Viti 2025 në Maqedoninë e Veriut u karakterizua nga paqëndrueshmëri politike, përplasje të vazhdueshme mes partive dhe tensione të theksuara brenda koalicioneve. Koalicioni qeverisës VMRO-DPMNE dhe VLEN u përball me mospajtime të brendshme dhe presion të vazhdueshëm nga opozita, ndërsa opozita shqiptare herë u bashkua e herë u nda në koalicionin AKI. Paralelisht, përplasjet VLEN-BDI dominuan diskursin politik shqiptar, ndërsa incidentet në sport dhe jo vetëm shkaktuan tensione ndëretnike. Zgjedhjet lokale e rikonfirmuan pushtetin e VMRO-DPMNE-së. Rasti tragjik me zjarrin në Koçan nuk mbeti vetëm çështje e drejtësisë dhe përgjegjësisë institucionale, por u shndërrua edhe në arenë përplasjeje të ashpër politike mes pushtetit dhe opozitës, raporton Portalb.mk.
Viti 2025 u shënua si një nga vitet më të tensionuara politike dhe shoqërore në Maqedoninë e Veriut pas ndryshimit të pushtetit. Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja në koalicion me VLEN-in, u përball që në muajt e parë me kriza të njëpasnjëshme që prekën politikën e jashtme, marrëdhëniet ndëretnike, funksionimin e drejtësisë dhe stabilitetin social. Në vend të një fillimi reformues, viti u dominua nga përplasjet politike, reagime të vonuara institucionale dhe pasiguri qytetare.
Politika e jashtme, OKB-ja dhe raporti me Kosovën
Në fillim të vitit, Maqedonia e Veriut u gjend në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të qëndrimeve të saj në OKB. Vendimi për të qenë bashkësponsore e rezolutës amerikane për Ukrainën, e cila nuk e dënonte qartë agresionin rus, si dhe abstenimet në rezoluta të tjera për Ukrainën dhe Gazën, krijuan konfuzion dhe kritika nga OJQ-të, por edhe qytetarët. Qeveria tentoi t’i paraqiste këto qëndrime si diplomaci e balancuar, por në praktikë ato u perceptuan si largim nga linja etike dhe humane.
Maqedonia ka abstenuar vazhdimisht armëpushimin në Gaza. Më 12 dhjetor Maqedonia e Veriut abestenoi për rezolutën që ka të bëjë me detyrimet e Izraelit sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë sigurimin e ndihmës humanitare dhe shërbimeve bazë për popullsinë civile palestineze. Në prill 2025, RMV votoi kundër të drejtës së Palestinës për vetëvendosje, në shkurt 2025 RMV abstenoi rezolutën e cila dënoi pushtimin e Ukrainës, në shtator të viti 2024 abstenoi, ndërsa edhe në tetor 2023 votoi e përmbajtur.
Çuditërisht më 15 dhjetor Maqedonia e Veriut gjithashtu votoi pro rezolutës që mbështet të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje dhe shtet të pavarur të Palestinës duke u bashkuar për herë të parë që nga konflikti me shumicën e vendeve anëtare të OKB-së. Të njëjtën gjë bëri edhe Shqipëria, e cila më parë ka abstenuar njëjtë si Shkupi.
Krizën e politikës së jashtme e thelloi edhe raporti me Kosovën. Përdorimi i termit “Kosova dhe Metohija” nga zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq dhe hezitimi institucional për ta korrigjuar këtë qëndrim pas notës protestuese nga Prishtina krijuan një precedent të rrezikshëm. Për herë të parë pas shumë vitesh, u vu në dyshim seriozisht konsistenca e qëndrimit shtetëror të RMV-së ndaj pavarësisë së Kosovës, ndërsa heshtja ose relativizimi nga Qeveria nxiti dyshime për ndikime të jashtme politike në vendimmarrje.
Gjuha shqipe, përfaqësimi i drejtë dhe tensionet ndëretnike
Çështja e gjuhës shqipe u rikthye fuqishëm në agjendën politike që në muajin janar, kur presidentja refuzoi ta nënshkruajë Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve për shkak të dispozitave për dygjuhësinë. Ky veprim u interpretua nga pala shqiptare si sinjal regresi në të drejtat e fituara, ndërsa Qeveria u përpoq ta minimizojë konfliktin duke paralajmëruar përpunim të ri të ligjit. Megjithatë, mesazhi politik ishte i qartë: dygjuhësia nuk është më konsensus i padiskutueshëm.
