Duke filluar prej sonte më 3 shtator deri më 10 shtator, në Sheshin Skenderbeu në Shkup, Doku Youth Space, në bashkëpunim me Komunën e Çairit, organizojnë manifestimin kulturor “Doku në Çarshi”. Ky edicion synon të shndërrojë hapësirat e çarshisë në skenë të hapur për teatrot, filmat, artistët dhe dashamirët e kulturës, duke ofruar jo vetëm shfaqje filmash, por edhe diskutime, takime me autorë dhe aktivitete artistike që lidhin traditën me frymën moderne, shkruan Portalb.mk.
Arbnor Maliqi nga Doku Youth Space për Portalb.mk tha se me anë të këtij manifestimi po e themelojnë një traditë të re kulturore në zemër të qytetit.
“Ky është edicioni i parë i festivalit “Doku n’Çarshi”, ndaj e bën të veçantë vetë fakti se po e themelojmë një traditë të re kulturore në zemër të qytetit. Për herë të parë, Çarshia shndërrohet në skenë të hapur për muzikë, teatër, film dhe letërsi, duke i sjellë artet pranë komunitetit. Vizioni ynë është të sjellim kulturën te njerëzit, pikërisht aty ku ata jetojnë dhe kalojnë përditshmërinë. Mesazhi është i qartë: Çarshia si hapësirë publike është zemra e qytetit, dhe arti është gjuha që i bashkon të gjithë. Presim që festivali të shërbejë si frymëzim dhe hapësirë motivuese për të rinjtë, duke i inkurajuar ata të marrin pjesë aktivisht në art. Ky është një vend ku ata mund të shohin, të mësojnë dhe të krijojnë, duke u bërë pjesë e një rrjeti të gjallë artistësh e krijuesish”, tha Maliqi.
Ai shtoi se temat kryesore të manifestimit lidhen me identitetin kulturor.
“Temat kryesore lidhen me identitetin kulturor, bashkëjetesën dhe trashëgiminë. Përmes muzikës, teatrit dhe filmit, shpalosen histori që tregojnë për jetën urbane, për sfidat dhe shpresat e brezave të rinj, si dhe për rëndësinë e ruajtjes së kulturës sonë në kohët moderne. Ky festival kontribuon ndjeshëm, sepse përmes aktiviteteve të ndryshme kulturore sjell në qendër të vëmendjes Çarshinë, trashëgiminë arkitekturore dhe historike të saj, duke e gjallëruar me art bashkëkohor. Të rinjtë përfitojnë një përvojë të drejtpërdrejtë të lidhjes mes së kaluarës dhe të tashmes kulturore”, tha Maliqi.
Ky manifestim nënvizoi ai, është shumë i rëndësishëm për imazhin kulturor të qytetit dhe rajonit.
“Festivali është një pasqyrë e gjallë e faktit që qyteti është qendër e kulturës dhe artit. Ai jo vetëm që e rrit imazhin e Shkupit si qytet kulturor, por ndikon edhe në rajon, duke krijuar lidhje dhe shkëmbime kulturore me Kosovën, Preshevën dhe qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut. Duke sjellë artistë dhe grupe të pavarura, festivali i jep zë krijuesve që nuk janë gjithmonë pjesë e institucioneve të mëdha kulturore. Kjo nxit një identitet kulturor më gjithëpërfshirës dhe e forcon artin e pavarur si një shtyllë të rëndësishme të shoqërisë. Përmes diversitetit të programit, publiku përjeton forma të ndryshme arti nga muzika dhe teatri te filmi dhe letërsia. Kjo ndërthurje i jep publikut mundësinë të zhvillojë shijen estetike, të mësojë më shumë për kulturën dhe të bëhet pjesë aktive e saj”, tha Maliqi.
Programi i manifestimit “Doku në Çarshi”: