Vizbegu i lënë pas dore: Rrugë me baltë, ujësjellës me defekte dhe errësirë

Rrugë të dëmtuara, defekte të shpeshta në rrjetin e ujësjellësit dhe mungesë e ndriçimit publik. Këto janë disa nga problemet me të cilat përballen banorët e Vizbegut. Ata u ankuan për Portalb.mk se këto probleme vazhdojnë prej vitesh dhe se pavarësisht premtimeve dhe ankesave të vazhdueshme, nuk kanë parë zgjidhje. Nga Komuna e Butelit u arsyetuann se në këtë zonë kanë ndërtuar 12 rrugë, ndërsa për ndriçimin publik premtuan ndërhyrje.

Banorët thonë se rrugët janë në gjendje të keqe, ndërsa disa prej tyre kanë mbetur të parregulluara për rreth 20 vjet.

“Shikojeni rrugën, është katastrofë. Ka 20 vjet që është në këtë gjendje dhe asnjëherë nuk është ndërmarrë asnjë masë. Gjithçka e kemi bërë vetë, aq sa kemi pasur mundësi. Jemi mbledhur me fqinjët, kemi pastruar, kemi kositur, të gjitha vetë”, thotë një banor i Vizbegut.

Ata ankohen edhe për defektet në rrjetin e ujësjellësit, pasi, sipas tyre, rrjedhjet përsëriten edhe pas riparimeve.

“Në çdo vend kanë plasur gypat dhe Ndërmarrja e Ujësjellësit nuk i bën siç duhet riparimet. Në çdo vend ku kanë punuar dhe e kanë rregulluar defektin, përsëri në të njëjtin vend del uji”, thotë një banor tjetër.

Problem për banorët mbetet edhe ndriçimi i pamjaftueshëm publik, që vështirëson lëvizjen gjatë natës.

“Kemi probleme edhe me ndriçimin, nuk kemi drita të mjaftueshme. Fëmijët kalojnë natën, kthehen nga shkolla. Në shekullin XXI ende merremi me ndriçim si para 50 vjetësh”, thotë një banor.

Banorët thonë se ndihen të lënë pas dore nga Komuna e Butelit. Sipas tyre, kryetari i komunës, Darko Kostovski, e ka vizituar vendbanimin vetëm para zgjedhjeve, kur edhe ka premtuar zgjidhjen e kwtyre problemeve, por deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë.

“Kryetari i komunës, Darko Kostovski, ka dhënë premtime sa të duash, por asgjë nuk ka bërë. Na ka lënë shumë pas dore. Para zgjedhjeve ka ardhur një herë, ka dhënë premtime. Tha se do t’i rregullonte, por nuk është askund”, thotë një banor.

Portalb.mk pyeti Komunën e Butelit për ankesat e banorëve të Vizbegut. Nga Komuna arsyetohen se në këtë vendbanim kanë ndërtuar 12 rrugë, me vlerë prej 20 milionë denarësh, ndërsa për mungesën e ndriçimit publik premtojnë se do të dërgojnë ekipe në terren.

“Do të dërgojmë ekipe në terren për të përcaktuar lokacionet ku mungon ndriçimi dhe për të ndërmarrë aktivitetet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Butelit.

Megjithatë për ankesat për ujësjellësin, nga Komuna e Butelit nuk dhanë përgjigje.

Ditët e fundit, në Komunën e Butelit ka pasur reagime edhe për mungesën e shqipes në tabelën informuese të Mega Parkut, të cilin e promovuan bashkërisht Komuna dhe Qyteti i Shkupit. Këshilltarët e AKI-së dhe të VLEN-it u larguan nga seanca e Këshillit komunal pasi propozimi për të shtuar mbishkrimin në shqip nuk mori votat e nevojshme. Pas raportimit të Portalb.mk, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve nisi procedurë dhe kërkoi që tabela të harmonizohej me ligjin.

Komuna e ButelitVideo LajmeVizbegu