Baltiku dhe Ballkani, qendra të reja për furnizimin me gaz të Evropës Qendrore

Vendimi i Kievit për ta ndalur tranzitimin e gazit rus përmes territorit ukrainas ka shkaktuar një fazë të re në riformësimin e politikës së gazit në Evropën Qendrore, e cila filloi me pushtimin rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, thuhet në një analizë të Fondacionit francez “Robert Schuman të titulluar “Midis Baltikut dhe Ballkanit, gjeopolitika e re e gazit”, raporton Telma, transmeton Portalb.mk.

“Rusia ndaloi eksportin e gazit përmes gazpërçuesit “Nord Stream” dhe përmes Bjellorusisë në verën e vitit 2022, ndërsa rrjedha përmes Ukrainës u zvogëlua ndjeshëm përpara se të ndalonte plotësisht nga 1 janari i vitit 2025, duke e lënë tubacionin “Turk Stream” të vetmin që furnizon vendet evropiane me gaz rus në rrugë tokësore”, theksohet në tekst.

Analiza thekson se kjo krizë e gazit, e cila ka filluar në vitin 2022, e ka goditur posaçërisht Evropën Qendrore, ku gazi luan një rol të rëndësishëm, sidomos për ngrohjen dhe funksionimin e sektorit të prodhimit.

“Prodhimi i gazit është rritur pak në Hungari, Poloni dhe, mbi të gjitha, Rumani, por sasitë e fituara atje japin vetëm një kontribut modest në sigurinë energjetike të rajonit. Përveç kësaj, disa vende të Evropës Qendrore kanë pasur të ardhura nga tarifat e tranzitit të gazit tashmë për disa dekada. Shumica e tyre janë pa dalje në det ose kanë vija të vogla bregdetare. Të gjithë këta faktorë e bëjnë Evropën Qendrore një rajon unik,” shtohet në tekst.

Sipas autorëve të analizës realiteti i ri në furnizimin me gaz rezulton jo vetëm në një reduktim të fluksit të energjisë nga Rusia, por edhe në intensifikimin e lidhjes veri-jug dhe një rritje të ndërvarësisë së vendeve të rajonit, si dhe të varësisë nga disa shtete anëtare të BE-së.

Siç thuhet në tekst dëshmi për këtë është terminali i gazit të lëngshëm natyror (LNG) në qytetin lituanez Klaipeda, i cili ishte kyç për reduktimin e varësisë energjetike të Lituanisë nga Rusia dhe që tani luan një rol të rëndësishëm në furnizimin me gaz të Evropës Qendrore.

“Janë ndërtuar disa gazpërçues, duke rritur ndërveprimin midis vendeve në rajon. Rajoni tani ka një rrjet terminalesh dhe gazpërçuesish që ka rritur sigurinë e furnizimit me këtë energjens pas ndërprerjes së furnizimit me gaz rus”, thuhet në analizë.

Më tej shtohet se pas ndërprerjes së rrjedhës së gazit rus, Gjermania dhe Polonia kanë fituar rëndësi si “porta për gaz” nga Shtetet e Bashkuara, Lindja e Mesme dhe Norvegjia.

“Gjermania hapi terminalet e saj të parë për LNG si rezultat i krizës energjetike në vitin 2022. Kapaciteti i importit pritet të dyfishohet deri në vitin 2028, ndërsa autoritetet gjermane po llogarisin gjashtë terminale në terma afatgjatë, përveç kapacitetit të konsiderueshëm të magazinimit dhe lidhjeve me terminalet LNG në Belgjikë dhe Holandë. Së bashku, këto kapacitete do ta përmirësojnë ndjeshëm rolin e Gjermanisë në sigurinë energjetike të Evropës Qendrore”, thekson analiza.

Kur bëhet fjalë për Poloninë, ajo është lidhur me Norvegjinë me një gazpërçues që nga viti 2022, ndërsa përmes terminalit LNG në Shvinoushçe, i cili u hap në vitin 2016, furnizohet nga furnizues të ndryshëm, duke e bërë atë plotësisht të pavarur nga furnizimet me gaz rus dhe duke u shndërruar në një qendër kryesore të furnizimit me energjensa për Evropën Qendrore.

“Për momentin janë duke u shqyrtuar planet për ndërtimin e një terminali të ri në Gjirin e Gdanjskut. Një objekt i tillë do të forcojë më tej rolin e bregdetit Balltik. Roli i Polonisë si qendër për furnizimin me energji të rajonit do të forcohet duke e lidhur atë me një gazpërçues me Republikën Çeke”, thonë autorët e analizës.

Nga ana tjetër, përveç veriut, gazi në Evropën Qendrore vjen edhe nga jugu, përmes Turqisë dhe Ballkanit, nga burime në Azerbajxhan dhe Kazakistan, gjë që e bën veçanërisht të rëndësishme Rumaninë, e cila njëherit është edhe vendi i vetëm në këtë pjesë të kontinentit me rezerva të konsiderueshme të gazit. Në këtë mënyrë Rumania mund të bëhet gjithashtu një qendër për lidhjen e terminaleve të gazit të Azerbajxhanit dhe Greqisë nga njëra anë dhe Moldavisë dhe Ukrainës, nëpërmjet “Gazpërçuesit Trans-Ballkanik”, nga ana tjetër.

“I ndërtuar gjatë periudhës sovjetike për ta furnizuar Evropën juglindore me gaz rus, “Gazspërçuesi Trans-Ballkanik” tani mund të funksionojë në drejtim të kundërt, duke furnizuar Bullgarinë dhe Ukrainën”, thuhet në tekst.

Por gazi ka nxitur rivalitete të vjetra në rajon, kështuqë, sipas autorëve të tekstit, Turqia dhe Greqia tani janë në garë për të parë se cila prej tyre do të jetë “porta” përmes së cilës do të transportohet gazi drejt Bullgarisë dhe prej andej drejt Rumanisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit.

Analiza vë në dukje se Greqia ka një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në furnizimin me gaz të Evropës Qendrore, veçanërisht pas lidhjes së saj me Evropën Qendrore përmes interkoneksionit greko-bullgar të gazit IGB dhe terminalit në Aleksandropoli.

“Qëllimi i nismës së Korridorit Vertikal të Gazit, i mbështetur nga Greqia, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Sllovakia, Moldavia dhe Ukraina, është të furnizohet një pjesë e madhe e Evropës Qendrore përmes terminaleve greke dhe “Gazpërçuesit të Evropës Jugore”. Integrimi rajonal është forcuar edhe përmes marrëveshjes “Unaza e Solidaritetit” (STRING), rreth së cilës disa operatorë nga rajoni bashkuan forcat në vitin 2023 për të lehtësuar transportin e gazit nga Azerbajxhani”, thuhet në tekst.

Analiza thekson gjithashtu se në mungesë të sanksioneve ndaj gazit rus, Ballkani mbetet një treg i rëndësishëm për gjigantin rus të energjisë Gazprom.

“Në fund të vitit 2022 Rusia po siguronte 95 përqind të nevojave të Serbisë për gaz (dhe 25 përqind të nevojave të saj për naftë). Serbia megjithatë po e zvogëlon varësinë e saj nga Rusia. Pavarësisht retorikës së saj pro-ruse ajo po ndjek një politikë diversifikimi përmes disa projekteve me fqinjët e saj për ta kompensuar mungesën bregdetit në të cilin mund të ndërtojë një terminal LNG. Duke pasur vetëm një magazinë të madhe (në Banatski Dvor), aksionari kryesor i të cilit është Gazpromi, vendi arriti një marrëveshje me Hungarinë dhe Bullgarinë për përdorimin e kapaciteteve të tyre magazinuese”, thuhet në analizë.

Më tej theksohet se kompania serbe “Srbijagas” tashmë ka siguruar lidhjen nëpërmjet Bullgarisë me terminalin grek të LNG në Aleksandropol, përmes interkonektorit “Nish-Dimitrovgrad”.

Lidhjet e Malit të Zi mund të forcohen gjithashtu me ndërtimin e planifikuar të një terminali lundrues LNG në portin e Tivarit në vitin 2025 me ndihmën e kapitalit amerikan.

Sa i përket Kroacisë, terminali i saj i gazit në ishullin Kërk, i cili ishte i pashfrytëzuar mjaftueshëm deri në vitin 2022, ka përfitim direkt nga reduktimet e furnizimeve të gazit rus dhe tani po funksionon me kapacitet të shtuar, ndërsa vendi po planifikon gjithashtu të lidhet me “Gazpërçuesin e Evropës Jugore” me ndërtimin e “Gazpërçuesit Jon-Adriatik” nga qyteti shqiptar i Fierit, përmes Malit të Zi deri në Split.

“Të gjitha këto iniciativa e konsolidojnë rolin e bregdetit të Mesdheut si një portë gazi për Ballkanin dhe jugun e Evropës Qendrore dhe janë një homolog i projekteve të ngjashme përgjatë bregdetit Balltik. Investimet e bëra në zhvillimin e terminaleve LNG dhe zgjerimi i rrjetit të gazpërçimit në Evropën Qendrore kanë kontribuar në forcimin e ndërvarësisë së vendeve në këtë pjesë të kontinentit, por në rritjen e rolit të lojtarëve jashtë rajonit, si Shtetet e Bashkuara dhe Azerbajxhani”, thekson analiza.

Ballkani PerëndimorEvropaGazi natyrorGazifikimLufta në UkrainëRusiaUkraina