Aleanca për Shqiptarët (ASH) edhe një njëherë sot ka reaguar ndaj devijimit të Korridorit 8 dhe vendimit për bllokimin e aksit Trebenishtë-Strugë, duke e cilësuar këtë si një izolim total të qytetit të Strugës dhe si një manovër që favorizon interesat e Serbisë në rajon. Sipas ASH, vendimin e ka dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërsa realizimi i tij është bërë nga Qeveria e Hristian Mickoskit në gjashtë muajt e parë të mandatit të saj. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Serbisë, Goran Vesic, thonë ata e ka konfirmuar këtë në një deklaratë të transmetuar nga Agjencia Bullgare e Lajmeve BGNES në tetor 2024, transmeton Portalb.mk.
“Urdhërin për ndërprerjen e punimeve në Korridorin 8, si dhe planet për bllokimin e plotë të këtjj projekti dhe devijimin e të njëjtit e ka dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërsa e ka realizuar Qeveria e Hristian Mickoskit, që në 6 muajt e parë të ardhjes në pushtet. Këtë nuk e themi ne, por e ka konfirmuar personalisht Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Serbisë, Goran Vesic, në një deklara zyrtate të transmetuar nga Agjencia Bullgare e lajmeve, BGNES, që në tetor të vitit 2024. ( https://www.bgnes.com/…/belgrade-we-have-eliminated… ) Në këtë deklaratë ministri serb e quan fitore të Serbisë ndaj perëndimit, devijimin e Korridorit 8 dhe ridestinimin e investimeve në Korridorin 10 që do lidh Serbinë me Greqinë dhe siç thotë ai “Serbinë e bën epiqendër të rajonit”. Agjencia BGNES që citon ministrin serb, shkruan se Ministri i Transportit të RMV-së, Aleksandër Nikollovski ka provuar që mjetet e siguruara nga fonde ndërkombëtare për Korridorin 8 t’i ridestinon në interes të korridorit 10 që avancon Serbinë”, thonë nga ASH.
ASH thotë se edhe mjetet ndërkombëtare të siguruara për Korridorin 8 po përdoren për projekte që avancojnë interesat e Serbisë, ndërsa pjesë të rëndësishme të territorit tonë mbeten të izoluar, përfshirë rajonet e Strugës, Pollogut dhe Kërçovës.
Partia bën thirrje për reagim të unifikuar të klasës politike shqiptare dhe për përfshirjen e faktorëve ndërkombëtarë, përfshirë SHBA, NATO dhe Bashkimin Evropian, për të mbrojtur interesin kombëtar dhe lidhjet e vendit me Perëndimin.
“Kjo është e vërteta e devijimit të Korridorit 8, vendimit për të bllokuar aksin Trebenishtë-Strugë me çka Struga përjashtohet nga Korridori 8 dhe mbetet e izoluar totalisht. Në këtë skenarë, siç njoftuam që nga 10 mars, kemi informacione të sigurta se pas Strugës, do të izolohet edhe rajoni i Pollogut dhe Kërçovës dhe prioritet do t’i jepet ndërtimit të një autostrade Manastir-Ohër me çka Korridori 8 devijohet dhe lidhet me Korridorin 10, ndërsa Sërbia bëhet përfundimisht epiqendër dhe bllokon lidhjen e vendit tonë me Perëndimin. Ju bëjmë thirje partive të koalicionit VLEN që të mos heshtin dhe relativizojnë planet e Vuçiqit kundër shqiptarëve, të mos defokusojnë me akuza të politikës ditore, por urgjentisht të bllokojnë këto projekte ogurzeza të Botës sërbe ose të paktën të distancohen nga kjo Qeveri! Kjo është një kauzë e vërtetë kombëtare që tejkalon kolltuqet qeveritare dhe interesat partiake, por kërkon unifikimin e klasës politike shqiptare dhe involvimin e faktorit ndlrkombëtar, SHBA-së, NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, thonë nga ASH.
Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski tha se për shkak të UNESCO-s segmenti nga Trebenishta deri në Qafë Thanë prej 57 kilometrave tani për tani nuk do të ndërtohet. Kjo nënkupton se Struga nuk do të lidhet me autostradën Kërçovë – Ohër e cila me vite po zvarritet. Kjo çështje ka nxitur reagime të ashpra nga partitë opozitare, ndërkaq zëvendësministrja e Transportit premtoi se do të gjendet zgjidhje që ky segment të ndërtohet.
“Megjithatë, po kërkohet mënyra se si të përmbyllet edhe kjo tërësi, sepse hyn në perimetrin e UNESCO-s dhe këtu do të gjejmë një mënyrë që përsëri të kemi komunikacion të sigurt ndërmjet këtyre dy pjesëve dhe mendoj se do ta arrijmë këtë. Në këtë moment, me shumë gjasë, ende nuk është marrë vendimi përfundimtar, ende po negociohet dhe po diskutohet, por ka shumë gjasa që këtu të kemi ndryshime”, tha Mickoski.
Ndaj kësaj reaguan ashpër partitë opozitare shqiptare.
Kujtojmë se zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime lidhur me realizimin e projektit. Ndërtimi i Korridorit 8 është shoqëruar me akuza për devijim të projektit, shkurtim të fondeve dhe largim të punëtorëve nga puna.
Ndryshe, Korridori 8 e lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, ai është pjesë e korridorit më të gjerë evropian të transportit Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor.