Historiku i fituesve të zgjedhjeve parlamentare në RMV që nga 1990 deri në 2024

Republika e Maqedonisë (sot Republika e Maqedonisë së Veriut) që nga pavarësia e saj ka zhvilluar njëmbëdhjetë zgjedhje parlamentare. Për mbi 30 vite të shtetit ka pasur ndryshime në qeverisje, në skenë kanë dalë vazhdimisht parti të reja, të cilat më vonë edhe janë shuar. Gjatë këtyre viteve, në qendër kanë qenë LSDM dhe VMRO – DMPNE, ndërsa nga partitë shqiptare PDSH ndërsa pas luftës së 2001, doli dhe faktori tjetër politik shqiptar BDI që për mbi 20 vite qëndroi në skenën politike, gjegjësisht në qeveri, shkruan Portalb.mk.

Sot, në vitin 2024, disa parti janë shuar, disa të reja janë krijuar, ndërsa disa të tjera janë shkëputur nga ato ekzistuese dhe janë krijuar subjekte të “reja” por me figura të vjetra.

Për të pasur një pasqyrë më të qartë opinionin publik, Portalb.mk sjell para jush një elaborim të zgjedhjeve parlamentare të tre dekadave, gjegjësisht që nga pavarësia e shtetit, ku zgjedhjet e para u mbajtën në vitin 1990 dhe këto të fundit mbahen më 8 maj 2024.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 1990

Zgjedhjet e vitit 1990 u mbajtën sipas sistemit zgjedhor të shumicës në dy rrethe të votimeve, në nivel të 120 njësive zgjedhore. Në zgjedhjet e para morën pjesë 18 parti politike dhe 43 kandidatë të pavarur.

Në njësitë zgjedhore, në të cilat partitë morën pjesë në mënyrë të pavarur, në rrethin e dytë të zgjedhjeve fituan:

  • VMRO-DPMNE – 38 mandate;
  • LKM-PTD – 31 mandate;
  • Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) – 17 mandate;
  • Lidhja e Forcave Reformiste në Maqedoni (LFRM) – 11 mandate;
  • Partia Socialiste e Maqedonisë (PSM) – 4 mandate;
  • Partia e Jugosllavëve (PJ) – 2 mandate;
  • VMRO-Partia Demokratike (VMRO-PD) – 1 mandat;
  • Partia Demokratike Popullore (PDP) – 1 mandat.

Si koalicione fituan:

  • Koalicioni PPD/PDP – 5 mandate,
  • Koalicioni LFRM/Partia e Re Progresive Demokratike (PRPD) – 6 mandate;
  • Koalicioni PSM/ LFRM/PRPD – 1 mandat;
  • Koalicioni Partia për Emancipimin e Plotë të Romëve (PEPR)/PSM – 1 mandat.

Në këto zgjedhje u zgjodhën edhe tre deputetë të pavarur.

Zgjedhje në Maqedoni të Veriut (RMV). Foto: Veronaa në Canva

Zgjedhjet parlamentare të vitit 1994

Zgjedhjet e para parlamentare pas pavarësisë së vendit u zhvilluan në vitin 1994, në të njëjtën kohë me zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale. Në zgjedhje kandidatë të tyre propozuan 38 parti politike, ndërkaq u kandiduan 283 kandidatë të pavarur, fitoi koalicioni “Aleanca për Maqedoni”, i udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), parti pasardhëse e LKM-PTD

  • LSDM fitoi – 60 mandate të deputetëve;
  • Partia Liberale (PL) – 29 mandate;
  • PPD – 11 mandate;
  • PSM – 9 mandate;
  • Partia për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH) – 4 mandate;
  • PDP – 2 mandate.
  • Partia Demokratike e Maqedonisë (PDM) – 1 mandat;
  • Partia Demokratike e Turqve (PDT) – 1 mandat;
  • Lidhja Demokratike e Shqiptarëve – Partia Liberale – 1 mandat;
  • Partia Socialdemokrate e Maqedonisë (PSDM) dhe PEPR – 1 mandat;

Qeverinë përsëri e formoi Branko Cërvenkovski në të cilën, përveç ministrave nga radhët e LSDM pozicione fituan edhe partitë PSM, PPD dhe PL.

Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Portalb.mk

Zgjedhjet parlamentare të vitit 1998

Në kë zgjedhje garuan 22 parti politike, 4 koalicione dhe 7 kandidatë të pavarur. Në listat proporcionale garonin 12 parti, 4 koalicione dhe një grup zgjedhësish.

Këto zgjedhje rezultuan me ndërrimin e pushtetit, me ç’rast fitues ishte:

VMRO-DPMNE – 49 mandate të deputetëve;

  • LSDM me – 27 mandate;
  • PPD – 14 mandate;
  • Alternativa Demokratike (AD) – 13 mandate;
  • Partia Demokratike e Shqiptarëve (PDSH) – 11 mandate;
  • Partia Liberal – Demokrate (PLD) – 4 mandate;
  • PSM dhe Lidhja e Romëve të Maqedonisë (LRM) nga 1 mandat;

Pas zgjedhjeve, lideri i VMRO – DPMNE, Lubço Georgievski, formoi Qeveri koalicioni me AD dhe PDSH.

Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Portalb.mk

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2002

Zgjedhjet parlamentare të 15 shtatorit të vitit 2002 u zhvilluan në një atmosferë të tensionuar post-konfliktuale, pas vitit 2001, në të cilin ndodhi konflikti i armatosur ndërmjet forcave të sigurisë dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), i cili përfundoi me nënshkrimin e “Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”.

Në këto zgjedhje përsëri kishim ndryshim të pushtetit:

Fitues ishte Koalicioni “Bashkë për Maqedoninë” i udhëhequr nga LSDM. Koalicioni fitoi 60 mandate, prej të cilëve:

  • LSDM – 43 mandate;
  • PLD – 12mandate;
  • PDT – 2 mandate; dhe nga 1 mandat të deputetit fituan
  • Partia e Bashkuar e Romëve në Maqedoni (PBRM) – 1 mandat të deputetit;
  • Liga Demokratike e Boshnjakëve (LDB)- 1 mandat;
  • Partia Demokratike e Serbëve (PDS) – 1 mandat;
  • VMRO-DPMNE – 27 mandate;
  • PL – 1 mandat;
  • Partia e Lëvizjes së Turqve në Maqedoni (PLTM) – 1 mandat;
  • Partia Socialiste e Maqedonisë (PSM) – 1 mandat;
  • BDI – 16 mandate;
  • PDSH – 7 mandate;
  • PPD – 2 mandate;
  • PDP – 1 mandat.

Mandatar i Qeverisë së re, të vitit 2002, pas 4 vitesh pauzë, përsëri ishte lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski, ndërsa në të u përfshinë edhe PLD dhe BDI. Për BDI kjo ishte pjesëmarrja e parë në një Qeveri të Maqedonisë.

Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Portalb.mk

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2006

Në zgjedhjet e vitit 2006,partia në pushtet LSDM kaloi në opozitë, ndërkaq opozita e deriatëhershme VMRO-DPMNE e fitoi shumicën në Parlament.

Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE fitoi 45 mandate të deputetëve.

  • VMRO-DPMNE- 38 mandate;

Koalicioni “Bashkë për Maqedoninë” i udhëhequr nga LSDM – 32 mandate.

  • LSDM – 23 deputetë;

Koalicioni i tretë ishte BDI – PPD i cili fitoi 17 mandate të deputetëve.

  • BDI- 14 mandate;
  • PPD – 3 mandate;
  • PDSH – 11 mandate;
  • Partia e Re Socialdemokrate (PRSD) – 6 mandate;
  • VMRO – Partia Popullore (VMRO-PP) – 6 mandate;
  • Rindërtimi Demokratik i Maqedonisë (RDM) – 1 mandat dhe
  • Partia për Ardhmëri Evropiane (PAE) – 1 mandat.
Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Portalb.mk

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2008

Në zgjedhjet, të cilat u mbajtën më 1 qershor, me kandidat të tyre në lista morën pjesë 41 parti dhe dy grupe zgjedhësish.

Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, nga gjithsej 120 deputetë të mundshëm fitoi 63 mandate.

  • VMRO-DPMNE – 53 mandate
  • PSM-ja – 3 mandate;
  • Lidhja Demokratike (LD) – 1 mandat;
  • RDM, Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni (PDTM) – 1 mandat;
  • PDS, PBRM, VMRO-Maqedonase dhe Partia për Aksion Demokratik të Maqedonisë (PAD) – 1 mandat.

Në vend të dytë ishte Koalicioni opozitar “Dielli – Koalicioni për Evropë” i udhëhequr nga LSDM me gjithsej 27 deputetë.

  • LSDM – 18 mandate;
  • PLD – 4 mandate;
  • PRSD – 3 mandate;
  • PL dhe Alternativa e Re (AR) -1 mandat deputeti;
  • BDI – 18 deputetë;
  • PDSH – 11 deputetë;
  • PAE – 1 mandat.

Qeverinë përsëri e formoi Nikolla Gruevski, ndërsa në të, përveç ministrave të Koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” u përfshinë edhe ministrat e BDI- së.

Zgjedhje në Maqedoni të Veriut (RMV). Foto: Veronaa në Canva

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2011

Më 2011 ishin zgjedhje të dyta të parakohshme për Kuvendin që nga pavarësimi i Maqedonisë.

Fitoi Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE me 56 mandate.

  • VMRO-DPMNE – 47 mandate;
  • PSM – 3 deputetë;
  • LD, RDM, PAD, PDTM, PDS dhe VMRO Maqedonase – 1 deputet;

Në vend të dytë, sipas numrit të vendeve të fituara, ishte Koalicioni i udhëhequr nga LSDM, me gjithsej 42 mandate.

  • LSDM- 29 mandate;
  • PRSD – 4 mandate;
  • PAE – 3 mandate;
  • PL, Lëvizja për Unitet Nacional të Turqve në Maqedoni (LUNT) – 1 mandat
  • PEPR, Partia Përparimtare Serbe në Maqedoni (PPSM) – 1 mandat;
  • Dhe dy deputetë të pavarur.

Në vendin e tretë, sipas numrit të mandateve të deputetëve në Kuvend ishte:

  • BDI – 14 mandate;
  • PDSH – 8 mandate;
  • RDK – 2 mandate dhe
  • Liga Demokratike e Boshnjakëve (LDB) 1 deputet.

Pas zgjedhjeve lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, për herë të tretë e formoi Qeverinë në të cilën si partner koalicioni përsëri u përfshi BDI, si përfaqësuese e shqiptarëve.

Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Portalb.mk

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2014

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 ishin zgjedhjet e teta parlamentare me radhë nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë, ndërsa të tretat me radhë zgjedhje të parakohshme parlamentare

Në këto zgjedhje përsëri fitoi koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevski. Ky Koalicion fitoi 61 mandate.

  • VMRO-DPMNE – 52 mandate;
  • PSM – 3 deputetë;
  • LD – 1 deputet;
  • RDM -1 deputet;
  • PADM (Partia e Aksionit Demokratik të Maqedonisë) – 1 deputet;
  • PDTM -1 dhe PDSM (Partia Demokratike e Serbëve të Maqedonisë) – 1 deputet;
  • LRM (Lidhja e Romëve të Maqedonisë) – 1 deputet.

Në vendin e dytë, sipas numrit të vendeve të fituara, ishte Koalicioni i udhëhequr nga LSDM, me gjithsej 34 mandate.

  • LSDM – 27 mandate;
  • PRSD dhe PLD – 3 mandate;
  • PLT (Partia e Lëvizjes së Turqve) – 1 mandat.

Në vend të tretë, sipas numrit të mandateve të deputetëve në Kuvend, ishte:

  • BDI – 19 mandate;
  • PDSH – 7 mandate;
  • RDK (Rilindja Demokratike Kombëtare)- 1 mandat dhe
  • OPQM (Opsioni Qytetar për Maqedoninë) – 1 mandat.

Pas zgjedhjeve, lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, për të katërtën herë formoi Qeveri në të cilën përsëri si partner i koalicionit i cili i përfaqëson shqiptarët hyri BDI.

Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Portalb.mk

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2016

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 ishin zgjedhjet e nënta parlamentare që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që i bëri zgjedhjet e katërta të parakohshme parlamentare.

  • VMRO – DPMNE – 51 mandate;
  • LSDM – 49 mandate;
  • BDI – 10 mandate;
  • Lëvizja BESA – 5 mandate;
  • Aleanca për Shqiptarët – 3 mandate;
  • PDSH – 2 mandate;

Menjëherë pas zgjedhjeve pati bisedime intensive midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, dhe më vonë midis LSDM-së dhe BDI-së. Kuvendi me 62 vota pro, 44 kundër dhe 5 abstenime, miratoi qeverinë e re të koalicionit të udhëhequr nga LSDM.

Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Fisnik Xhelili, Portalb.mk

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2020

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut të vitit 2020 në garë ishin 15 parti politike. Nga skena politike shqiptare, Lëvizja BESA shkoi në koalicion me LSDM, në këto zgjedhje. Aleanca për Shqiptarët, në koalicion me Alternativën. Ndërsa, PDSH, dhe BDI dolën të vetme.

Situata në këto zgjedhje ishte më komplekse për shkak të situatës me Covid-19.

  • Koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM – 46 deputetë;
  • Koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së – 44 deputetë;
  •  BDI – 15 deputetë;
  •  Koalicioni Aleanca dhe Alternativa – 12 deputetë;
  • E Majta – 2 deputetë;
  • PDSH – 1 – deputet.

Qeveria pas zgjedhjeve u formua nga LSDM-ja me BDI-në, ndërkaq edhe pati hyrje-dalje të partive tjera shqiptare. Mandatari i formimit të Qeverisë Zoran Zaev dha dorëheqje nga posti i kryeministrit pas humbjes së LSDM-së në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Portalb.mk

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2024

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare u mbajtën së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve të shtata presidenciale. Në këto zgjedhje garuan 17 lista për deputetë.

Interesante këto zgjedhje ishte se partitë politike shqiptare ishin të ndara në dy koalicione, Fronti Evropian dhe Lidhja Evropiane për Ndryshim (VLEN).

  • Fronti Evropian përbëhet nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare, Aleanca për Shqiptarët (Ziadin Sela), Lëvizja Populli, Partia Demokratike Evropiane, Partia Demokratike Turke Unioni i Romëve, Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Unioni Demokratik Boshnjak.
  • Lidhja Evropiane për Ndryshim (VLEN) përbëhet nga Lëvizja Besa, Alternativa, Aleanca për Shqiptarët (Arben Taravari), Lëvizja Demokratike, Lëvizja Vetëvendosje.

Në kampin maqedonas, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut (LSDM) udhëheq koalicionin “Për Ardhmëri Evropiane”, VMRO-DPMNE- ja udhëheq me koalicionin “Maqedonia jote”, ndërsa si parti që pritej të marrin deputetë janë partia E Majta (Levica) si dhe partia ZNAM.

Sipas 99.27% të votave të përpunuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, paritë fituan kaq deputetë:

  • VMRO-DPMNE dhe koalicioni – 58;
  • Fronti Evropian – 19;
  • LSDM dhe koalicioni – 18;
  • VLEN – 13;
  • E Majta – 6;
  • ZNAM – 6.

Megjithatë, pritet verifikimi përfundimtar nga KSHZ-ja.

Zgjedhje parlamentare RMV 2024Zgjedhje parlamentare/lokale