Avokati i gjykatësit Gjoko Ristov do të përpiqet të dëshmojë se gjykatësi nuk ka asnjë lidhje me 350 mijë eurot që u gjetën të murosura në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë dhe, përmes ekspertizës financiare, do të dëshmojë se paratë i përkasin babait dhe nënës së gjykatësit, të siguruara nga shitja e një prone për fotovoltaikë me vlerë 400 mijë euro. Avokati i Ristovit, Zvonko Davidoviq, në një deklaratë për “Slloboden Peçat”, pas brifingut në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, thotë se Prokuroria po e shtrembëron tezën se paratë janë nga vreshtaria, transmeton Portalb.mk.
“Ajo që Prokuroria e hesht, por e di dhe e shtrembëron tezën se paratë janë nga vreshtaria, është se prindërit e të dyshuarit para një kohe kanë shitur pronë dhe të drejtën e ndërtimit dhe vendosjes së fotovoltaikëve; kontrata është e noterizuar, ndërsa shuma prej mbi 400.000 eurosh është derdhur në llogarinë e nënës së të dyshuarit. Ekzistojnë edhe burime të tjera të të ardhurave të babait dhe nënës së të dyshuarit, të cilat do të shpjegohen në detaje në raportin dhe mendimin e ekspertit që, për mbrojtjen, do ta përgatisë një ekspert i fushës së financave”, tha Davidoviq.
Ai pretendon se Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë dhe se vetëm “ushqen opinionin publik, mjegullon të vërtetën dhe bën konstrukte”. Si argument shtesë se paratë nuk janë të gjykatësit, ai përmend faktin se procesverbalin e kontrollit e ka nënshkruar babai i tij, Zdravko Ristov, ndërsa nga vetë Ristovi nuk është konfiskuar asnjë denar.
“Që para rreth dhjetë ditësh është kryer kontroll në shtëpinë e Gjoko Ristovit dhe në vilën e tij, dhe nuk është gjetur absolutisht asgjë”, tha Davidoviq.
Në kundërshtim me këto pretendime, prokurorja që e udhëheq rastin, Iskra Haxhi Vasileva, dje në një brifing me gazetarët tha se mbrojtja nuk e ka bindur se paratë u përkasin prindërve nga bujqësia, por shtoi se pala tjetër ka të drejtë të përpiqet ta dëshmojë këtë.
“Qëndrimi mbrojtës që u paraqit si në prokurori ashtu edhe në gjykatë nuk na bindi dhe nuk duket i besueshëm përballë asaj që ne kemi si prova, pra zhvillimeve gjatë vetë kontrollit, provave verbale dhe mënyrës se si janë gjetur dhe ruajtur paratë. Mbrojtja se paratë janë të prindërve dhe nga bujqësia nuk më bindi. Hetimi vazhdon”, sqaroi prokurorja Iskra Haxhi–Vasileva.
Prokurorja ka thënë se paratë ende nuk janë lidhur konkretisht me ndonjë ryshfet dhe nuk deshi të spekulojë për numrin e lëndëve për të cilat ekziston dyshim se gjykatësi ka qenë i përfshirë në veprime të paligjshme.
Kronologjia e ngjarjes
Më 18 janar, u realizua bastisje në shtëpinë në Negotinëtë prindërve të gjykatësit të Apelit në Shkup, Gjoko Ristov, ku në murin e kuzhinës u gjetën 350 mijë euro.
Më 20 janar, Ministria e Punëve të Brendshme ngriti kallëzim penal kundër gjykatësit të Apelit Gjoko Ristov për “përfitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë” dhe “pastrim parash dhe të ardhurash tjera nga vepra penale”.
Më 21 janar, Prokuroria Publike kërkoi arrest shtëpiak për Ristovin si dhe masa të kujdesit, konfiskimin e përkohshëm të pasaportës ose ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit.
Po të njëjtën ditë, më 21 janar, Gjykata Penale reagoi menjëherë për gjykatësin me imunitet i cili njoftoi Këshillin Gjyqësor, të cilët ia hoqën imunitetin gjykatësit.
Avokati i gjykatësit ka deklaruar se paratë janë të prindërve të Ristovit.
- LEXO: Në shtëpinë e gjykatësit të Shkupit u gjetën 350 mijë euro të fshehura në mur të cilat dyshohet se i fitoi me korrupsion
- LEXO: Prokuroria kërkoi arrest shtëpiak për gjykatësin Gjoko Ristov të cilit iu gjetën 350 mijë euro në mur, Këshilli Gjyqësor ia hoqi imunitetin
- LEXO: MPB-ja ngriti kallëzim penal kundër gjykatësit Gjoko Ristov për korrupsion dhe pastrim parash pasi u gjetën 350 mijë euro në mur
- LEXO: Avokati: 350 mijë eurot në mur nuk ishin të gjykatësit Gjoko Ristov, por të prindërve
Bastisje edhe në shtëpinë e gjykatësit
Përveç bastisjes në shtëpinë e prindërve të tij, para dy javëve është bastisur edhe banesa e Ristovit në Shkup, po nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Para një jave, ai u ka thënë kolegëve në Gjykatën e Apelit Shkup se ishte i sëmurë dhe se do të shkonte në pushim mjekësor. Që atëherë, kolegët nuk e kanë parë. Ndërkaq, telefonin mobil ka ndaluar ta përdorë që para rreth një muaji e disa ditësh.
Me çfarë lidhet bastisja?
Bastisja lidhet me rastin në të cilin ndiqet penalisht ish avokati shtetëror Fehmi Stafa, i cili ndodhet në paraburgim pasi po hetohet për marrje ryshfeti prej 50,000 eurove për të ndërmjetësuar dhe ndikuar te një gjykatës në Gjykatën e Apelit të Shkupit në lidhje me një çështje që po zhvillohej kundër klientit të tij.
Fehmi Stafa është ish-Avokat i Shtetit i Maqedonisë. Bashkëshortja e Ristovit ishte kolege e tij dhe punon në Avokaturën e Shtetit. Sipas hetimit të 14 dhjetorit, Stafa i ka dhënë ryshfet Ristovit në emër të biznesmenit të akuzuar Ljupço Pecov, i njohur si “Djalli”, i cili deri së fundmi ishte në arrati.
Gjoko Ristov, kur në shkurt 2020 u zgjodh gjykatës në Gjykatën e Apelit të Shkupit, ku trajton çështje penale në deklaratën e pasurisë personale kishte deklaruar apartament prej 70 metrash katrorë në Shkup, një automjet “Volkswagen Passat” të vjetër rreth një dekade dhe një kredi prej 1.5 milion denarësh që duhet të kthehet deri në 2038.