Me mesazhe për drejtësi, mbrojtje dhe përgjegjësi të menjëhershme institucionale, aktivistet dhe qytetarët protestuan para Qeverisë, duke reaguar ndaj serisë së vrasjeve të grave dhe dështimeve të institucioneve përgjegjëse në trajtimin e dhunës ndaj grave, transmeton Portalb.mk.
Thirrjen për protestë e bëri iniciativa joformale “Asnjë më shumë”, së bashku me Platformën për Barazi Gjinore. Shkak për protestën janë tetë gratë e vrara, rastet e të cilave kanë rikthyer në vëmendje çështjen se sa efektivisht sistemi i identifikon dhe parandalon rreziqet nga dhuna me bazë gjinore.
Organizatorët kërkojnë përgjegjësi nga institucionet, veprim në kohë ndaj denoncimeve për dhunë në familje dhe dhunë me bazë gjinore, si dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave që janë të ekspozuara ndaj rrezikut.
Sipas aktivisteve, dhuna ndaj grave nuk mund të trajtohet si problem privat apo i izoluar. Mosveprimi, injorimi i denoncimeve dhe nënvlerësimi i kërcënimeve mund të kenë pasoja serioze, prandaj institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për mënyrën se si veprojnë.
Vëmendje e veçantë i kushtohet nevojës për koordinim më të mirë ndërmjet policisë, prokurorisë, gjykatave dhe qendrave për punë sociale, si dhe vlerësimit serioz të rrezikut në çdo denoncim për dhunë.
Protesta është gjithashtu thirrje për t’i dhënë fund praktikës kur gratë detyrohen të kërkojnë ndihmë disa herë, ndërsa paralajmërimet e tyre nuk marrin përgjigjen e duhur institucionale.
Organizatorët kërkojnë një sistem në të cilin denoncimi i dhunës do të nënkuptojë mbrojtje të vërtetë, e jo pasiguri dhe frikë shtesë për viktimat.
Mesazhi i protestës është se asnjë grua nuk duhet ta humbasë jetën për shkak se institucionet nuk kanë reaguar në kohë. Lufta kundër femicidit, sipas aktivisteve, duhet të shndërrohet në politika konkrete, përgjegjësi dhe mbrojtje efikase, e jo të mbetet vetëm në dënime deklarative pas çdo tragjedie të re.
Kujtojmë se edhe më 8 nëntor u mbajt marsh protestues kundër femicidit.
Protestuesit kanë kërkuar miratimin urgjent të ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje. Organizatorët kërkojnë gjithashtu rikthimin e termit “gjini” në ligje, udhëzime dhe programe, prej të cilave, sipas tyre, është hequr.
Thirrja përfshin edhe shkarkimin e bartësve të funksioneve publike dhe drejtuese që e justifikojnë ose e normalizojnë dhunën ndaj grave. Nga iniciativa theksojnë se vrasjet e grave nuk duhet të trajtohen si tragjedi të izoluara apo të justifikohen me marrëdhëniet mes partnerëve.