Në të njëjtën kohë, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve mbeti i bllokuar në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Balancuesi u hoq pa u zëvendësuar me një mekanizëm të ri funksional. Premtimet për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë u shtynë vazhdimisht, duke e lënë administratën pa kontroll real të përfaqësimit etnik. Kjo situatë krijoi ndjesinë se barazia ndëretnike po trajtohet si çështje politike dhe jo si parim kushtetues.
Së fundmi, VLEN njoftoi se Ligji i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat së shpejti do të hyjë në Parlament. Por të pyetur nga Portalb.mk se kur konkretisht pritet të bëhet kjo, nga VLEN nuk dhanë afat konkret, theksuan se në muajt e parë të 2026. Ndërkaq, sipas Bujar Osmanit nga BDI, ky ligj nuk duhet të kalojë pasi i njëjti është mashtrim politik.
Gjuha e urrejtjes në sport dhe dështimi i drejtësisë
Ngjarjet në fushat sportive gjatë vitit 2025 nxorën në pah një problem të thellë shoqëror: normalizimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve. Brohoritjet raciste në Kumanovë dhe Manastir ndodhën në prani të zyrtarëve të lartë shtetërorë, pa reagim të menjëhershëm institucional. Kjo heshtje u përjetua si tolerim i drejtpërdrejtë i nacionalizmit ekstrem.
Kontrasti u bë edhe më i dukshëm kur autoritetet reaguan me shpejtësi në raste që përfshinin simbole shqiptare, si valëvitja e flamurit të “Shqipërisë së Madhe” apo brohoritjet “Ilirida”.
Madje, prindi 43-vjeçar i cili sulmoi fizikisht dy futbollistë të mitur në një ndeshje midis ekipeve të të rinjve të klubeve të futbollit Shkupi dhe Bregallnica, e cila u zhvillua më 24 gusht në stadiumin Belo Brdo në Shtip, u dënua me njëmbëdhjetë muaj burg.
Përçarjet e para brenda koalicionit VLEN dhe pozicionime për zgjedhjet
Punët brenda koalicionit VLEN nuk po qëndronin mirë që nga fillimi i vitit 2025. Konfliktet dhe mospajtimet strategjike mes partive që përbënin koalicionin ishin të shpeshta, duke reflektuar mungesë koordinimi dhe pasiguri për drejtimin e politikave të përbashkëta. Kjo tensionuar situatën politike, sidomos për sa i përket ndarjes së kandidatëve për zgjedhjet lokale dhe mënyrës së menaxhimit të resurseve politike. Kulmi i këtyre përplasjeve arriti në prill 2025, kur kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, vendosi të dalë me lista të veçanta për këshilltarë, duke u shkëputur në praktikë nga linja e koalicionit. Ky veprim u konsiderua nga partnerët e tjerë si përçarje serioze që mund të dobësonte votën shqiptare dhe të ndryshonte ekuilibrin politik brenda koalicionit.
Në mënyrë të zyrtarizuar, situata shkoi drejt një ndryshimi të madh politik në maj 2025, kur Arben Taravari dhe dy ministrat e emëruar nga ASH vendosën të dorëhiqeshin nga pozicionet e tyre qeverisëse. Arsyeja e përmendur zyrtarisht ishte kritika e drejtpërdrejtë ndaj qeverisë për dështimin në realizimin e pikave kyçe nga programi politik të koalicionit, por në thelb kjo reflektonte edhe zhgënjimin me mënyrën se si koalicioni po funksiononte dhe me mungesën e koordinimit politik real brenda VLEN-it.
Ky hap, largimi i ASH-së dhe i udhëheqësit të saj nga qeveria dhe nga koalicioni VLEN, shënoi një pikë kthese në politikën shqiptare të vendit për vitin 2025.
Gjatë muajve para zgjedhjeve, Aleanca për Shqiptarët e Taravarit zyrtarisht shpalli se do të dalë në opozitë, duke argumentuar se nuk kishte arritur rezultate konkrete në koalicioni VLEN për çështjet themelore të programit politik dhe duke theksuar se ishte e hapur për koalicione me çdo parti në interes të integrimit të shqiptarëve në pushtet lokal.
