Bajram Rexhepi: Ferati më kërcënoi me jetë pasi kemi zbardhur planin e vjedhjes së Komunës së Tetovës

Bajram Rexhepi nga BDI deklaroi se është kërcënuar me jetë përmes një mesazhi, pasi ka denoncuar atë që e cilëson si plan për keqpërdorimin e parcelës ndërtimore të zjarrfikësve në Tetovë. Ai tha se rastin e ka paraqitur në polici dhe kërkoi nga organet kompetente të ndërmarrin veprime, transmeton Portalb.mk.

Në një deklaratëpër mediat, Rexhepi tha se kërcënimet i ka marrë nga Ibraim Ferati, vëllai i autorit të studimit të fizibilitetit (Rametulla Ferati), si dhe pronar i kompanisë që po ndërton objektin plotësues të Komunës së Tetovës. Ai tha se Ferati ka lidhje biznesore me dajën e kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami.

“Pasi ne kemi zbardhur planin e vjedhjes së Komunës së Tetovës te parcela ndërtimore e Zjarrfikësve dhe sigurisht pasi kemi denoncuar gjithë këtë plan monstruoz që është duke e përgatitur Komuna, që ata be quajnë studim i fizibilitetit, unë mbrëmë kam pranuar kërcënime nga personi Ibraim Ferati, i cili është vëllai i pronarit dhe autorit të këtij planit të vjedhjes dhe njëkohësisht është edhe pronar i kompanisë që bën ndërtimin e objektit të Komunës dhe në të njëjtën kohë është edhe bashkëpronar me dajën eBilall Kasamit. Ne sot kemi denoncuar në Polici këtë kërcënim dhe dua t’ju bëj me dije të gjithë atyre që përdorin metoda të tilla mesjetare kërcënimesh, që jo vetëm që nuk mund të na kërcënojnë në mënyrë të tillë, të na frikësojnë, përkundrazi ne do të denoncojmë çdo hap që planifikon vjedhjen e pronës së tetovarëve. Unë iu bëj thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin menjëherë veprime konform ligjeve në fuqi dhe njëkohësisht i bëj thirrje Bilall Kasamit që të ndal këta mercenar sa nuk është vonë.Jam kërcënuar me jetë. Nuk do të doja të shpalos detaje, e kemi dërguar në polici. Jam kërcënuar me mesazh”, deklaroi Rexhepi.

Komuna e Tetovës planifikon ndërtimin e një kompleksi të ri administrativ-komercial në parcelën ku aktualisht ndodhet Njësia Territoriale e Zjarrfikësve, përmes modelit të partneritetit publiko-privat. Investimi parashihet të kapë vlerën prej 28,5 milionë eurosh, ndërsa sipas modelit të rekomanduar, Komuna do të kontribuojë me tokën dhe objektin ekzistues, do të marrë 15 përqind të sipërfaqes si kompensim dhe do të paguajë rreth 7,77 milionë euro për të blerë një pjesë tjetër të objektit. Pjesa prej 40 përqind do të mbetet në pronësi të investitorit privat.

Lidhje familjare, biznese dhe miliona euro të kontestuara, çfarë fshihet pas studimit për partneritetin publiko-privat për objektin e Komunës së Tetovës?

Hulumtimi i Portalb.mk, i publikuar më 23 tetor 2026, evidentoi mospërputhje prej 3,95 milionë eurosh në përllogaritjet e kostove të studimit, si dhe lidhje familjare dhe afariste ndërmjet përpiluesit të studimit, kompanive të përfshira në ndërtimin e objekteve komunale dhe personave të afërt me kryetarin Bilall Kasami. Komuna e Tetovës ka deklaruar se procedurat do të jenë transparente dhe se do të përzgjidhet oferta më e mirë për interesin publik. Këshilli Komunal më 14 tetor nuk i miratoi dy pikat që lidhen me këtë projekt, por i shtyu për shqyrtim të mëtejshëm.

Bajram RexhepiBashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Bilall KasamiKeqpërdorim i pozitës zyrtareKeqpërdorim tenderiKomuna e TetovësKorrupsion - RyshfetNepotizëm