Komisioni Evropian i ka vendosur Rusisë dy kushte, të cilat, nëse përmbushen, do të konsiderohen nga Brukseli si një tregues i gatishmërisë së Moskës për të zhvilluar negociata paqeje për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, raporton Euronews.
Lajmi u bë i ditur nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë fjalës së saj në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, më 25 nëntor.
Sipas von der Leyen, kushti i parë është vendosja e një “armëpushimi energjetik” gjatë gjithë periudhës së dimrit, përmes ndalimit të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Ndërsa kushti i dytë lidhet me arritjen e një marrëveshjeje që garanton lundrimin e sigurt në Detin e Zi dhe eksportin e papenguar të produkteve ushqimore përmes kësaj rruge detare.
Von der Leyen theksoi se përmbushja e këtyre dy kërkesave do të përbënte një sinjal të rëndësishëm se Rusia është e gatshme të angazhohet seriozisht në negociatat për paqe.
“Ne do ta vlerësojmë përparimin nga veprimet e Rusisë, jo vetëm nga fjalët e saj”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian.