Adhurimi i kurrkushëve të veshur me veti perëndishë

Kuptimi i figurshëm i fjalës kult është nderimi i tepruar i njerëzve të konsideruar si të jashtëzakonshëm. Kështu thotë fjalori i gjuhës së sotme shqipe i cili na ndihmon t’i njohim më mirë adhuruesit që nuk mund të jetojnë pa kulte, pa idolë, pa baballarë jobiologjikë dhe pa iu gjunjëzuar dikujt përulësisht.

Prej këtij sindromi tipik shqiptar më së paku kanë dobi të hymnizuarit, që me amin-in tonë hipin dhe zbresin me nalle nga plepi cilindo që ua do interesi. Fundja, a nuk është dëshmuar, sa e sa herë, se pikërisht ata që lartësojnë dikë në qiell para bebzës së painformuar, pas një kohe, bëhen të parit që ndërsejnë vreret, këlbazat, thikat… mbi perënditë që i shpallin vetë.

Pjesa dërmuese e idhujtarëve janë sihirbazë të talentuar që e ushtrojnë zejen me projekte të mirëmenduara, të prirë nga filozofia e Zhozef Fushesë së Cvajgut – atij heroit që e shkoi jetën nën hijen e kulteve, idhujve pa krena, yjeve prijës, shpinave mbrojtëse të rrnesës plot sefa…

Të tjerët, ndërkaq, janë idhujtarët mendjegëzuar, të cilët as e dinë përse e adhurojnë dikë, as e kuptojnë përse e groposin totemin e deridjeshëm.

Në këtë pikë, para të hymnizuarve dhe idhujtarëve fanatikë, midja shqiptare s’duhet të pranojë ushujëzat, coftingrënësit, zhozef-fushetë…, që imponohen si inventar të përokolltë të njerëzve me pushtet.

Se për çfarë kolere e kam fjalën, mjafton ta kthejmë shikimin prapa për të parë imazhin e shpërdredhur të parisë shqiptare gjatë epokës së tranzicionit të pafund. A njihni ndonjë kapidan tonin, të cilin nuk e kemi himnizuar, nuk e kemi shpallur hero dhe nuk e kemi vënë në fron me hosanna ngazëlluese? Po ndonjë që nuk e kemi shembur pastaj përtokë, nuk e kemi pështyrë si tradhëtar dhe nuk e kemi shfronësuar me barabba skajshmërisht poshtërruese?
Sigurisht jo, sepse historia e prijësve tanë është historia jonë qeshite, jemi vetë ne – sovrani me tipare sizifi, që vazhdimisht shtynë kodrës engjëj dhe rrokullis teposhtëzës djajë.

Pasha Diellin!, diçka nuk është në rregull me ne, me kulturën dhe takatin tonë politik. Shi për këtë: ftoj ata që e ndjejnë veten të aftë për politikbërje të garojnë në mënyrë të hapur për pushtet, kur të vijë koha e zgjedhjeve. Kjo më duket më normale se pakënaqësia e përjetshme dhe pozicionimi në stilin hem-hem, që nuk sjell asnjë dobi. Ndryshe, do të duhet të pajtohemi me përfaqësuesit që zgjedhim vetë, në mesin e të cilëve gjithsesi ka dhe do të ketë edhe idhuj pa krena, të ngjitur lart nga kultaxhinjtë dhe të dëmshëm sa s’bëhet për të ardhmen time, tënden, tonën…
Jo rastësisht Emil Sioranit, njëri prej mendimtarëve më të shquar të sh. XX, në shkrimin “Restaurimi i një kulti”, shkroi:

Meqë e harxhova vetinë time njerëzore, nuk më levërdis më asgjë. Të udhëhequra nga një ideal gjithandej shoh vetëm dele të tufëzuara në kope për t’i blegëruar shpresat e tyre… Madje edhe ata që nuk jetojnë bashkë detyrohen të jenë bashkë si fantomë, sepse ndryshe për çfarë qëllimi është menduar “bashkësia” e të shenjtëve? Gjurmëve të një shkretëtire të vërtetë rishikoj shekujt, i takoj dhe ia kam lakmi vetëm Djallit. Mendja e dëbon, zemra e lut… Shpirti i gënjeshtrës, Princi i Errësirës, i Mallkuari, Armiku, – ç’kënaqësi më krijon përmendja e emrave që ia venitën vetminë! Dhe sa shumë e dua qëkur për çdo ditë është i gjykuar për egzod; Ta kisha mundësinë ta rikthej në gjendjen e parë! I besoj Atij me gjithë paaftësinë time për të besuar. Më duhet prezenca e tij: qenia e vetmuar shkon drejt më të vetmuarës, drejt Vetmitarit… Ia kam borxh vetvetes të përmallohem për të: fuqia ime që vin nga frika se do të mbetet e pashfrytëzuar – më shtynë drejt tij. Ja ku jam përballë modelit tim; duke u lidhur për të unë e gjykoj vetminë time që s’është e plotë, krijoj një tjetër që ia kalon: kjo është mënyra ime për të qenë i përbuzur… E zëvendësojmë Perëndinë ashtu si mundemi; sepse çdo Perëndi është e mirë, nëqoftëse e përjetëson dëshirën tonë për të qenë vetmitarë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit