Në Shqipëri, të rinjtë në zonat rurale po zhvillojnë fushata për zgjidhjen e problemeve mjedisore lokale

Kjo intervistë është pjesë e një serie artikujsh që vënë në fokus punën e disa përfituesve të granteve nga skema e granteve „Digital Spark„ në kuadër të projektit “Mekanizmi Rajonal i Mbështetjes për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (EECA)”, i zbatuar nga  Fondacioni Metamorfozis dhe TechSoup, në partneritet me CIVICUS dhe në kuadër të Iniciativa për Demokracinë Digjitale (DDI), e cila i mbulon vendet e Jugut Global. Publikohet në Global Voices në kuadër të një marrëveshjeje për shkëmbimin e përmbajtjeve.  

Në zonat rurale të Shqipërisë, të rinjtë rrallë mobilizohen për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve mjedisore dhe të problemeve të tjera në komunitetet e tyre, megjithëse edhe ata preken nga këto probleme. I tillë ka qenë rasti edhe në rajonin e Korçës, në lindje të vendit, i cili u godit nga reshje të dendura shiu dhe përmbytje shkatërruese në nëntor të vitit 2025.

Në komunën e Maliqit, një nga zonat e prekura, situata u përkeqësua nga hedhja e papërshtatshme e mbeturinave, të cilat i bllokuan kanalet e kullimit, duke përfshirë lumin Devoll, që rrjedh nëpër këtë zonë. Hedhja e paligjshme e mbeturinave ka penguar funksionimin e infrastrukturës së lumit dhe ka kontribuar në përmbytjet e përhapura. Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për të përmirësuar menaxhimin e mbeturinave dhe për të pastruar lumin, situata ka mbetur e rëndë.

Mbeturina të grumbulluara pranë urës mbi lumin Devoll në Maliq, Shqipëri. Foto e realizuar më 21 nëntor 2025 nga Qendra KAZUS. Përdorur me leje.

Në vitin 2026, një organizatë joqeveritare (OJQ) lokale, Qendra KAZUS, rekrutoi dhe trajnoi të rinj nga zona për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi të kahershëm, duke i angazhuar si aktivistë mjedisorë. Global Voices zhvilloi një intervistë me e-mail me Dhorjela Çelën, Drejtoreshën ekzekutive të organizatës, për të mësuar se si Qendra KAZUS zbatoi një projekt që bashkoi të rinjtë, demokracinë digjitale, sfidat mjedisore dhe avokimin. Intervista është redaktuar për qartësi dhe shkurtësi.

Global Voices (GV): Ju lutemi, na tregoni për organizatën tuaj dhe pse vendosët të përfshiheni në projektin Digital Sparks. 

Dhorjela Çule (DhÇ): Qendra KAZUS u themelua në vitin 2024 dhe fokusohet në aktivizmin dhe angazhimin e të rinjve. Ekipi ynë përbëhet nga gazetarë, fotoreporterë dhe specialistë të arsimit, me përvojë shumëvjeçare në media, drejtësi dhe mentorim.

Misioni ynë është të forcojmë demokracinë dhe sundimin e ligjit përmes avokimit nga të rinjtë, si dhe të rrisim ndërgjegjësimin për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e TIK-ut dhe medias. Si organizatë e re, puna jonë mbështetej kryesisht në aktivitete dhe projekte të vogla.

Digital Sparks na dha mundësinë t’i japim përparësi avokimit digjital. Ne e pamë këtë si një mundësi për t’u ofruar të rinjve në zonat rurale dhe urbane mjete që i përdorin çdo ditë – telefonat dhe rrjetet sociale – dhe për t’i shndërruar ato në instrumente të pjesëmarrjes qytetare dhe llogaridhënies.

GV: Cili problem/sfidë në komunitetin tuaj ju shtyu të ndërmerrnit këtë projekt? 

DhÇ: Lumi Devoll, në rajonin e Korçës, në lindje të Shqipërisë, po përballet me një situatë të rëndë mjedisore. Ndotja nga plastika, mbeturinat inerte, mbeturinat bujqësore dhe mbetje të tjera grumbullohen përgjatë brigjeve të lumit. Gjatë përmbytjeve në dimër, prurjet e larta të lumit nxjerrin në pah dhe shpërndajnë këto mbeturina, duke bllokuar kanalet e kullimit. Si pasojë, uji del nga shtrati i lumit dhe përmbyt tokat bujqësore dhe zonat e banuara, duke dëmtuar cilësinë e tokës, mjetet e jetesës dhe ekosistemin lokal.

Në fshatrat Lozhan dhe Pojan, sasia e mbeturinave është e konsiderueshme, ndërsa autoritetet lokale duket se janë të pafuqishme për të gjetur një zgjidhje.

Ajo që na shqetësonte më shumë ishte fakti se të rinjtë nga zonat rurale, familjet e të cilëve varen nga bujqësia dhe që preken drejtpërdrejt nga këto probleme, ishin të përjashtuar nga procesi i kërkimit të zgjidhjeve. Ata kishin telefona dhe opinione të forta, por nuk kishin një kanal për t’i shndërruar ato në presion publik.

Ne donim të tregonim se e drejta për një mjedis të pastër është diçka që të rinjtë mund ta kërkojnë, duke u mbështetur në fakte dhe në një zë kolektiv.

Mbeturina në brigjet e lumit Devoll në Pojan, maj 2026. Foto nga Qendra KAZUS. Përdorur me leje.

GV: Cilat janë ndryshimet/aktivitetet kryesore që organizata juaj zbatoi gjatë pjesëmarrjes në projekt? 

DhÇ: Ne zbatuam tre faza të projektit. Së pari, rekrutuam dhe trajnuam 44 të rinj nga komuna e Maliqit në MoJo (Mobile Journalism – gazetari mobile), me synimin që tregimi i historive përmes telefonit celular, montimi i videove për “reels” dhe dizajni grafik në Canva të shndërroheshin në mjete të fuqishme avokimi.

Së dyti, organizuam dy piknikë digjitalë përgjatë lumit Devoll dhe tokave bujqësore të prekura, duke pilotuar aktivitetet në dy lokacione, në fshatrat Pojan dhe Lozhan, ku pjesëmarrësit filmuan dhe fotografuan grumbullimin e mbeturinave, duke krijuar një “hartë vizuale të ndotjes”. Tridhjetë materiale të prodhuara nga të rinjtë u publikuan në rrjetet sociale për të rritur ndërgjegjësimin e publikut.

Së fundi, nisëm një peticion online, përmes të cilit do t’i kërkojmë komunës së Maliqit të intensifikojë aktivitetet e pastrimit, me angazhimin e përbashkët të komunës dhe komunitetit, si dhe edukimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit.

Peticioni u publikua në Change.org për të arritur një audiencë më të gjerë dhe deri më tani ka mbledhur 506 nënshkrime, duke tejkaluar objektivin tonë.

Pjesëmarrës të piknikut DigiAction në Pojan, Shqipëri. Foto nga Qendra KAZUS. Përdorur me leje.

GV: Si ndikoi pjesëmarrja juaj në projekt te përfituesit e organizatës dhe komuniteti të cilit i shërbeni? Ju lutemi, jepni shembuj.

DhÇ: Për të rinjtë pjesëmarrës, projekti e shndërroi përdorimin e rrjeteve sociale nga një mjet argëtimi në një mjet për veprim. Dyzet e katër të rinj mësuan si të dokumentojnë problemet mjedisore dhe t’i komunikojnë ato publikisht.

“Nuk e kisha parë kurrë përdorimin e mediave sociale nga kjo perspektivë. Tani kam një qasje tjetër ndaj postimeve që mund të bëj” – tha Igli, një nga të rinjtë që mori pjesë në trajnim dhe aktivitetet në terren.

Për komunitetin, piknikët digjitalë e bënë ndotjen të dukshme: të gjithë patën mundësinë të shihnin mbeturinat e grumbulluara përgjatë lumit përmes videove dhe postimeve, ndërsa qindra persona ndërvepruan me përmbajtjen tonë online.

Peticioni u ofroi banorëve dhe mbështetësve një mënyrë të thjeshtë për të shprehur qëndrimin e tyre, dhe 506 persona e nënshkruan atë online. Materialet e krijuara tashmë përbëjnë një arkiv publik të dëshmive, të cilin komuniteti mund ta përdorë në diskutimet e ardhshme me autoritetet lokale.

GV: Si kanë ndryshuar njohuritë, ndërgjegjësimi dhe përvoja juaj në lidhje me demokracinë digjitale dhe hapësirën qytetare falë pjesëmarrjes tuaj në projekt?

DhÇ: Përmes Digital Sparks, arritëm ta kuptonim demokracinë digjitale në një kuptim më të gjerë: përdorimin e teknologjisë për të dokumentuar faktet, për të mobilizuar njerëzit dhe për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet.

Mësuam se dëshmitë, qofshin ato video, postera apo nënshkrime, u japin qytetarëve besueshmëri kur u drejtohen autoriteteve publike.

Gjithashtu, fituam përvojë praktike në planifikimin e fushatave, strategjinë e përmbajtjes, moderimin e komenteve online, përdorimin e analitikës së Instagramit dhe TikTok-ut, si dhe në sigurinë dhe etikën digjitale, duke përfshirë mbrojtjen e pjesëmarrësve të rinj dhe të të dhënave personale.

Si ekip, ky projekt na mësoi se si ta shndërrojmë këtë njohuri në veprim qytetar digjital të udhëhequr nga të rinjtë.

GV: Cilat janë mësimet dhe përvojat më të vlefshme që po merrni nga ky projekt?

DhÇ: Një nga mësimet më të vlefshme është se në epokën digjitale, të rinjtë kanë nevojë për pak pajisje teknike, por shumë më tepër mentorim dhe udhëzim, për t’i ndihmuar të bëhen qytetarë të përgjegjshëm, të cilët i shprehin kërkesat e tyre dhe angazhohen në veprime konkrete për të qenë pjesë e procesit të vendimmarrjes. Telefonat dhe kreativiteti i tyre janë të mjaftueshëm, kur kanë një qëllim të qartë dhe udhëzimin e duhur.

Së dyti, një format informal dhe i këndshëm si Pikniku Digjital ul barrierat ndaj pjesëmarrjes dhe tërheq të rinjtë, duke përfshirë vajzat dhe ata nga grupet e margjinalizuara ose familjet me të ardhura të ulëta.

Fotografitë dhe faktet janë më bindëse për institucionet sesa ankesat, por kjo përvojë na mësoi se fleksibiliteti është thelbësor. Zgjedhja e Change.org në vend të Google Forms për peticionin na mësoi t’i përshtatim mjetet me audiencën.

Së fundi, ndryshimi institucional dhe angazhimi kërkojnë kohë, ndërsa ndjekja e mëtejshme e procesit është po aq e rëndësishme sa mobilizimi.

GV: Çfarë vjen më pas? Si do t’i zbatoni në punën tuaj të ardhshme dhe në komunitetin tuaj njohuritë dhe kapacitetet digjitale që i keni zhvilluar?

DhÇ: Qendra KAZUS ka nisur zbatimin e një projekti tjetër, në të cilin po aplikon një pjesë të njohurive të fituara. Përdorimi i rrjeteve sociale nga të rinjtë si një mekanizëm i fuqishëm për të ngritur zërin dhe për të kërkuar më shumë angazhim dhe përgjegjësi nga institucionet, këtë herë është përqendruar te trashëgimia kulturore.

Për ne, mbetet thelbësore të identifikojmë një qasje krejtësisht të ndryshme ndaj të rinjve, përmes kanaleve dhe platformave ku ata kalojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës dhe ku përqendrojnë komunikimin e tyre.

Vlen të theksohet rëndësia e gjetjes së një pike takimi me të rinjtë, përmes një metode që është interesante për ta. Ne kemi arritur t’i përfshijmë ata duke u treguar se rrjetet sociale mund të përdoren edhe si një mekanizëm i shëndetshëm, përmes të cilit kërkesat e tyre mund të sjellin rezultate.

CIVICUSShqipëria