Pas deklaratës së djeshme të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni se në shkollën e policisë ka pasur interesim të ulët të kandidatëve shqiptar, ka reaguar sot Bashkimi Demokratik për Integrim. Partia opozitare pretendon se, të dhënat dhe listat e kandidatëve e demaskojnë deklaratën e Isenit dhe VLEN-it se shqiptarët nuk kanë pasur interesim apo nuk kanë konkurruar për pranim në shkollën e mesme të policisë, transmeton Portalb.mk.
Sipas tyre, 105 kandidatë shqiptarë kanë aplikuar dhe i kanë plotësuar kushtet për pranim, por nuk janë pranuar.
“Kjo e rrëzon përfundimisht arsyetimin e Astrit Isenit, i cili për të mbrojtur një vendim që dëmton rëndë përfaqësimin e shqiptarëve, ka zgjedhur të manipulojë opinionin publik me të pavërteta. Astrit Iseni doli publikisht në mbrojtje të vendimit skandaloz, përmes të cilit nga 310 kandidatë të pranuar, vetëm një numër minimal janë shqiptarë. Për ta arsyetuar këtë përjashtim, ai u përpoq të manipulojë opinionin me pretendimin se shqiptarët nuk kanë aplikuar ose nuk kanë pasur interesim të mjaftueshëm, duke paraqitur shifra që nuk përputhen me realitetin dhe me listat e kandidatëve që kanë aplikuar dhe i kanë plotësuar kushtet”, thuhet në reagim.
BDI ka publikuar edhe një listë me emrat e kandidatëve që kanë aplikuar dhe sipas tyre, i kanë plotësuar kushtet për pranim, por janë lënë jashtë.
“BDI kërkon përgjigje të qartë: pse 105 kandidatë shqiptarë që i plotësuan kushtet nuk u pranuan dhe pse nga 310 të pranuar shqiptarët përfaqësohen në mënyrë kaq të papërfillshme? Astrit Iseni dhe VLEN-i mund të vazhdojnë me gënjeshtra, por listat dhe faktet janë para opinionit. Shqiptarët nuk po përjashtohen sepse nuk konkurrojnë; shqiptarët po përjashtohen dhe pastaj përjashtimi i tyre po mbrohet me gënjeshtra”, kanë shtuar më tej nga partia opozitare.
Kujtojmë se, më 27 gusht, u publikua lista përfundimtare e 310 nxënësve të pranuar në Shkollën e Mesme të Policisë “7 Maji”. Nga lista e publikuar nga analizimi i emrave të 310 të pranuarve, numri i kandidatëve që mund të identifikohen si shqiptarë rezulton të jetë vetëm 9.. Pas reagimeve të opozitës shqiptare, zëvendësministri i Brendshëm, Astrit Iseni doli me një sqarim të publikuar në profilin e tij në Facebook, ku tha se, interesimi i shqiptarëve për t’u paraqitur në këtë konkurs ka qenë i ulët, ndërsa edhe nga ata që kanë aplikuar, një numër nuk janë paraqitur në fazën e testimit, duke u tërhequr faktikisht nga gara.
- LEXO: Iseni: Interesimi i shqiptarëve për Shkollën e Policisë ishte i ulët
- LEXO: Numri i ulët i shqiptarëve të pranuar në Shkollën e Policisë në Shkup ngjalli reagimet e partive
- LEXO: U publikua lista e nxënësve të pranuar në Shkollën e Mesme të Policisë në Shkup, nga 310 gjithsej, vetëm 6 janë shqiptarë