Kompozitori dhe orkestruesi Arben Demiri ka botuar librin me të ri me titull ”Këngë shpirti, të shkrira me tingujt e pianos”, ky libër paraqet një përmbledhje prej 28 këngësh popullore qytetare, të cilat i ka përzgjedhur dhe përpunuar për instrumentin e pianos, sipas këndvështrimit tij artistik, shkruan Portalb.mk.
Arben Demiri për Portalb.mk tha se është përpjekur të ruaj thelbin dhe origjinalitetin e secilës këngë, pa cenuar vlerat e tyre artistike dhe kulturore.
“Ideja për të shkruar një libër me përmbajtje të tillë, lindi si rezultat i dëshirës sime që disa nga këngët popullore qytetare shqipe t’i përpunoj dhe t’i shkruaj (notizoj) për instrumentin e pianos, një instrument i jashtëzakonshëm për shprehje artistike dhe emocionale. Duke marrë parasysh mungesën e literaturës së tillë në shkollat tona muzikore, mora iniciativën për hartimin dhe botimin e këtij libri. Ajo që më frymëzoi më së shumti sigurisht se është melosi jonë aq i bukur dhe i begatshëm dhe përderisa zakonisht në instrumentin e pianos interpretohen vepra muzikore klasike (serioze), unë vendosa që të bëj përbledhjen e 28 këngëve popullore shqipe dhe po të njëjtat t’i përpunoj si pjesë pianistike, sipas këndvështrimit tim artistik. Nga historia e muzikës e dimë se shumë kompozitorë Botëror nga Gjermania, Austria, Italia, Franca etj, në periudha të ndryshme kohore, jo rrallë herë kanë shkruar vepra painistike, ku për motiv e marrin muzikën e tyre tradicionale dhe pastaj atë e përpunojnë secili sipas stilit të tij të kompozuarit”, tha Demiri.
Ai theksoi se edhe ai vendosi që disa nga këngët popullore qytetare shqipe, t’i sjellë në formë të këtillë si pjesë pianistike.
“Edhe pse janë sjellë në një stil të ri interpretimi dhe në stilin tim të kompozuarit, jam përpjekur të ruaj thelbin dhe origjinalitetin e secilës këngë, pa cënuar vlerat e tyre artistike dhe kulturore. Për hartimin dhe botimin e këtij libri kam punuar një vit e gjysëm, ku ka pas ditë që kam punuar dhe nga 5, 6 orë pa pushuar. Por t’ju them të drejten kjo punë mua më shfaq kënaqësi dhe asnjëherë nuk ndjej lodhje, përkundrazi”, tha Demiri.
Ai edhe më tej shtoi se gjithmonë e ka inspiruar zëri i natyrës, ngjyrat e saja, bukuria që ajo ofron.
“Si kompozitor dhe orkestrues i shumë veprave muzikore, qofshin ato instrumentale, vokale apo vokalo-instrumentale, gjithmonë më ka inspiruar zëri i natyrës, ngjyrat e saja, bukuria që ajo ofron, por ajo që është edhe më inspiruese, ajo që na bën ta ndjejmë një këngë qoftë kur jemi të gëzuar apo të pikëlluar, sigurisht se është fjala e shkruar, teksti i këngës që është pjesë e pa ndashme nga melodia. Unë kohëve të fundit kam kompozuar shumë këngë për fëmijë dhe natyrisht që së pari e kam kërkuar tekstin e këngëve dhe pastaj në bazë të tematikës së tekstit jam frymëzuar për të kompozuar këngët”, tha Demiri.
Demiri shtoi se ky libër u dedikohet studentëve, nxënësve, si material didaktit gjithashtu dhe si mjet për ruajtjen dhe promovimin muzikës së bukur shqipe.
“Libri është dedikuar që të shërbejë si material didaktit dhe artistik për nxënës, studentë dhe interpretë pianistë, por njëkohësisht edhe si mjet për ruajtjen dhe promovimin e muzikës së bukur shqipe, përmes tingujve të pianos. Sigurisht që libri u dedikohet edhe artdashësve dhe atyre që ndoshta nuk merren në mënyrë profesionale me muzikën, por atë e kanë pasion dhe dashuri”, tha Demiri.
Demiri bëri të ditur projektet e radhës pas këtij botimi. Ai tha se viti i ardhshëm 2026 shënon 40 vjet karrierë muzikore, ku ka në plan disa projekte si: realizimi i një cd me muzikë instrumentale (muzikë popullore), koncert me muzikë kamertale, botim i librit të tretë me muzikë instrumentale, ku do të përfshihen një numër më i madh instrumentesh, botimi i librit të katërt me muzikë vokale dhe vokalo-instrumetale (këngë korale, këngë për fëmijë, këngë popullore, këngë për solistë vokal me përcjellje të pianos).