Tirana pas tri ditëve protestë, dëme, përplasje dhe dhjetëra të lënduar

Tirana sot është zgjuar mes dëmtimeve të lëna pas nga mbrëmja e kaluar, studentëve dhe gjimnazistëve që kanë bojkotuar mësimin dhe janë nisur drejt Ministrisë së Arsimit, transmeton Faktoje.al.

Tirana nuk duket më njësoj si përpara 13 tetorit. Semaforë të thyer, kosha mbeturinash të djegur, tabela reklamash të shkatërruara dhe xhama institucionesh e biznesesh të dëmtuara kanë ndryshuar pamjen e rrugëve të kryeqytetit. Në disa akse, koshat e mbeturinave janë zhvendosur në mes të rrugës, ndërsa dëmtimi i sinjalistikës ka vijuar edhe gjatë protestës së sotme.

Për të tretën ditë radhazi, Tirana u përfshi nga protesta, përplasje me policinë dhe re të dendura gazi lotsjellës. Në rrugët e kryeqytetit, grupe të rinjsh vraponin drejt institucioneve dhe pikave të ndryshme të qytetit, për t’u tërhequr pak më vonë me vrap, kur ndërhynte policia ose përdorte gaz lotsjellës.

Pamja më e zakonshme e turmës ishte ajo e të rinjve me çanta shkolle, veshje sportive, kapuçë dhe atlete. Mes protestuesve kishte shumë nxënës gjimnazesh, të cilët kishin lënë mësimin për t’iu bashkuar protestës.

Një pjesë e tyre nuk pranonin të identifikoheshin apo të flisnin për mediat. Disa shpjegonin se familjarët nuk e dinin që ndodheshin në protestë, të tjerë se kishin bojkotuar mësimin, ndërsa disa shpreheshin të shqetësuar nga mundësia e ndalimit prej policisë.

Shumë të rinj mbanin fytyrat e mbuluara me maska, syze ose kapuçë. Në disa raste, protestuesit e maskuar u kërkonin gazetarëve dhe qytetarëve të mos i filmonin.

Por pas kësaj pamjeje të një proteste të dominuar nga të rinjtë, qëndron sipas rrëfimeve të tyre një pakënaqësi politike dhe shoqërore që nuk ka nisur më 13 tetor.

Nga 31 maji te 15 tetori: një protestë që ndryshoi përmasa

Më 15 tetor do të shënohej dita e 138-të e protestave të nisura më 31 maj, të cilat prej muajsh kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e elitës së vjetër politike.

Protesta e shpallur për 13 tetorin si një tubim kombëtar studentor, përpara Ministrisë së Arsimit, i dha një tjetër përmasë kësaj lëvizjeje.

Pakënaqësitë për kushtet në universitete, koston e arsimit, mundësitë e kufizuara ekonomike, meritokracinë dhe perspektivën e të rinjve u bashkuan me kërkesat më të gjera politike.

Në rrugë, kërkesa që dëgjohej më shpesh ishte dorëheqja e kryeministrit.

Jo vetëm kushte

Për një pjesë të protestuesve, çështja nuk kufizohej më te universitetet. Pakënaqësitë ndaj sistemit arsimor ishin vetëm një pjesë e problemeve që, sipas tyre, i kishin shtyrë të dilnin në rrugë.

Krahas studentëve dhe gjimnazistëve, në protestë kishte edhe qytetarë më të moshuar, gjyshër, pedagogë dhe profesionistë. Jo të gjithë merrnin pjesë në përplasje. Disa ndiqnin marshimin, të tjerë qëndronin në sheshe ose pranë institucioneve, ndërsa grupe më të vogla përfshiheshin në dëmtimin e pronës dhe përballjet me policinë.

Një qytet ku turma lëvizte nga një institucion te tjetri

Gjatë 15 tetorit, protestuesit lëvizën në disa drejtime: nga zona e Parlamentit drejt Ministrisë së Arsimit, në sheshin qendror, pranë Kryeministrisë dhe në rrugë të tjera të Tiranës.

Në disa prej këtyre pikave, përplasjet me policinë u përsëritën. Gurë dhe sende të forta u hodhën drejt forcave të rendit dhe institucioneve, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe ujëhedhës për të shpërndarë turmat.

Shtëllungat e bardha të gazit u shfaqën vazhdimisht mbi rrugët e kryeqytetit.

Në disa raste, grupe të rinjsh vraponin drejt një pike ku kishte nisur një përplasje, godisnin objekte ose ndërtesa dhe më pas largoheshin me shpejtësi. Të tjerë tërhiqeshin për t’i shpëtuar gazit lotsjellës.

Përplasje pati edhe pranë selisë së Partisë Socialiste, ku protestuesit u konfrontuan me policinë, por godina nuk u dëmtua.

Në turmë dëgjoheshin diskutime për goditjen e institucioneve, bankave, pikave të karburantit dhe bizneseve që protestuesit i konsideronin të lidhura me oligarkët.

Dëmtimet nuk prekën vetëm institucionet shtetërore. Në disa rrugë u thyen xhamat e bizneseve, u dëmtuan kioska dhe u dogjën objekte në hapësirat publike.

Një punonjës byrektoreje, i pyetur për ndikimin e protestës te bizneset, tha se nuk ndihej i shqetësuar nga situata. Përkundrazi, sipas tij, kishte pasur më shumë punë, pasi njerëzit e lodhur nga orët e gjata të protestës ndalonin për të ngrënë.

Të miturit në protestë, shqetësimi i institucioneve

Pjesëmarrja e madhe e gjimnazistëve u bë një nga temat kryesore të deklaratave të Policisë së Shtetit më 15 tetor.

Policia u bëri thirrje prindërve të interesoheshin për vendndodhjen e fëmijëve që mungonin në shkollë dhe paralajmëroi për rrezikun e përfshirjes së të miturve në përplasje.

Autoritetet ngritën gjithashtu dyshime se të mitur mund të jenë përdorur në vijën e parë të përballjeve për qëllime të caktuara.

Bilanci i përplasjeve

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit për protestën e 14 tetorit, u arrestuan 55 persona, mes tyre dy të mitur të moshave 15 dhe 17 vjeç, ndërsa 98 të tjerë u proceduan penalisht.

Policia raportoi dëmtimin e 51 efektivëve gjatë asaj dite, si dhe dëme në ndërtesa shtetërore, banka, biznese, automjete, bankomate, kamera sigurie dhe sinjalistikë rrugore.

Në një deklaratë të mëvonshme, drejtori i Policisë raportoi 71 efektivë të plagosur gjatë protestave të ditëve të fundit.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se gjatë protestës së 14 tetorit kishin marrë kujdes mjekësor 89 persona në Spitalin e Traumës dhe QSUT.

Ndërsa deri në orën 16:15 të 15 tetorit, në Spitalin e Traumës ishin paraqitur 14 persona të lënduar, sipas Ministrisë, përfshirë tetë efektivë policie, katër protestues dhe dy të mitur. Një tjetër efektiv ishte trajtuar në QSUT.

Kronologjia e zhvillimeve sot

Tirana sot u zgjua mes dëmtimeve të lëna pas nga mbrëmja e kaluar, studentëve dhe gjimnazistëve që kanë bojkotuar mësimin dhe janë nisur drejt Ministrisë së Arsimit.

14:50 – Sulmohet banka e nivelit të dytë te 9-katëshet

Protestuesit kanë sulmuar me mjete të forta një bankë të nivelit të dytë në zonën e 9-katësheve në Tiranë, duke thyer xhamat e godinës dhe duke dëmtuar bankomatin.

Gjatë incidenteve banka u godit me mjete metalike. Po ashtu, protestuesit i kanë vënë zjarrin një infopoint-i që ndodhej pranë saj.

Ngjarja vjen pas përplasjeve të forta të shënuara më herët gjatë protestës në Tiranë, në zonën e Ministrisë së Arsimit, pranë Parlamentit dhe selisë së Partisë Socialiste.

13:45 – Policia, sërish apel prindërve: Fëmijët po përdoren si mburojë

Policia e Shtetit ka nxjerrë një deklaratë të dytë zyrtare lidhur me pjesëmarrjen e të miturve në protestat e dhunshme, duke shprehur shqetësimin e thellë se fëmijët po përdoren në vijën e parë të përplasjeve si mburojë.

Autoritetet u kanë bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të interesohen me urgjencë për vendndodhjen e fëmijëve të tyre dhe të mos lejojnë ekspozimin e tyre ndaj gazeve lotsjellëse, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta.

“Dijeni ku janë fëmijët tuaj! Mos lejoni që ata të ekspozohen ndaj dhunës dhe situatave që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre. Nëse fëmija juaj mungon në shkollë, interesohuni ku ndodhet. Asnjë fëmijë nuk duhet të gjendet mes gurëve, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës”, – thuhet mes të tjerash në njoftimin zyrtar.

Protestat në Tiranë, Shqipëri. Foto: Faktoje

13:10 – Protestat ndezin edhe rrethet

Protestat e të rinjve janë shtrirë sot përtej Tiranës, me bojkot të mësimit, marshime në rrugët e qyteteve dhe thirrje solidariteti me studentët.

Kërkesat lidhen me pakënaqësitë për arsimin, kostot e studimit dhe jetesës, si dhe me kundërshtimin ndaj qeverisë.

Ndërsa në Vlorë dhe në disa momente në Durrës, marshimet janë raportuar si paqësore, në Korçë, Shkodër, Elbasan dhe Divjakë janë raportuar edhe incidente ose tensione mes të rinjve dhe forcave të policisë.

12:00 – Përplasje te Kuvendi, hidhet gaz lotsjellës

Grupe të ndryshme të rinjsh protestues, kanë sulmuar me gurë godinën e Kuvendit të Shqipërisë Policia ka ndërhyrë menjëherë duke përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

E gjithë zona është e rrethuar nga policia, ndërsa rruga është boshatisur menjëherë pas hedhjes së gazit lotsjellës. Ndërkohë, dhjetëra protestues janë vendosur para Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

11:50 – Apeli i policisë për nxënësit dhe prindërit

Në një reagim të radhës, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje nxënësve dhe prindërve të distancohen nga aktet e dhunshme dhe të shmangin përfshirjen në situata që rrezikojnë jetën dhe shëndetin.

Përmes një apeli publik, policia u kërkon nxënësve të largohen menjëherë nga vendet ku ushtrohet dhunë, ndërsa prindërve u bën thirrje të kujdesen për fëmijët e tyre dhe t’i këshillojnë të qëndrojnë larg situatave të rrezikshme. Sipas policisë, efektivët janë në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

11:14 – Arrestohen 55 persona, 98 nën hetim

Policia ka arrestuar 55 persona dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 98 të tjerë pas akteve të dhunës dhe dëmtimeve të shkaktuara gjatë protestës së 14 tetorit në kryeqytet.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë përplasjeve janë dëmtuar 51 punonjës policie, ndërsa janë goditur institucione shtetërore, banka, biznese dhe automjete.

Sipas policisë, gjatë tubimit para Ministrisë së Arsimit dhe më pas në akse të ndryshme të Tiranës, grupe protestuesish kanë hedhur gurë, sende të forta, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të efektivëve dhe godinave.

Dëmtime janë raportuar në ambientet e Ministrisë së Arsimit, banka, institucione financiare dhe biznese private, si dhe në bankomate, kamera, semaforë, sinjalistikë rrugore dhe kangjella rrethuese.

Gjatë protestës është dëmtuar godina e Komisariatit të Policisë Nr. 2, është djegur një automjet policie dhe janë dëmtuar tre automjete të parkuara.

10:30 – Bilanci i të plagosurve, 89 persona

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar bilancin e personave që kanë marrë kujdes mjekësor pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, ku u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe Policisë.

Sipas informacionit nga Spitali Universitar i Traumës dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, gjatë protestës së djeshme kanë marrë kujdes shëndetësor gjithsej 89 persona, nga të cilët 61 efektivë të Policisë dhe 18 protestues në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe 10 pacientë në QSUT.

10:20 – Delegacioni i BE në Shqipëri reagon për protestën

Delegacioni i BE në Shqipëri në një reagim në “X” dënon me forcë atë që e konsideron si përshkallëzim të dhunës dhe shkatërrim të pronës publike dhe private në protestën e djeshme në Tiranë.

Delegacioni i BE thekson se dhuna s’ka vend në demokraci, duke shtuar se shqetësimet mund të adresohen vetëm përmes dialogut.

“Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune. Dhuna nuk ka vend në demokraci. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime”, thuhet në reagim.

10.15- Protesta, anulohet seanca e Kuvendit

Kuvendi njoftoi zyrtarisht se seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, e planifikuar për t’u zhvilluar sot, do te zhvillohet te enjten e 22 tetorit. Ne fakt njoftimi per anulimin e Kuvendit ishte njoftuar mes deputetesh shume me heret, duke bere qe deri ne oren 09.00 rruga rreth Kuvendit te ishte e lire. Gjithcka ndryshoi me minuta kur asaj rruge iu drejtuan te rinjte, te cilet ne mungese te seances se njoftuar permes rrjetesh sociale u drejtuan drejt Ministrise se Arsimit.

09.30- Bllokohet Tirana

Rrugë të bllokuara, semaforë të thyer, biznese të shkatërruara, mungesë urbanësh dhe qytetarët të përfshirë nga kaosi dhe stresi.
Tirana e mëngjesit të kësaj të enjteje ka qenë e paralizuar në disa nga akset kryesore të saj pas përplasjeve të mbrëmjes së të enjtes mes studentëve dhe forcave të policisë.

Stacionet e urbanëve ishin thuajse të gjithë të shkatërruara, tabakinot të thyera dhe të djegura, ndërsa bankomatet kishin dalë jashtë funksionit.

Dhunës dhe shkatërrimit nuk i kishin shpëtuar as bankat e nivelit të parë dhe të dytë, si dhe pikat e shitjes së telefonisë celulare, përgjatë rrugës nga “Myslym Shyri”, zona e “Zogut të Zi”, e deri të stacioni i trenit.

Pas një pritjeje të gjatë në stacione, pjesa më e madhe e qytetarëve largoheshin në këmbë për në destinacionet e tyre.

ProtestaShqipëria