Në verë kjo zgjidhje u konkretizua edhe më tej me bashkëpunimin me Frontin Evropian të udhëhequr nga BDI dhe partnerë të tjerë brenda koalicionit të zgjeruar të quajtur Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI). Më 28 korrik 2025, u konfirmua se Fronti Evropian dhe ASH e Taravarit do të garojnë me kandidatë dhe lista të përbashkëta për këshilltarë në zgjedhjet lokale.
Kjo ndryshoi qartë pozicionin politik të Taravarit dhe strukturës së tij, duke e larguar atë nga vijimi strikt brenda VLEN-it dhe duke e integruar në një koalicion të përbashkët të subjekteve shqiptare me BDI-në dhe Frontin Evropian nën ombrellën e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI). Në këtë koalicion, ASH‑i i Taravarit mori pjesë aktive në përzgjedhjen e kandidatëve dhe strategjinë elektorale për zgjedhjet lokale, duke synuar përfaqësim të fuqishëm në komunat me shumicë shqiptare dhe një rezultat konkurrues kundër koalicionit VMRO‑DPMNE–VLEN.
Pra, largimi i Taravarit nga linja zyrtare e VLEN-it dhe bashkimi i tij praktik me strukturat që përfshijnë Bashkimin Demokratik për Integrim dhe Frontin Evropian/AKI shënoi një ndryshim të rëndësishëm në hartën e aleancave politike shqiptare të vitit 2025. Aleanca e Taravarit në AKI u bashkua edhe me Aleancën e Selës, të cilat më parë u ndanë për shkak të mospajtimeve për koalicionin parazgjedhor të zgjedhjeve parlamentare kur Taravari shkoi me VLEN-in dhe Sela me Frontin Evropian.
Marrëdhëniet VMRO–VLEN dhe stili i qeverisjes së Mickoskit
Raporti mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it gjatë vitit 2025 u karakterizua nga një disproporcion i qartë i fuqisë. Kryeministri Mickoski shfaqi një stil qeverisjeje dominues dhe shpesh konfrontues, duke i qortuar publikisht partnerët shqiptarë dhe duke minimizuar shqetësimet e tyre politike.
Ky kapadaillëk politik krijoi perceptimin se koalicioni funksionon më shumë si marrëveshje numerike sesa si partneritet i barabartë. Në vend të bashkëqeverisjes konsensuale, u konsolidua modeli i një pushteti të fortë qendror, me institucione të dobëta dhe partnerë të margjinalizuar.
Tragjedia e Koçanit si pasqyrë e dështimit sistemik
Zjarri në diskotekën në Koçan, ku humbën jetën 63 të rinj, ishte tronditja më e madhe e vitit 2025. Hetimet zbuluan se objekti kishte funksionuar me licencë edhe pse nuk u plotësonte kushtet, duke e kthyer tragjedinë në simbol të dështimit total institucional. Revolta qytetare dhe protestat e familjarëve kërkonin jo vetëm drejtësi penale, por edhe përgjegjësi politike.
Edhe pse u paralajmëruan hetime të gjera dhe u ngritën akuza, procesi gjyqësor u shoqërua me kritika për zvarritje, prova të mangëta dhe mungesë transparence. Familjarët e viktimave vazhduan marshimet për drejtësi, ndërsa besimi se shteti do të japë përgjigje të plotë mbeti i ulët.
Më 19 nëntor filloi gjyqi për të njëjtin rast, ndërsa të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Procesi gjyqësor është në vijim.
Rasti Arsovska – Çair dhe kriza e mbeturinave
Konflikti mes kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, dhe Komunës së Çairit u shndërrua në një nga përplasjet më të ashpra politike të vitit. Denoncimet për legalizime të paligjshme, kërcënimet dhe sulmi fizik ndaj Arsovskës sa vinin e shtoheshin.
Hetimet dhe kallëzimet penale u zhvilluan në një klimë të fortë politizimi, ku secila palë e akuzonte tjetrën për manipulim dhe selektivitet. Rasti i Çairit u shndërrua në simbol të mungesës së sundimit të ligjit në planifikimin urban dhe të paaftësisë së institucioneve për ta trajtuar krimin pa ndikime politike.
Nga ana tjetër kriza e mbeturinave në Shkup, e cila kulmoi me arrestimin e drejtorit të “Higjienës Komunale”, u prezantua zyrtarisht si luftë kundër keqpërdorimeve. Megjithatë, dinamika e ngjarjeve dhe momenti politik ngritën dyshime se rasti kishte edhe prapavijë politike, të lidhur me kontrollin e ndërmarrjeve publike dhe përplasjet mes pushtetit lokal dhe atij qendror.
Qytetarët u përballën me ndalesa, gjoba dhe kaos urban, ndërsa përgjegjësia politike u shpërnda në mënyrë të paqartë.
Derisa Shkupi mbytej në mbeturina për javë të tëra, pushteti dhe opozita vazhdonin ritualin e akuzave, njëra palë thoshte se mungonin makinat e pastrimit, tjetra se mungonte vullneti politik. Por sapo erdhi Gjorgjievski, për çudi, gjithçka nisi të funksionojë si me shkop magjik. Kamionët e pastrimit dolën në terren, mbeturinat u zhdukën dhe qyteti filloi të marrë frymë. Për shumëkënd, kjo u interpretua më shumë si skenar i përgatitur me kujdes-një teatër i tërë, vetëm që Gjorgjievski të shkëlqente në skenën e tij të parë publike si “shpëtimtari” i Shkupit.
Pagat, sindikatat dhe presioni social
Viti 2025 u shënua edhe nga pakënaqësi të mëdha sociale lidhur me pagat dhe standardin e jetesës. Vendim për rritjen e pagës minimale nuk mor me pretendimin se për këtë duhet të merren vesh punëtorët dhe punëdhënësit, duke shkaktuar protesta të Lidhjes së Sindikatave dhe tensione mes punëtorëve dhe Qeverisë.
Në dhjetor u mbajt seanca e Këshillit Ekonomik dhe Social (KES) të Qeverisë, ku, ndër të tjera, u diskutua rritja e pagës minimale. Kryetare i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Sllobodan Trendafilov tha le të ulen qeveria dhe punëdhënësit dhe të bien dakord për shumën që janë të gatshëm të rrisin pagën minimale, dhe pastaj “le të na thirrin neve sindikatave dhe të na tregojnë”.
Përfundimisht nuk u arrit marrëveshje, duhet të presim vitin 2026 të shohim se çfarë do të ndodhë.
Ndërhyrjet e pushtetit në gjyqësor dhe rrëshqitja e sundimit të ligjit
Gjatë vitit 2025, raporti mes pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësorit u shndërrua në një nga pikat më problematike të funksionimit të shtetit. Qeveria, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, ndërmori nisma të drejtpërdrejta për shkarkimin e kryeprokurorit dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, duke i arsyetuar këto veprime me nevojën për llogaridhënie dhe efikasitet. Megjithatë, mënyra dhe retorika e përdorur, shpesh përmes deklaratave publike dhe presionit politik, ngritën dyshime serioze për cenimin e pavarësisë së gjyqësorit.
Këto tensione u reflektuan edhe në komunikimin e drejtpërdrejtë të gjyqësorit me pushtetin. Prokurorët dhe gjyqtarët reaguan përmes letrave publike, duke akuzuar Qeverinë për sulme të paarsyeshme, mungesë mbështetjeje financiare dhe përpjekje për ta zhvendosur përgjegjësinë për dështimet sistemike mbi ta. Retorika e kryeministrit, i cili në disa raste lidhi emra konkretë të gjyqtarëve dhe prokurorëve me struktura politike ose etnike, e politizoi edhe më tej debatin dhe e minoi perceptimin e paanshmërisë institucionale.
Vlerësimet ndërkombëtare e përforcuan këtë shqetësim. Komisioni Evropian konstatoi se Qeveria po ndërhyn dhe po ushtron presion ndaj gjyqësorit, duke paralajmëruar për rrezik serioz të regresit në sundimin e ligjit. Dorëheqja e kryeprokurorit pak para shkarkimit formal dhe krizat e vazhdueshme në institucionet antikorrupsion nuk e qetësuan situatën, por përkundrazi e forcuan bindjen se drejtësia në vitin 2025 u bë një fushë beteje politike, ku pavarësia institucionale mbeti e brishtë dhe e kushtëzuar nga vullneti i pushtetit ekzekutiv.
Zgjedhjet lokale 2025, zhvillimi dhe rezultatet
Rezultatet e zgjedhjeve lokale 2025 treguan ndryshim të dukshëm në hartën politike lokale të Maqedonisë së Veriut. VMRO‑DPMNE fitoi 54 komuna dhe Qytetin e Shkupit, duke arritur fitore shumë të fortë në nivel të vendit dhe duke zgjeruar edhe më tej dominimin e saj në komunat maqedonase. Kjo përfshin edhe bastione ku partia tradicionalisht është e fortë, si dhe disa komuna ku kishte balotazhe të ngushta. Koalicioni VLEN me mbështetjen e VMRO-së arriti të fitojë 9 komuna, kryesisht ato urbane në bllokun shqiptar.
Koalicioni AKI (drejtuar nga BDI së bashku me Aleancat për Shqiptarët e Ziadin Selës dhe Arben Taravarit) arriti të fitojë vetëm 4 komuna, dhe asnjë nga komunat e mëdha urbane, çka përbën një zhgënjim të madh për partinë që tradicionalisht ka qeverisur me më shumë njësi lokale.
LSDM fitoi 6 komuna, por kjo ishte shumë më pak se rezultatet e saj në zgjedhjet lokale të mëparshme, duke reflektuar një humbje të madhe të mbështetjes.
Menjëherë pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale (19 tetor 2025), BDI-ja analizoi rezultatet. Rezultatet e para tregonin se partia mbeti pas VLEN-it dhe AKI në shumë vende ku normisht pritej të shfaqte dominim. Kryetari Ali Ahmeti deklaroi se, pavarësisht humbjeve në disa zona, koalicioni AKI sipas tyre fitoi “mandat moral dhe politik” me një diferencë të konsiderueshme vote, duke u përpjekur të interpretonte rezultatet në favor të strukturës së partisë.
Me rezultatet e para, BDI/AKI identifikoi se raundi i dytë do të ishte vendimtar për të ruajtur ndikimin e tij në nivel lokal. Por, rezultatet e raundit të dytë konfirmuan humbjen e thellë për BDI/AKI.
Rezultatet e vitit 2025 për BDI/AKI përbëjnë një nga humbjet më të mëdha elektorale në dekadat e fundit për këtë parti shqiptare që ka qenë dominante për mbi 20 vjet.
Pas këtij debakli, kryetari i Aleancës për Shqiptarët e Ziadin Sela, u largua nga koalicioni duke thënë se tani e tutje ASH do të veprojë në mënyrë autonome dhe si grup i pavarur në Kuvend, duke ndarë kështu rrugët me koalicionin AKI.
Në fund të vitit, u bë e qartë se skena politike e brendshme mbeti e polarizuar. Koalicioni VMRO–VLEN vazhdoi të funksionojë, por me tensione të brendshme dhe mungesë harmonie të plotë. LSDM mbeti opozitë aktive dhe kritike, por ende pa arritur të krijojë një momentum të fuqishëm politik. Ndërkohë, qytetarët vazhduan ta ndjekin politikën me skepticizëm dhe mosbesim, në një vit që më shumë testoi qëndrueshmërinë e aktorëve politikë sesa solli stabilitet afatgjatë.
Kujtojmë se edhe në vitin 2024, Maqedonia e Veriut përjetoi ndryshime të mëdha politike. Në janar, u formua qeveria teknike me Talat Xhaferin, duke e bërë atë kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Kjo Qeveri përgatiti vendin për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 8 majit 2024. Gordana Siljanovska-Davkova fitoi zgjedhjet presidenciale, duke mposhtur Stevo Pendarovskin dhe u bë presidentja e parë grua e vendit. Partia VMRO-DPMNE, e udhëhequr nga Hristijan Mickoski, fitoi zgjedhjet parlamentare, duke siguruar 58 vende dhe duke shkaktuar debakël të thellë për LSDM-në. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) humbi pushtetin pas 20 vjetësh, duke i lënë vendin koalicioneve të reja politike. Gjatë këtij viti, pati përplasje politike për Balancuesin dhe Ligjin për Gjuhët.