Kjo intervistë është pjesë e një serie artikujsh që vënë në fokus punën e disa përfituesve të granteve nga skema e granteve „Digital Spark„ në kuadër të projektit “Mekanizmi Rajonal i Mbështetjes për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (EECA)”, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis dhe TechSoup, në partneritet me CIVICUS dhe në kuadër të Iniciativa për Demokracinë Digjitale (DDI), e cila i mbulon vendet e Jugut Global. Publikohet në Global Voices në kuadër të një marrëveshjeje për shkëmbimin e përmbajtjeve.
Ashtu si bashkëmoshatarët e tyre, edhe fëmijët dhe të rinjtë me sindromën Down janë kureshtarë për teknologjinë dhe internetin, por shpesh mungojnë mjetet e përshtatshme dhe të posaçme që do t’i ndihmonin të mësonin si të përdorin internetin në mënyrë të sigurt. Kjo vlen edhe për Bosnjë dhe Hercegovinën, ku fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale nuk marrin mbështetjen e duhur dhe shpesh përfundojnë në izolim digjital, për shkak të shqetësimeve të kujdestarëve për sigurinë digjitale dhe rreziqet që lidhen me përdorimin e internetit.
Në vend ka rreth 550-700 fëmijë dhe adoleshentë me sindromën Down. Ata mbështeten nga tri shoqata të specializuara në nivel kombëtar Shoqata “Jeta me Sindromën Down e FBiH-së”, Shoqata për Sindromën Down në Mostar, dhe DOWN SY I MI. Për t’u mësuar fëmijëve sigurinë online, këto organizata duhet të mbështeten në mjete për sigurinë në internet që përmbajnë kryesisht tekst, shpjegime abstrakte dhe gjuhë komplekse, të cilat nuk janë të qasshme dhe as domethënëse për fëmijët me sindromën Down.
me leje.
Një grup zhvilluesish, profesionistësh të TI-së dhe dizajnerësh në Bosnjë dhe Hercegovinë po punon për të adresuar mungesën e një mjeti për sigurinë digjitale, të përshtatur për fëmijët dhe adoleshentët me sindromën Down. Qëllimi i tyre është t’i ndihmojnë të rinjtë të kuptojnë, të praktikojnë dhe të ndihen të sigurt kur marrin vendime në internet.
Global Voices zhvilloi një intervistë me shkrim përmes e-mailit me Stefan Filipoviç, anëtar i këtij grupi, për të mësuar se si krijuan një videolojë për t’u mësuar fëmijëve me këtë gjendje gjenetike rreth sigurisë digjitale. Intervista është redaktuar për qartësi dhe shkurtësi.
Global Voices (GV): Ju lutemi, na tregoni për organizatën tuaj dhe pse vendosët të përfshiheni në projektin Digital Sparks.
Stefan Filipoviç (SF): Ne jemi një grup profesionistësh të TI-së, zhvilluesish dhe dizajnerësh nga Bosnjë dhe Hercegovina. Pjesa më e madhe e punës sonë lidhet me teknologjinë komerciale, por kemi edhe përvojë në zhvillimin e videolojërave edukative dhe me vlerë shoqërore, si “Eureka – Edukativna videoigra”, një lojë edukative për fëmijë, dhe Lea & Leo, një lojë për fëmijët me diabet.
U përfshimë në projektin Digital Sparks sepse dëshironim ta shfrytëzonim këtë përvojë për një grup që, sipas mendimit tonë, shpesh anashkalohet gjatë projektimit të produkteve digjitale. Të rinjtë me aftësi të kufizuara intelektuale përdorin telefona dhe internetin, por shumë mjete digjitale thjesht nuk janë projektuar duke marrë parasysh nevojat e tyre.
Videoloja “Siguran klik” (Siguran klik) na dha mundësinë të punonim në diçka praktike dhe të dobishme, duke mësuar njëkohësisht se si të projektojmë në mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe të përfshijmë edukatorët dhe përdoruesit në këtë proces.
GV: Cili problem/sfidë në komunitetin tuaj ju shtyu të ndërmerrnit këtë projekt?
SF: Gjatë bashkëpunimit me Qendrën e Shërbimeve “Dajte nam šansu – Zvjezdice”, një shoqatë dhe qendër ditore që ofron mbështetje falas për fëmijët, të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara në zhvillim, vumë re se të rinjtë me sindromën Down përdornin telefonat dhe internetin, por kishte shumë pak materiale për sigurinë kibernetike të krijuara posaçërisht për ta.
Shumica e materialeve përmbajnë shumë tekst, shpjegime të ndërlikuara ose ndërfaqe që janë të vështira për t’u ndjekur. Me sa dimë, prindërit dhe edukatorët shpesh përfundojnë duke u përqendruar në kufizimin e përdorimit të internetit, në vend që t’u mësojnë të rinjve se si të përballen me situata të pasigurta.
Ne donim të provonim diçka ndryshe. Përmes SafeClick, përdorim tregime të thjeshta, situata të njohura, fotografi dhe mekanizma të lojës për t’i ndihmuar përdoruesit të praktikojnë se si të veprojnë kur marrin një mesazh të dyshimtë, njihen me dikë në internet ose përjetojnë bullizëm kibernetik.
GV: Cilat janë ndryshimet/aktivitetet kryesore që organizata juaj zbatoi gjatë pjesëmarrjes në projekt?
SF: Zhvilluam versionin e parë funksional të SafeClick. Aktualisht, loja është në pritje të miratimit nga App Store dhe Google Play. Ajo është projektuar për pajisjet mobile, me ndërveprime të thjeshta dhe të qasshme, si dhe skenarë vizualë.
Një vendim i rëndësishëm ishte që përdoruesit të mos ndëshkohen për gabimet që bëjnë. Përkundrazi, loja shpjegon se çfarë ka ndodhur dhe u jep atyre një mundësi tjetër. Kemi punuar ngushtë me edukatorët dhe prindërit dhe kemi shfrytëzuar komentet dhe sugjerimet e tyre për t’i bërë skenarët më të lehtë për t’u kuptuar.
Aktualisht, jemi në fazën e organizimit të sesioneve të mentorimit me mentorin e caktuar përmes projektit, me synimin për të krijuar mundësi shtesë për promovimin e lojës dhe për të arritur sa më shumë përdorues.
GV: Si ndikoi pjesëmarrja juaj në projekt te përfituesit e organizatës dhe komuniteti të cilit i shërbeni? Ju lutemi, jepni shembuj.
SF: Edhe pse loja do të publikohet së shpejti, reagimet e para nga mësuesit e arsimit special dhe prindërit kanë qenë shumë praktike. Falënderojmë veçanërisht Jelena Zhiliç dhe fëmijët e saj, të cilët dhanë komentet dhe sugjerimet e para të vlefshme gjatë testimit të lojës. Ata na ndihmuan të kuptonim se situatat që janë të vështira për t’u shpjeguar me fjalë mund të bëhen shumë më të lehta për t’u kuptuar kur paraqiten në mënyrë vizuale dhe praktikohen përmes një loje.
Për shembull, në vend që thjesht t’i thuhet dikujt të mos i përgjigjet një të panjohuri në internet, SafeClick i mundëson përdoruesit ta shohë mesazhin, të vendosë se si të veprojë dhe të praktikojë bllokimin dhe raportimin e personit në fjalë, si dhe raportimin e situatës te kujdestari. Besoj vërtet se ia dolëm ta shndërronim një temë abstrakte në diçka që të rinjtë mund ta praktikojnë konkretisht.
GV: Si kanë ndryshuar njohuritë, ndërgjegjësimi dhe përvoja juaj në lidhje me demokracinë digjitale dhe hapësirën qytetare?
SF: Para këtij projekti, qasshmërinë e konsideronim kryesisht si çështje të produktit dhe të përvojës së përdoruesit (ndërfaqes). Puna në SafeClick na bëri ta shihnim atë në një këndvështrim tjetër. Aftësia për ta përdorur internetin në mënyrë të sigurt lidhet edhe me mundësinë për të marrë pjesë në jetën e përditshme: për të komunikuar, për të mësuar, për të gjetur informacion dhe për të qenë pjesë e komunitetit.
Nëse një person nuk mund t’i kuptojë ose t’i përdorë shërbimet digjitale në mënyrë të sigurt, ai mbetet i përjashtuar. Gjithashtu, mësuam se privatësia dhe qasshmëria nuk duhet të jenë elemente që shtohen në fund të procesit të zhvillimit. Ato duhet të merren parasysh që në fillim. Këtë mësim do ta kemi parasysh edhe në projektet tona të ardhshme.
GV: Cilat janë mësimet dhe përvojat më të vlefshme që po merrni nga ky projekt?
SF: Mësimi më i madh për ne ishte se krijimi i diçkaje teknikisht të thjeshtë është, në fakt, mjaft e vështirë. Në produktet komerciale, është e lehtë të vazhdosh të shtosh funksionalitete. Me SafeClick, na u desh të pyesnim vazhdimisht veten nëse një buton, animacion, fjali apo ekran ishte vërtet i nevojshëm.
Përvoja jonë e mëparshme me “Eureka – Edukativna igra” dhe “Lea & Leo” na ndihmoi të kuptonim vlerën e videolojërave në procesin e të nxënit, por SafeClick na mësoi shumë më tepër për qasshmërinë njohëse dhe projektimin duke pasur parasysh nevojat e edukatorëve dhe përdoruesve.
GV: Çfarë vjen më pas? Si do t’i zbatoni në punën tuaj të ardhshme dhe në komunitetin tuaj njohuritë dhe kapacitetet digjitale që i keni zhvilluar?
SF: Objektivi ynë i menjëhershëm është ta publikojmë SafeClick, ta promovojmë në media dhe ta informojmë komunitetin më të gjerë për vënien e lojës në dispozicion. Në perspektivë, planifikojmë të mbështetemi në këtë përvojë për të zhvilluar një gamë më të gjerë mjetesh digjitale të përshtatura për grupet e margjinalizuara dhe të vazhdojmë të eksplorojmë se si lojërat dhe mjetet e tjera digjitale mund ta lehtësojnë të nxënit dhe pjesëmarrjen e personave që shpesh mbeten jashtë zhvillimeve teknologjike që u drejtohen shumicës së përdoruesve. Jemi të hapur për bashkëpunime dhe partneritete të reja.