Kjo intervistë është pjesë e një serie artikujsh që vënë në fokus punën e disa përfituesve të granteve nga skema e granteve “Digital Spark” në kuadër të projektit “Mekanizmi Rajonal i Mbështetjes për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (EECA)”, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis dhe TechSoup, në partneritet me CIVICUS në kuadër të Iniciativës për Demokracinë Digjitale (DDI) e cila i mbulon vendet e Jugut Global. Publikohet në Global Voices në kuadër të një marrëveshjeje për shkëmbimin e përmbajtjeve.
Armenia është një vend i vogël pa dalje në det, i cili prej vitesh, është mbështetur te Rusia në konfliktin e saj afatgjatë me vendin fqinj, Azerbajxhanin, një vend i pasur me naftë dhe autoritar. Megjithatë, Armenia pësoi një goditje nga Rusia në vitet 2022–2023, kur forcat ushtarake ruse nuk e mbështetën gjatë konfliktit për rajonin e Nagorno-Karabakut.
Në shtator të vitit 2023, Azerbajxhani nisi një ofensivë ushtarake në shkallë të gjerë, dëboi të gjithë popullsinë armene nga Nagorno-Karabaku, shpërndau qeverinë e rajonit dhe e përfshiu territorin në Azerbajxhan.
Pas këtij incidenti, kur Rusia nuk e mbështeti Armeninë me trupat e saj paqeruajtëse, me gjasë për shkak se Vlladimir Putinishte tashmë i angazhuar në një pushtim dhe luftë në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, Armenia ndryshoi dukshëm qëndrimin ndaj Rusisë.
Kryeministri armen Nikol Pashinyan filloi të punojë seriozisht drejt anëtarësimit të vendit të tij të Kaukazi të Jugut në Bashkimin Evropian dhe intensifikoi komunikimin diplomatik me SHBA-në.
Ai u rizgjodh më 7 qershor 2026. Zgjedhjet u zhvilluan në një kontekst ku raportoheshin ndërhyrje ruse. Reuters, duke iu referuar zyrtarëve anonimë dhe dokumenteve të inteligjencës perëndimore, raportoi për përpjekje të fshehta ruse për të minuar Pashinyan dhe për të mbështetur kandidatët pro-rusë, duke përfshirë përmes fushatave të dezinformimit.
Këto zgjedhje treguan se lufta informative është zgjeruar përtej rrjeteve sociale. Ajo tashmë përfshinte faqe interneti me lajme të rreme, video të gjeneruara me IA dhe materiale të paraqitura si raportime nga media ndërkombëtare me reputacion.
Sipas organizatës amerikane NewsGuard, e cila monitoron dezinformimin, një fushatë e lidhur me Rusinë qarkulloi 31 lajme të fabrikuara për Pashinyan vetëm brenda një jave. Artikujt e akuzonin atë për manipulim të zgjedhjeve dhe për përpjekje për ta përfshirë Armeninë në luftë me Rusinë.
Disa prej këtyre materialeve imitonin media ndërkombëtare, si France 24 dhe Politico. Të tjerat imitonin media armene, duke përfshirë Armenpress dhe CivilNet.
Me përhapjen e IA-së gjenerative, fushatat e dezinformimit dhe propagandës janë bërë gjithnjë e më të sofistikuara. Përvoja e Armenisë tregon se si funksionojnë këto fushata në një vend që po largohet nga varësia e tij e kahershme nga Rusia. Në të njëjtën kohë, gazetarët armenë dhe shoqëria civile po punojnë shumë për të zhvilluar edukimin mediatik, me qëllim kundërshtimin e fushatave të dezinformimit. Kjo intervistë në kuadër të rubrikës ”Digital Spark Spotlight” trajton një nga këto projekte — “Verify First”, një platformë ku përdoruesit mund të gjejnë informacion të besueshëm.
Global Voices intervistoi Armin Asryan, anëtar i grupit të gazetarëve, redaktorëve dhe aktivistëve që qëndrojnë pas projektit të edukimit mediatik “Verify First”, i cili synon të luftojë manipulimin informativ dhe propagandën ruse.
Global Voices (GV): Ju lutemi, na tregoni për organizatën tuaj dhe pse vendosët të përfshiheni në projektin Digital Spark.
Armin Asryan (AA): Ne jemi një grup entuziastësh, që veprojmë përmes “Socio Club” – organizatës joqeveritare për çështje sociale dhe informacioni – dhe jemi të përkushtuar për të nxitur ndryshime pozitive në peizazhin informativ të Armenisë.
Vendosëm të përfshiheshim në projektin Digital Spark sepse na entuziazmoi mundësia për të kontribuar aktivisht në krijimin e një hapësire informimi më të shëndetshme dhe më të besueshme në rrjetet sociale. Në përgjigje të sfidave në rritje që paraqet keqinformimi online, zhvilluam një nismë të posaçme për prodhimin e gjashtë videove të shkurtra edukative të fokusuara në teknikat praktike të verifikimit të fakteve dhe edukimin mediatik, me synimin që përdoruesit e zakonshëm të rrjeteve sociale të pajisen me mjetet e nevojshme për të identifikuar dhe kundërshtuar përmbajtjet mashtruese.
GV: Cili problem/sfidë në komunitetin tuaj ju shtyu të ndërmerrnit këtë projekt?
AA: Hapësira e rrjeteve sociale në Armeni është ndikuar rëndë nga dezinformimi, përmbajtjet me cilësi të ulët dhe armiqësia online. Çdo ditë, në rrjedhat e përmbajtjeve në rrjetet sociale shfaqen materiale që jo vetëm i zhgënjejnë përdoruesit, por edhe nxisin panik dhe frikë të përhapur.
Këto narrativa të pabesueshme e minojnë në mënyrë aktive besimin e publikut në institucionet e rëndësishme. Duke kuptuar se ky mjedis negativ informativ dëmton mirëqenien e shoqërisë, ndjemë se duhej të ndërmerrnim veprime. Kjo sfidë kritike na shtyu të ndërmerrnim projektin tonë, me synimin që përdoruesit të pajisen me aftësitë e të menduarit kritik dhe mjetet e verifikimit të fakteve, të nevojshme për të kundërshtuar përmbajtjet mashtruese dhe për të nxitur krijimin e një komuniteti digjital më të shëndetshëm.
GV: Cilat janë ndryshimet/aktivitetet kryesore që organizata juaj zbatoi gjatë pjesëmarrjes në projekt?
AA: Sfida jonë kryesore ishte t’i përkthenim konceptet komplekse të verifikimit të fakteve, si leximi lateral dhe identifikimi i gjurmëve të manipulimit në përmbajtjet e gjeneruara me IA, në përmbajtje tërheqëse dhe të kuptueshme për përdoruesit e zakonshëm të rrjeteve sociale.
Për këtë qëllim, u përqendruam në zbërthimin e teknikave të avancuara të edukimit mediatik në video të shkurtra, të thjeshta dhe intuitive. Aktivitetet tona i projektuam në mënyrë që edhe audiencat me njohuri të kufizuara teknologjike të mund t’i kuptonin dhe t’i zbatonin lehtësisht këto mjete verifikimi. Duke shmangur terminologjinë e ndërlikuar dhe duke demonstruar praktika konkrete, hap pas hapi, për një përdorim të sigurt dhe të përgjegjshëm të mjedisit digjital, i ndihmuam përdoruesit e zakonshëm të identifikonin në mënyrë të pavarur dezinformimin, të vlerësonin në mënyrë kritike burimet online dhe të lundronin në rrjedhat e përmbajtjeve në rrjetet sociale me më shumë besim dhe aftësi dalluese.
GV: Si ndikoi pjesëmarrja juaj në projekt te përfituesit e organizatës dhe komuniteti të cilit i shërbeni? Ju lutemi, jepni shembuj.
AA: Ky projekt ishte një përvojë e përbashkët mësimi për ekipin tonë dhe komunitetin. Përfituesit tanë të synuar përfshinin të rritur të moshës 18 vjeç e lart, me fokus të veçantë në arritjen e audiencave në fshatrat e rajoneve të ndryshme. Të shihnim përparimin e tyre teksa përvetësonin mjete praktike për verifikimin e fakteve ishte një përvojë shumë shpërblyese.
Një aspekt kyç i ndikimit të projektit ishte bërja e përmbajtjeve edukative plotësisht të qasshme: ne ofruam përkthim në gjuhën e shenjave për personat me dëmtim të dëgjimit, duke siguruar që edhe pjesëtarët e margjinalizuar të komunitetit të përfitonin nga fushata jonë e edukimit mediatik. Duke kapërcyer hendekun digjital dhe atë të qasshmërisë, ndihmuam në krijimin e një hapësire publike më të informuar, gjithëpërfshirëse dhe më rezistente në të gjithë Armeninë.
GV: Si kanë ndryshuar njohuritë, ndërgjegjësimi dhe përvoja juaj në lidhje me demokracinë digjitale dhe hapësirën qytetare falë pjesëmarrjes tuaj në projekt?
AA: Mësuam. Mësuam rreth verifikimit të fakteve. Mësuam të funksionojmë si grup. Ishte një proces shpërblyes. Dhe kuptuam se edhe veprimet e vogla mund të kenë ndikim të madh. Jemi shumë të entuziazmuar.
GV: Cilat janë mësimet dhe përvojat më të vlefshme që po merrni nga ky projekt?
AA: Ishte një përvojë interesante. Dy grupe krijuesish të përmbajtjes punuan në projekt. Njëri grup përbëhej nga gazetarë profesionistë mbi 60 vjeç. Grupi tjetër përbëhej nga profesionistë të rinj dhe të frymëzuar të krijimit të përmbajtjes, në të 20-at dhe të 30-at e tyre. Ishte magjepsëse të shihnim se si përvoja mund të ndërthurej me mendjet e reja dhe inovacionin. Ndërthurja e përvojës së brezit të vjetër me entuziazmin e të rinjve ishte mësimi që nxorëm nga ky projekt.
GV: Çfarë vjen më pas? Si do t’i zbatoni në punën tuaj të ardhshme dhe në komunitetin tuaj njohuritë dhe kapacitetet digjitale që i keni zhvilluar?
AA: Videot e shkurtra që krijuam nuk janë një aktivitet i njëhershëm. Ne do t’i përdorim ato gjatë trajnimeve dhe do t’i ndajmë edhe me aktorë të tjerë të shoqërisë civile. Por, gjithashtu mendojmë se duhet ta shfrytëzojmë këtë përvojë si bazë për punën tonë të mëtejshme. Aktualisht, kemi disa ide frymëzuese që dëshirojmë t’i realizojmë. Le të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja.