Ristov u bastis para dy javëve, e ndaloi përdorimin e telefonit dhe shkoi në pushim mjekësor, institucionet nuk tregojnë ku ndodhet

Kërkimi për para të tjera me prejardhje të dyshimtë dhe prova kundër gjykatësit të Apelit të dyshuar, Gjoko Ristov, vazhdoi edhe mbrëmë, ku në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë u gjetën 350 mijë euro të fshehura në mur të dyshuara se u përfituan me korrupsion. Megjithatë, SDK ka mësuar se të ditur se bastisje në banesën e gjykatësit Ristov në Shkup është kryer edhe rreth dy javë më parë, por atëherë nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë, transmeton Portalb.mk.

Siç njofton SDK, para një jave, ai u ka thënë kolegëve në Gjykatën e Apelit Shkup se ishte i sëmurë dhe se do të shkonte në pushim mjekësor. Që atëherë, kolegët nuk e kanë parë. Ndërkaq, telefonin mobil ka ndaluar ta përdorë që para rreth një muaji e disa ditësh, pasi u hap hetimi ndaj avokatit Fehmi Stafa për ryshfet ndaj një gjykatësi në Apelin e Shkupit, përkatësisht ndaj Gjoko Ristovit.

Fehmi Stafa është ish-Avokat i Shtetit i Maqedonisë. Bashkëshortja e Ristovit ishte kolege e tij dhe punon në Avokaturën e Shtetit. Sipas hetimit të 14 dhjetorit, Stafa i ka dhënë ryshfet Ristovit në emër të biznesmenit të akuzuar Ljupço Pecov, i njohur si “Djalli”, i cili deri së fundmi ishte në arrati.

Megjithatë, Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk bëjnë të ditur vendndodhjen e gjykatësit.

Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vonë mbrëmë, u përgjigjën se “në ditët në vijim prokurori publik do të vlerësojë lidhur me masat për sigurimin e pranisë së të dyshuarit”.

Nga Prokuroria nuk njoftuan se kanë kërkuar paraburgim për gjykatësin. 

Megjithatë, sipas ligjit një gjykatësi nuk mund të dërgohet në paraburgim pa vendim të Këshillit Gjyqësor. 

Sipas procedurave, Këshilli Gjyqësor duhet urgjentisht të mbajë një seancë në të cilën do t’i shqyrtojë pretendimet e Prokurorisë dhe Policisë për gjykatësin dhe do të vendosë nëse do t’i hiqet imuniteti që e gëzon gjykatësi.  

Në Ligjin për Gjykatat (neni 65), në paragrafin 1 thuhet se gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit gjykatës gëzojnë imunitet, ndërsa në paragrafin 3 thuhet: 

“Gjykatësi nuk mund të ndalohet në paraburgim pa miratimin e Këshillit Gjyqësor, përveç nëse kapet duke kryer vepër penale për të cilën është paraparë dënim me burg prej së paku pesë vjetësh”.

Për këtë rast informoi edhe Policia Financiare dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Gjoko RistovGjykatat e Apelit RMVKeqpërdorim i pozitës zyrtareProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMV