Gropa të thella, asfalt i çarë dhe rrugë të paasfaltuara, kjo është gjendja me të cilën përballen banorët e Lagjes 146 në Tetovë. Në disa pjesë të lagjes, qarkullimi është vështirësuar, ndërsa gropat u shkaktojnë dëme automjeteve. Një pjesë e rrugës u asfaltua, ndërsa për pjesët tjera komuna hesht, shkruan Portalb.mk.
Një pjesë e rrugës në këtë lagje u asfaltua në shkurt të këtij viti, por puna mbeti në gjysmë. Pjesa tjetër e rrugës, vazhdon të jetë e paasfaltuar.
“Duke nisur prej te përmendorja e deri si i thonë te lagjja te Qireçi, gropat e thella i shkatërruan automjetet. Pse nuk e asfaltojnë komplet?”, tha një banore.
Banorë të tjerë thonë se duhet të përfundojë asfaltimi i të gjithë rrugës.
“Po kanë mbetur në gjysmë, duhet të përfundojë krejt edhe kjo pjesa tjetër, nga këtu lartë deri atje poshtë te varrezat, d.m.th. prej kur ngjitesh nga poshtë lartë, këtu ku ndahen rrugët në të djathtë dhe majtë, njërën anë e kanë asfaltuar, tjetrën jo”, u shpreh një tjetër banor.
Ata thonë se nuk kanë informacion nëse dhe kur do të vazhdojnë punimet.
“S’e di a do e bëjnë dhe ku, nuk kam informata, këtu krejt politikë”, tha një qytetar gjatë kohës që ishim në terren.
Portalb.mk kërkoi përgjigje nga Komuna e Tetovës për arsyen pse asfaltimi nuk është përfunduar në të gjithë pjesët, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm përgjigje.
Problemet në këtë lagje nuk lidhen vetëm me rrugët. Gjatë reshjeve, banorët janë përballur edhe me rrëshqitje të dheut, ndërsa problem kanë pasur edhe me ujin e pijshëm.