Aleanca për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me ndërtimin e Korridorit 8, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe manipuluese. Nga kjo parti thonë se pretendimi i Mickoskit se autostrada ka ngecur 25 kilometra larg kufirit me Shqipërinë nuk është i saktë. Sipas tyre, ekzistonte një marrëveshje ndërmjet dy qeverive për ndërtimin dhe bashkëfinancimin e një tuneli, i cili do të zhvendoste pikën kufitare në një pozicion më të favorshëm dhe do të shkurtonte ndjeshëm rrugën, transmeton Portalb.mk.
ASH akuzon Qeverinë aktuale se e ka shkelur këtë marrëveshje dhe po përpiqet të manipulojë opinionin publik.
“Përgjigja e kryeministrit Hristian Mickoski lidhur me Korridorin 8 përmban shumë të pavërteta dhe shtrembërime. Tentimi për të akuzuar Shqipërinë se autostrada ka ngecur 25 kilometra larg kufirit është një manipulim i radhës, sepse ajo ka qenë një marrëveshje mes dy Qeverive për ndërtimin dhe bashkëfinancimin e një tuneli që edhe pikën kufitare do ta zhvendoste në një pozicion më të favorshëm që shkurton dukshëm rrugën dhe mirëmbahet më lehtë. Por edhe këtë marrëveshje Qeveria aktuale e ka shkelur dhe mundohet ta manipulojë”, thuhet në reagim.
Në reagim thuhet se edhe më problematike është deklarata e kryeministrit se Dibra, Kërçova dhe Struga janë me shumicë absolute maqedonase, gjë që sipas partisë nuk është e vërtetë dhe bie ndesh me deklarimet e tij se është kryeministër për të gjithë qytetarët dhe se projektet nuk duhet të politizohen në baza etnike.
Aleanca për Shqiptarët i bën thirrje Mickoskit që të fokusohet në realizimin e Korridorit 8 pa vonesa dhe komplikime, duke respektuar marrëveshjet ekzistuese dhe duke u kthyer, siç thonë ata, “te realiteti dhe puna”.
“Edhe më skandaloze është pjesa e deklaratës kur kryeministri thotë se Dibra, Kërçova e Struga janë me shumicë absolute maqedonase. Kjo jo vetëm që nuk është e saktë, por shfaq nënvetëdijen e tij e cila është kontradiktore me fjalët paraprake se është kryeministër për të gjithë qytetarët dhe bën thirrje që projektit të mos i jepet karakter etnik. Tani që të gjitha faktet dolën në shesh dhe skenaret u demantuan, e ftojmë kryeministrin që t’i kthehet realitetit dhe punës për realizimin e Korridorit 8 pa vonesa e komplikime”, thonë nga ASH.
Aleanca për Shqiptarët (ASH) edhe dje reagoi duke akuzuar se vendimin për bllokimin dhe devijimin e Korridorit 8 e ka dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërsa realizimi i tij është bërë nga Qeveria e Hristian Mickoskit në gjashtë muajt e parë të mandatit të saj.
Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski tha se për shkak të UNESCO-s segmenti nga Trebenishta deri në Qafë Thanë prej 57 kilometrave tani për tani nuk do të ndërtohet. Kjo nënkupton se Struga nuk do të lidhet me autostradën Kërçovë – Ohër e cila me vite po zvarritet. Kjo çështje ka nxitur reagime të ashpra nga partitë opozitare, ndërkaq zëvendësministrja e Transportit premtoi se do të gjendet zgjidhje që ky segment të ndërtohet.
“Megjithatë, po kërkohet mënyra se si të përmbyllet edhe kjo tërësi, sepse hyn në perimetrin e UNESCO-s dhe këtu do të gjejmë një mënyrë që përsëri të kemi komunikacion të sigurt ndërmjet këtyre dy pjesëve dhe mendoj se do ta arrijmë këtë. Në këtë moment, me shumë gjasë, ende nuk është marrë vendimi përfundimtar, ende po negociohet dhe po diskutohet, por ka shumë gjasa që këtu të kemi ndryshime”, tha Mickoski.
Ndaj kësaj reaguan ashpër partitë opozitare shqiptare.
Kujtojmë se zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime lidhur me realizimin e projektit. Ndërtimi i Korridorit 8 është shoqëruar me akuza për devijim të projektit, shkurtim të fondeve dhe largim të punëtorëve nga puna.
Ndryshe, Korridori 8 e lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, ai është pjesë e korridorit më të gjerë evropian të transportit Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor.