të fundit të Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, duke shprehur shpresë për konstruktivitet në marrëdhëniet dypalëshe me fqinjët në periudhën e ardhshme.
“Ne të gjithë e dimë se angazhimet e marra në vitin 2022 duhet të zbatohen. Me këtë, ekziston një vendosmëri e madhe që Maqedonia e Veriut të fillojë procesin e negociatave dhe nuk ka dyshim se vendi i përket familjes evropiane. Ne po punojmë shumë aktivisht në mënyrë që të përmbushen kushtet e nevojshme dhe të ecim përpara. Gjëja më e rëndësishme ndërkohë është të kemi besim dhe shpresoj që fqinjët tanë, së bashku me Bashkimin Evropian, do të jenë shumë konstruktivë në ditët dhe muajt në vijim”, tha Rokas.
Rokas i vuri theks të veçantë mesazhit të unitetit në rajon, duke përmendur Samitin e Ballkanit Perëndimor në Tivat, si dhe letrën e përbashkët nga Presidenti Francez Emmanuel Macron dhe Kancelari Gjerman Merz mbi thjeshtimin e procesit të pranimit.
Në fjalimin e tij hapës në fillim të Samitit, Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Kosta u dërgoi një mesazh vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kancelari Gjerman Merz kritikon procesin e ngecur të zgjerimit
Para fillimit të Samitit, Kancelari Gjerman Friedrich Merz kritikoi procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
“Nëse nuk kemi pranuar anëtarë të rinj për 13 vjet, kjo tregon se mangësitë nuk janë vetëm në anën e kandidatëve, por edhe në anën e Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian duhet të tregojë se është i aftë dhe i gatshëm për zgjerim”, tha Merz para takimit në Tivat.
Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, i cili është pjesë e Samitit, njoftoi në profilin e tij në Facebook se ishte takuar me Kancelarin Merz para fillimit të ngjarjes. Në takim, siç tha Mickoski, u diskutua perspektiva evropiane e rajonit, sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe dokumenti jo-publik i Gjermanisë dhe Francës.
“Edhe këtë temë e diskutuam. Ne kemi kontributin tonë për të gjitha këto dhe mendimin tonë, e përcollëm. Do ta diskutojmë më hollësisht tani në pjesën e punës së Samitit, kështu që le të jemi të duruar, megjithatë, këto janë momente kur praktikisht BE-ja, pra Këshilli Evropian, e thotë qartë se procesi i zgjerimit është gjallë. Ajo që është detyrimi ynë si qeveri është ta ruajmë atë proces, të përparojmë, por në të njëjtën kohë të mos humbasim dinjitetin tonë siç ishte shembulli në dekadat e kaluara kur bëhet fjalë për aspiratat tona për anëtarësim në BE”, u përgjigj Mickoski pyetjeve të gazetarëve para fillimit të seancës.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.