Asnjë nga deputetët shqiptarë, anëtarë të Grupit Ndërpartiak Parlamentar për Mbështetjen e Platformës së Krimesë, nuk mori pjesë në seancën e sotme në Kuvend, kushtuar shënimit të 35-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës, transmeton Portalb.mk.
Më herët, nga Kuvendi njoftuan se seanca do t’i kushtohej përvjetorit të pavarësisë së Ukrainës dhe aktiviteteve që lidhen me Platformën e Krimesë.
Grupi Parlamentar për Mbështetjen e Platformës së Krimesë u formua në tetor të vitit 2024 me iniciativë të kreut të Kuvendit, Afrim Gashit, me qëllim shprehjen e mbështetjes parlamentare për Ukrainën dhe integritetin e saj territorial.
Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar nëse mungesa e deputetëve të partive shqiptare përbën bojkot të organizuar apo është për arsye të tjera.
Rijad Shaqiri, deputet i Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Arben Taravari, në një deklaratë për mediat konfirmoi se qëllimisht nuk mori pjesë në seancë, si reagim ndaj deklaratës së fundit të presidentit ukrainas Volodimir Zelenski për Kosovën gjatë vizitës së tij në Beograd. Zelenski atëherë deklaroi se Ukraina respekton të drejtën ndërkombëtare dhe integritetin territorial të Serbisë.
Shaqiri vlerësoi se pas një deklarate të tillë Ukraina nuk mund ta ketë mbështetjen e tij dhe paralajmëroi se nuk do të marrë pjesë as në aktivitetet dhe shënimet e ardhshme që lidhen me Ukrainën.
Siç raportojnë disa media, nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kanë deklaruar se disa prej deputetëve të tyre mungojnë për shkak të pushimeve vjetore, ndërsa disa të tjerë nuk ishin të informuar për ngjarjen.
Në seancë nuk morën pjesë as deputeti i partisë së turqve, Sali Murat, dhe deputeti i pavarur Ilir Demiri. Demiri mohoi se mungesa e tij ishte bojkot i qëllimshëm.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski i përcolli urime popullit ukrainas me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke theksuar se pavarësia është simbol i lirisë, sovranitetit dhe të drejtës së çdo populli për të përcaktuar në mënyrë të pavarur të ardhmen e tij.
Deputeti i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Oliver Spasovski, kujtoi se Kuvendi që në fillim të agresionit rus kishte miratuar Deklaratë për Mbështetjen e Ukrainës. Ai tha se pushtimi nuk mund të krijojë të drejtë dhe se kufijtë e shteteve sovrane nuk duhet të ndryshohen me forcë.
Ambasadorja ukrainase Larisa Dir theksoi rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për vendin e saj, duke vlerësuar se solidariteti i partnerëve përbën forcë shtesë për popullin ukrainas. Sipas saj, agresioni rus vazhdon të marrë jetë njerëzish dhe përbën kërcënim për sigurinë në Evropë.
Ambasadori i Francës, Kristof Le Rigoler, theksoi se mbrojtja e Ukrainës lidhet edhe me sigurinë e kontinentit evropian. Ai tha se Franca që nga fillimi i luftës i ka ofruar Ukrainës mbështetje diplomatike, financiare dhe ushtarake dhe përsëriti qëndrimin e Francës se vendi i Ukrainës është në Bashkimin Evropian.
Ambasadorja gjermane Petra Dreksler vlerësoi se Ukraina nuk po lufton vetëm për të drejtat dhe lirinë e saj, por edhe për rendin evropian të sigurisë. Ajo theksoi se Gjermania dënon agresionin rus dhe vazhdon mbështetjen për Ukrainën.
Në shenjë përkujtimi të viktimave të luftës në Ukrainë, të pranishmit mbajtën një minutë heshtje.
Ukraina më 24 gusht 1991 miratoi Aktin për Shpalljen e Pavarësisë, duke e rikthyer shtetësinë e saj pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Këtë vit, 35-vjetori i pavarësisë shënohet në kushtet e luftës me Rusinë.