Maqedonia e Veriut sot e shënon 18 Gushtin, 33 vjetorin e themelimit të Armatës, transmeton Portalb.mk.
Për nder të kësaj dite mbahen një sërë aktivitetesh.
Ceremonia qendrore u mbajt në kazermën “Jane Sandanski” në Shtip në prani të udhëheqjes më të lartë ushtarake dhe shtetërore.
Presidentja Gordana Siljanovska–Davkova theksoi se për më shumë se tre dekada Ushtria ka shkruar historinë e saj si një mbrojtëse e vërtetë e atdheut.
“Ushtria jonë është një shtyllë stabiliteti dhe paqeje”, tha presidentja.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes Vllado Misajlovski, Ushtria sot shënon 33 vjet përparim, 33 vjet siguri të atdheut dhe siguri të qytetarëve.
“Sot mund të konfirmoj se shtyllat mbi të cilat po ndërtojmë Ushtrinë dhe forcat mbrojtëse qëndrojnë të forta. Buxhetimi i mbrojtjes është në një nivel të lartë, dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha ministri i Mbrojtjes.
Misajlovski theksoi gjithashtu se pranimi i 300 ushtarëve të rinj profesionistë është në fazën përfundimtare.
Në ceremoninë qendrore u rreshtuan edhe 26 togerët e dytë dhe 149 nënoficerët e sapograduar.
Gjatë ceremonisë qendrore, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova i dha “Urdhrin për Merita Ushtarake” Qendrës së Trajnimit të Kadetëve dhe Oficerëve, e cila është pjesë e Komandës së Trajnimit dhe Doktrinave.
Të ftuar ishin edhe kryeministri, Hristijan Mickovski, kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, ministra, deputetë, ish-ministra të mbrojtjes dhe shefa të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralë në pension, mysafirë të lartë nga disa institucione, korpusi ushtarako-diplomatik në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të tjerë.
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) në urimin e tyre për këtë ditë theksuan se vendi u bë anëtar e NATO-s gjatë kohës kur ata ishin në qeveri.
“Jemi veçanërisht krenarë që pikërisht gjatë qeverisjes së LSDM-së, Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e plotë e NATO-s – aleancës më të fortë të sigurisë në botë. Me këtë, Ushtria jonë u bë pjesë e ushtrive moderne të NATO-s, me mundësi për trajnim, bashkëpunim dhe pajisje sipas standardeve më të larta”, thanë nga LSDM.
Kjo ditë u shënua edhe dje, ku në kazermën “Ilinden” u bë qitje nderi artilerie me shkrepje të 10 togave nga 6 topa të batalionit të artilerisë së Armatës.
Kujtojmë që Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s që nga viti 2019.
Ndryshe, më 27 Mars 2020, vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.