Forcat ukrainase e kanë goditur një rafineri nafte në rajonin e Rjazanit në Rusi, thanë zyrtarët rusë të enjten, disa orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se Ukraina do t’i rifillonte sulmet ndaj objekteve energjetike ruse dhe shprehu zemërimin ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për ta ndërprerë ndarjen e të dhënave satelitore, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Duke e sfiduar “armëpushimin energjetik”, të shpallur në mënyrë të njëanshme javën e kaluar nga presidenti amerikan, Donald Trump, Zelensky i tha gazetës Financial Times në një intervistë të publikuar të enjten se “i erdhi fundi” pezullimit të sulmeve ndaj objekteve të naftës në Rusi.
Disa orë më vonë, guvernatori i Rjazanit, Pavel Malkov, shkroi në Telegram se “rajoni ynë po përballet me një sulm masiv me dronë”, duke shtuar se “në rafinerinë e naftës shpërtheu një zjarr”.
Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se Ukraina kishte tentuar një sulm masiv ndaj rafinerisë së naftës në Rjazan, duke shtuar se mbetjet e dronëve të rrëzuar kishin shkaktuar zjarr në objekt.
Ushtria ukrainase nuk e ka komentuar sulmin, i cili do të ishte i pari nga Kievi qëkurse Trump shpalli armëpushimin më 11 tetor.
Rafineria e Rjazanit, në pronësi të kompanisë Rosneft, është shënjestruar disa herë nga dronët muajt e fundit dhe përbën gati 5 për qind të kapacitetit të përgjithshëm të Rusisë për përpunimin e naftës.
Asnjëra nga palët ndërluftuese nuk e konfirmoi zyrtarisht pranimin e armëpushimit të shpallur nga Trump. Ndërsa Ukraina i pezulloi sulmet ndaj rafinerive ruse për tri ditë, Rusia vazhdoi të godiste objektet energjetike dhe infrastruktura të tjetra të Ukrainës.
“Bllokimi [i sulmeve ndaj rafinerive] ka skaduar. Mjaft më”, tha Zelensky për Financial Times.
Zelensky kishte deklaruar se Ukraina ishte e gatshme t’i ndalte sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës nëse Moska do të kishte pranuar t’i ndalte goditjet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase.
Toni i ashpër i presidentit ukrainas vazhdoi edhe kur foli për krizën e fundit, të shkaktuar nga ndërprerja e furnizimit të Kievit me të dhëna të inteligjencës amerikane.
Zelensky shtoi se ndërprerja i ishte paraqitur Kievit si një defekt teknik, shpjegim të cilin ai e hodhi poshtë. Ai e cilësoi “të rrezikshme” ndërprerjen e funksionimit të Starshield, versionit ushtarak të sistemit të komunikimit satelitor, Starlink.
Trysni e shtuar ndaj Pentagonit
Pentagoni po përballet me trysni të shtuar për të shpjeguar kufizimet e raportuara në komunikimet satelitore të përdorura nga ushtria ukrainase. Senatori republikan, Thom Tillis, kërkoi një hetim nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Mbrojtjes, duke paralajmëruar se civilët ukrainas dhe personeli amerikan mund të jenë vënë në rrezik të panevojshëm.
Tillis tha të mërkurën se do t’i kërkonte inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Mbrojtjes të hetonte atë që ai e përshkroi si një ndërprerje potencialisht të rrezikshme që përfshinte Starshield, sistem që kontrollohet nga Qeveria amerikane.
“Raportimet e fundit sugjerojnë se kjo ngatërresë strategjike mund të ketë ndodhur në një nivel më lokal, brenda sistemeve Starshield të Departamentit të Mbrojtjes, dhe jo te Starlink apo SpaceX”, shkroi Tillis në rrjetet sociale.
Ai tha se civilët ukrainas, si dhe personeli diplomatik dhe i sigurisë i SHBA-së, ishin vënë në rrezik të panevojshëm, pa paralajmërim paraprak.
“Në rastin më të mirë, ky ishte një gabim ose lëshim i papranueshëm; në rastin më të keq, një vendim i qëllimshëm për t’ia hapur rrugën një sulmi rus”, shtoi Tillis.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga burime në Kongres se një grup ligjvënësish përmes një letre do t’i kërkojë inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Mbrojtjes të hetojë këtë incident. Pritet që letra të dërgohet në ditët në vijim.
Kërkesa për hetim vjen në kohën kur po shtohen shqetësimet dypartiake lidhur me raportimet se kufizimet e lidhjes satelitore kanë penguar operacionet ushtarake ukrainase.
Disa kanë spekuluar gjithashtu se kjo mund të jetë një përpjekje e administratës amerikane për t’i bërë trysni Kievit që të përmbahet nga sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se kush i autorizoi kufizimet, nëse ato prekën shërbimin komercial Starlink apo sistemin Starshield dhe nëse Uashingtoni e kufizoi gjithashtu mbështetjen me të dhëna të inteligjencës për Kievin.
Portali Axios, duke cituar burime, raportoi se Shtëpia e Bardhë i kishte thënë Ukrainës se nuk e kontrollon kompaninë SpaceX të Elon Muskut, e cila zotëron Starlink-un.
Musk shkroi në rrjetin X se “sistemet Starshield janë në pronësi dhe nën kontrollin e qeverisë amerikane. Çdo kufizim i shpejtësisë ose përdorimit vendoset nga ushtria amerikane dhe, në fund të fundit, nga presidenti i SHBA-së”.
Dan Rice, president i Universitetit Amerikan të Kievit dhe ish-këshilltar i posaçëm i komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, paralajmëroi se kufizimet mund të kenë pasoja të rënda nëse i pengojnë forcat ukrainase t’i drejtojnë dronët mbrojtës kundër dronëve rusë sulmues.
Ai paralajmëroi se, nëse problemet me lidhjen satelitore i pengojnë dronët mbrojtjes me shpejtësi të lartë të arrijnë shënjestrat e tyre, dronët rusë mund të godasin vende ku ndodhen civilë, duke vrarë gra, fëmijë dhe persona të tjerë që nuk marrin pjesë në luftime.
Rice theksoi për Radion Evropa e Lirë gjithashtu se forcat ruse kishin shënjestruar universitete, shkolla dhe spitale për fëmijë.
Mark Montgomery, kundëradmiral në pension, drejtor i lartë i Qendrës për Inovacion në Siguri Kibernetike dhe Teknologji dhe studiues i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, i tha Radios Evropa e Lirë se kufizimet e raportuara kishin dëmtuar aftësinë e Ukrainës për të kontrolluar sulmet me dronë me rreze të mesme veprimi kundër rrugëve ruse të furnizimit dhe objekteve të komandimit e kontrollit që mbështesin forcat e Moskës në territoret e pushtuara të Ukrainës.
Ndërkohë, Moska vazhdoi sulmet ndaj Ukrainës më 15 tetor, një ditë pasi sulmet ruse me raketa dhe dronë goditën infrastrukturën civile dhe energjetike në mbarë vendin, duke vrarë të paktën nëntë persona dhe duke lënë qindra mijëra të tjerë pa energji elektrike.
Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan në mëngjesin e së enjtes se Rusia kishte lëshuar gjatë natës 580 dronë dhe dy raketa të tipit Kh-59 drejt Ukrainës, duke shtuar se sulmi ishte ende në vazhdim.