BDI i përgjigjet “VLEN”-it: Partia u reformua me ikjen e Izet Mexhitit

Kanë vazhduar përplasjet mes partive politike shqiptare sa i pëket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Koalicioni VLEN ka porositur sot liderin e BDI-së Ali Ahmet që, në vend që t’i inkurajojë ish-funksionarët e frikësuar me kërkesa të rreme për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale, të fokusohet në reforma të brendshme kadrovike dhe programore, transmeton Portalb.mk.

Nga BDI janë përgjigjur se, partia u reformua me ikjen Izet Mexhiti të cilin BDI e quan “kryebos të krimit urban dhe shërbëtor të industrisë së bixhozit”.

“Ata që sulmojnë BDI-në me komunikata të shkruara nga pronarët e tyre VMRO DPMNE dhe të përkthyera në shqip, duhet të kuptojnë se përpjekjet e tyre janë të destinuara të dështojnë përballë vendosmërisë sonë për integritet dhe progres. Ata që duhet të bartin përgjegjësi janë në kuadër të Qeverisë, i keni në krah të djathtë, dhe ju i “reformuat” nga kriminel në xhentëllmen.  Të gjithë ata u zotuan publikisht në muajin maj që po që se humbasin një votë më pak, do të dorëhiqen nga partitë e tyre, por nuk e mbajtën fjalën”, kanë reaguar nga BDI.

Nga koalicioni VLEN kanë reaguar ndaj kësaj kumtese, duke thënë se, me këtë retorikë të shtirur, BDI-ja konfirmoi se kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare shërben vetëm për të fshehur frikën nga përgjegjësia gjyqësore për krimin.

“BDI-ja do të donte që, në vend të përgjegjësisë për vjedhjen, të vazhdojë sërish një fushatë zgjedhore. Kjo nuk do të ndodhë. Tani asgjë nuk varet dhe nuk vendoset nga BDI-ja.
BDI-ja ende nuk e ka kuptuar se për njerëzit e saj kryesorë nuk ka më vend as në skenën politike vendore, as në atë ndërkombëtare. Do ta kuptojnë, por deri atëherë, ajo që ka mbetur nga BDI-ja do të shkatërrohet edhe më tej. BDI-ja po lëviz drejt një kolapsi të pashmangshëm politik në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke zgjedhur të paraqitet me udhëheqjen e korruptuar dhe të kompromentuar që është mishërim i keqpërdorimit dhe interesave personale. Me figura si Sadulla Duraku, Talat Xhaferi, Musa Xhaferi, Pucko Petrol dhe Blerim Bexheti, të cilët janë të përfshirë thellë në marrëveshje dhe afera të dyshimta, dhe disa prej tyre janë në listën e zezë të SHBA-ve, BDI-ja tregon arrogancën e saj të plotë, mungesën e kontaktit me realitetin, por mbi të gjitha paturpësinë përballë qytetarëve”, kanë thënë nga VLEN.

Ndërkaq, kryeministri Hristijan Mickoski dje i bëri thirrje BDI-së që të përgatitet për përgjegjësi dhe për zgjedhje, siç tha ai, kur të vijë koha. Ai thekson se qeveria e re ka një mandat katërvjeçar të mbështetur me mbi 600 mijë vota dhe se tani është koha për të realizuar atë që ishte premtuar para zgjedhjeve, si lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)VLEN koalicioniZgjedhje presidenciale