350 mijë eurot e gjetura i përkasin gjykatësit të dyshuar Gjoko Ristov, e jo prindërve të tij. Kështu thonë nga Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndaj pretendimeve të mbrojtjes së tij, për paratë e gjetura në murin e kuzhinës së prindërve të gjykatësit, raporton Portalb.mk.
Prokurorja që e udhëheq rastin, Iskra Haxhi-Vasileva, në një brifing me gazetarët informoi se fillimisht janë kryer tre kontrolle, ndërsa gjatë kontrollit të fundit, në një mur të mbuluar me pllaka të ndryshme, pas thyerjes së tyre, filluan të binin paratë.
Prokurorja ka sqaruar se gjatë kontrollit ishin të pranishëm anëtarë të familjes, por jo Ristovi.
Ndërkaq, nuk kishin informacion paraprak se paratë ndodheshin aty, por dyshimi kishte ardhur në bazë të njohurive operative.
“Qëndrimi mbrojtës që u paraqit si në prokurori ashtu edhe në gjykatë nuk na bindi dhe nuk duket i besueshëm përballë asaj që ne kemi si prova, pra zhvillimeve gjatë vetë kontrollit, provave verbale dhe mënyrës se si janë gjetur dhe ruajtur paratë. Mbrojtja se paratë janë të prindërve dhe nga bujqësia nuk më bindi. Hetimi vazhdon”, sqaroi prokurorja Iskra Haxhi–Vasileva.
Prokurorja ka thënë se paratë ende nuk janë lidhur konkretisht me ndonjë ryshfet dhe nuk deshi të spekulojë për numrin e lëndëve për të cilat ekziston dyshim se gjykatësi ka qenë i përfshirë në veprime të paligjshme.
Informacionet e para për këtë rast i kanë marrë para një viti, ndërsa dyshimet filluan të qartësohen me arrestimin e avokatit dhe ish-avokatit të shtetit, Fehmi Stafa, i cili, si mbrojtës i të arratisurit Ljupço Pecov – Djalli, kishte marrë 50 mijë euro për t’ia “rregulluar” çështjen dhe për të korruptuar një gjykatës apeli me qëllim zëvendësimin e paraburgimit me arrest shtëpiak. Stafa u kap me 30 mijë euro në dorë, ndërsa 20 mijë euro të tjera ishin dhënë më herët.
“Nuk po pretendojmë se paratë kanë arritur te gjykatësi. Ekziston dyshimi se aty duhej të përfundonin”, tha prokurorja.
As Stafa dhe as Ristovi nuk kanë qenë nën masa të posaçme hetimore. Ljupço Pecov – Djalli tashmë është marrë në pyetje në prokurori. Prindërit e Ristovit pritet të thirren në ditët në vijim.
Paratë, me kartëmonedha prej 500 dhe 200 eurosh, nuk ishin të deklaruara askund, ndërsa gjykatësi dyshohet edhe për larje parash.
Kronologjia e ngjarjes
Më 18 janar, u realizua bastisje në shtëpinë në Negotinëtë prindërve të gjykatësit të Apelit në Shkup, Gjoko Ristov, ku në murin e kuzhinës u gjetën 350 mijë euro.
Më 20 janar, Ministria e Punëve të Brendshme ngriti kallëzim penal kundër gjykatësit të Apelit Gjoko Ristov për “përfitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë” dhe “pastrim parash dhe të ardhurash tjera nga vepra penale”.
Më 21 janar, Prokuroria Publike kërkoi arrest shtëpiak për Ristovin si dhe masa të kujdesit, konfiskimin e përkohshëm të pasaportës ose ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit.
Po të njëjtën ditë, më 21 janar, Gjykata Penale reagoi menjëherë për gjykatësin me imunitet i cili njoftoi Këshillin Gjyqësor, të cilët ia hoqën imunitetin gjykatësit.
Avokati i gjykatësit ka deklaruar se paratë janë të prindërve të Ristovit.
- LEXO: Në shtëpinë e gjykatësit të Shkupit u gjetën 350 mijë euro të fshehura në mur të cilat dyshohet se i fitoi me korrupsion
- LEXO: Prokuroria kërkoi arrest shtëpiak për gjykatësin Gjoko Ristov të cilit iu gjetën 350 mijë euro në mur, Këshilli Gjyqësor ia hoqi imunitetin
- LEXO: MPB-ja ngriti kallëzim penal kundër gjykatësit Gjoko Ristov për korrupsion dhe pastrim parash pasi u gjetën 350 mijë euro në mur
- LEXO: Avokati: 350 mijë eurot në mur nuk ishin të gjykatësit Gjoko Ristov, por të prindërve
Bastisje edhe në shtëpinë e gjykatësit
Përveç bastisjes në shtëpinë e prindërve të tij, SDK raportoi se para dy javëve është bastisur edhe banesa e Ristovit në Shkup, po nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Para një jave, ai u ka thënë kolegëve në Gjykatën e Apelit Shkup se ishte i sëmurë dhe se do të shkonte në pushim mjekësor. Që atëherë, kolegët nuk e kanë parë. Ndërkaq, telefonin mobil ka ndaluar ta përdorë që para rreth një muaji e disa ditësh.
Me çfarë lidhet bastisja?
Bastisja lidhet me rastin në të cilin ndiqet penalisht ish avokati shtetëror Fehmi Stafa, i cili ndodhet në paraburgim pasi po hetohet për marrje ryshfeti prej 50,000 eurove për të ndërmjetësuar dhe ndikuar te një gjykatës në Gjykatën e Apelit të Shkupit në lidhje me një çështje që po zhvillohej kundër klientit të tij.
Fehmi Stafa është ish-Avokat i Shtetit i Maqedonisë. Bashkëshortja e Ristovit ishte kolege e tij dhe punon në Avokaturën e Shtetit. Sipas hetimit të 14 dhjetorit, Stafa i ka dhënë ryshfet Ristovit në emër të biznesmenit të akuzuar Ljupço Pecov, i njohur si “Djalli”, i cili deri së fundmi ishte në arrati.
Gjoko Ristov, kur në shkurt 2020 u zgjodh gjykatës në Gjykatën e Apelit të Shkupit, ku trajton çështje penale në deklaratën e pasurisë personale kishte deklaruar apartament prej 70 metrash katrorë në Shkup, një automjet “Volkswagen Passat” të vjetër rreth një dekade dhe një kredi prej 1.5 milion denarësh që duhet të kthehet deri në 2038.