Një numër në rritje i lëndëve penale, duke filluar nga drejtimi i automjetit në gjendje të dehur deri te përdhunimi, po ngrihen kundër ushtarëve amerikanë në Japoni, duke ngritur shqetësime serioze, transmeton Anadolu.
Ka pasur 118 raste penale ku ka qenë i përfshirë personelin ushtarak amerikan në Japoni në vitin 2023, dhe prej tyre, 72, ose 61 përqind, janë kryer në provincën Okinawa, ku janë përqendruar objektet ekskluzive ushtarake amerikane, sipas agjencisë japoneze të lajmeve Mainichi Shimbun.
Provinca Okinawa, ku gjenden 31 objekte ekskluzive ushtarake amerikane që mbulojnë 70,3 për qind të lokacioneve të tilla në mbarë vendin sipas sipërfaqes tokësore, është pritësja e afërsisht gjysmës së 50.000 trupave amerikane të dislokuara në Japoni sipas një pakti dypalësh sigurie.
Në vitin 2022, Okinawa përbënte 51 për qind të krimeve të kryera nga personeli ushtarak amerikan në Japoni, duke nënvizuar numrin disproporcional të shkaktuar nga përqendrimi i lartë i bazave amerikane në rajon.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Policisë, 72 nga 118 rastet që përfshijnë personelin ushtarak amerikan të raportuar në Japoni në vitin 2023 kanë ndodhur në Okinawa.
Rastet e mbetura kanë ndodhur në Kanagawa (19), Tokio (10), Yamaguchi (8), Aomori (4) dhe Nagasaki (3).
Në vitin 2022, kishte 106 raste, me 54 në Okinawa, 17 në Kanagawa, 14 në Tokio dhe 13 në Yamaguchi. Okinawa vazhdimisht kishte një numër dukshëm më të lartë të rasteve sesa provincat e tjera në të dy vitet.
Sipas të dhënave të Policisë Provinciale në Okinawa, 6.163 raste kriminale që përfshinin personelin ushtarak amerikan kanë ndodhur në provincë që nga viti 1972, kur Okinawa iu kthye Japonisë nga kontrolli i SHBA-së. Gati gjysma e tyre (3.034) ishin vjedhje, por kishte edhe 398 raste grabitjeje, 134 përdhunime dhe 27 vrasje, që tregon një numër të konsiderueshëm krimesh të tjera të rënda.
Agjencia Kombëtare e Policisë raportoi se në vitin 2023, kishte 67 raste në Japoni ku personeli ushtarak amerikan u hetua për shkelje të ligjit të trafikut rrugor. Nga këto, 47 kanë ndodhur në provincën Okinawa, me 43 që përfshinin incidente në gjendje të dehur.
Në vitin 2023, Okinawa regjistroi gjithashtu shtatë aksidente trafiku që përfshinin personelin ushtarak amerikan që rezultuan në lëndime ose vdekje, me katër nga shoferët që ishin nën ndikimin e alkoolit.
“Kjo është diçka që nuk duhet të ndodhë… Këto incidente janë jashtëzakonisht për keqardhje, dhe kur mendoj për viktimat… jam thellësisht në dhimbje si ministër i Jashtëm”, tha Ministrja e Jashtme japoneze Yoko Kamikawa në fillim të këtij viti.