Fëmijët që lypin në rrugët e Shkupit tashmë për vite me radhë janë pjesë e pamjes së përditshme nëpër qytetet e vendit. Në kryqëzime, bulevarde, para qendrave tregtare dhe në lokacione më të frekuentuara, të miturit u afrohen shoferëve dhe kalimtarëve duke u kërkuar para. Por, a bëhet fjalë vetëm për dukuri të nxitur nga varfëria, apo disa nga ato fëmijë shfrytëzohen në mënyrë të organizuar për përfitime të të tjerëve, shkruan Slloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.
Ilija Jovanoviq nga organizata joqeveritare “Ndërtojmë të ardhmen“, e cila e ndjek gjendjen në terren, në deklaratë për “Slloboden Peçat“ thotë se kohëve të fundit është vënë re ulje e numrit të fëmijëve që lypin. Ai këtë gjë e lidh me aktivitetet e përforcuara dhe aksionet policore të MPB-së.
Çfarë zbulojnë të dhënat e MPB-së
Ministri i punëve të brendshme, Pançe Toshkovski, në fillim të muajit tetor njoftoi publikisht se MPB-ja po bën verifikimin e dyshimeve se pas lypjes në Shkup qëndron grup i organizuar kriminal.
“Për disa, ku do të dëshmojmë se janë pjesë e grupi të organizuar kriminal, dhe ka dyshime të bazuara se kemi edhe një të tillë, do të parashtrohen kallëzime penale sipas një neni tjetër të Kodit Penal”, deklaroi atëkohë Toshkovski.
Nga MPB-ja informuan se në tetor kanë realizuar aktivitete të përbashkëta me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. Nëpunës policorë dhe punonjës socialë kanë intervenuar në bulevarde, kryqëzime dhe në afërsi të qendrave tregtare në Shkup, ku janë hasur fëmijë dhe të rritur duke lypur.
Nga MPB thonë se pritet që të përgatiten kallëzime penale kundër 14 personave sipas nenit 201 të Kodit Penal, i cili, ndër të tjera, përfshin edhe detyrimin e fëmijës për të lypur për qëllime përfitimi. Tetëmbëdhjetë persona janë ndalur për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, një është i dyshuar sipas nenit 215 të Kodit Penal, ndërsa dy fëmijë janë strehuar përkohësisht në shtëpi (institucion) përmes Qendrës kompetente për Punë Sociale.
Statistikat e MPB-së tregojnë se në Shkup gjatë gjithë vitit 2025 janë evidentuar 23 kundërvajtje të lidhura me lypjen, ndërsa në nëntë muajt e parë të vitit 2026 kjo shifër ka arritur në 46. Në nivel kombëtar në të njëjtën periudhë të vitit 2026 janë evidentuar 167 kundërvajtje.
Këto shifra i referohen kundërvajtjeve për lypje, e jo rasteve të dëshmuara të shfrytëzimit të organizuar. Gjithashtu, 14 kallëzimet penale të paralajmëruara sipas nenit 201 nuk janë dëshmi se është zbuluar grup i organizuar kriminal.
Paralajmërimet e Avokatit të Popullit
Raporti vjetor i Avokatit të Popullit për vitin 2025 i publikuar në vitin 2026 konstaton se vazhdon të jetë e pranishme dukuria e fëmijëve në rrugë. Institucioni thekson se në raste të caktuara familjet, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i nxisin fëmijët të lypin, për çka disa herë ka kërkuar kontrolle në terren dhe intervenime nga Qendra për Punë Sociale.
Veçanërisht shqetësuese është e dhëna se Qendra Ditore për Përkujdesjen e Fëmijëve në Rrugë në Kisella Voda ka pushuar së funksionuari në qershor të vitit 2025. Pas intervenimit të Avokatit të Popullit qendra ka rifilluar me punë më 22 shtator të po atij viti.
Avokati i Popullit rekomandon evidentim më të mirë të fëmijëve në rrezik, punë të vazhdueshme të qendrave ditore dhe mbrojtje të koordinuar nga shfrytëzimi ekonomik dhe forma të tjera të shfrytëzimit.
Kush i merr paratë?
Nga organizata joqeveritare “Ndërtojmë të ardhmen“ prej muajsh paralajmërojnë se pas lypjes së fëmijëve mund të qëndrojë një mënyrë e organizuar e shfrytëzimit. Përfaqësuesi i organizatës, Ilija Jovanoviq, pretendonte se fëmijët sillen nga qytete të ndryshme, shpërndahen në lokacione të ndryshme dhe lypin me turne, ndërsa paratë e mbledhura i marrin të rriturit.
Sipas deklaratave të tij, shuma ditore që një fëmijë dyshohet se mund ta mbledhë arrin nga 3.000 deri në 5.000 denarë, ndërsa në deklaratat e mëparshme nga organizata kanë përmendur edhe shuma nga 3.000 deri në 9.000 denarë.
Jovanoviq tani vë re ulje të numrit të fëmijëve që lypin, gjë që e lidh me aksionet e përforcuara policore të MPB-së.
“Atë që po vë re në terren është se numri i fëmijëve lypës, sidomos në orët e natës, është zvogëluar. Nëse më parë kishim nga 40 deri në 50 fëmijë që lypnin në turnin e natës, tani numri i tyre është reduktuar në 5 deri në 7 fëmijë. Për shembull, në pjesën te QT “Mavrovasja“ kemi vënë re rreth 30 fëmijë në një turn, të cilët më pas punonin edhe turnin e dytë dhe të tretë, ndërsa tani numri i tyre arrin deri në katër”, thotë Jovanoviq.
Ai paralajmëron se në periudhën në vijim, para festave, duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë kësaj çështjeje, për çka do të dërgojë njoftim në të gjitha stacionet policore në Shkup.
Siç shpjegon Jovanoviq, fëmijët që hasen duke lypur në rrugë fillimisht dërgohen në njërën nga klinikat e fëmijëve ku u bëhen kontrolle të hollësishme shëndetësore. Pas kësaj institucionet kompetente u dërgojnë paralajmërim prindërve, pas çka nëse fëmija sërish haset në rrugë, merret menjëherë nga prindërit dhe vendoset në familje kujdestare ose në institucionin “25 Maji“. Sipas Jovanoviqit në këtë institucion për momentin janë të strehuar dy fëmijë.