Azili në BE, Kali i Trojës dhe përgjumja shqiptare

Sado që të jetë tragjike-komike deklarata e ish-kryeministrit Gruevski, se ka ikur nga vendi dhe ka kërkuar azil në Hungari “për të mirën e popullit dhe mbrojtjes së kauzës maqedonase”, nuk duhet të merret në mënyrë aq naive, kur të kihet parasysh konstruksioni gjeostrategjik i ndikimit rus viteve të fundit në Ballkan, sidomos në Maqedoni, ku kishin zgjeruar një çerdhe agjenturash, zbuluesish dhe kundër-zbuluesish të ngjyrave të ndryshme nën plafin e veprimit diplomatik, deri në organizimin e ikjes së tij, apo të kidnapimit, siç preferon të thotë kryeministri aktual Zaev, i cili, mbase ka më shumë informacione, që do të zbardhen në ditët në vijim.

Në këtë rrafsh, një gjë është e sigurt: duke dhënë strehim për një të dënuar për vepra kriminele në një shtet të BE-së, siç është Hungaria, po vihet në sprovë të madhe edhe vetë BE-ja që proklamon “sundimin e të së drejtës”, si vlerë civilizuese për vendet aspirantë dhe, po qe se nuk reagon shumë shpejt, do të ketë një devalvim moral dhe mosbesim në sytë e vendeve të Ballkanit, kur tolerohet një rast i këtillë pa precedencë dhe që ngrit një “model” të sjelljes azilkërkuesish të liderëve të tjerë shtetesh jashtë saj, që janë pllakosur në këtë baltë kriminogjene.

Një gjë pritet të shihet, nëse do të mjaftojnë 800 faqe shkresash dhe dokumentesh që i janë qepur kërkesës së palës maqedonase dërguar institucioneve përkatëse hungareze për ekstradimin e Gruevskit në Maqedoni dhe, në rast të kundërt, nëse diplomacia maqedonase do të ndërmarrë hapa më rigidë për t’u përgjigjur me prishjen e marrëdhënieve ndërshtetërore maqedonase-hungareze, fjala vjen me tërheqjen e diplomatëve maqedonas nga Hungaria dhe të hungarezëve nga Maqedonia.

Sido që të jetë, parashikimet se ikja e Gruevskit jashtë vendit mund t’i shkaktojë më shumë dëm qeverisë së Zaevit, mund të dalin reale, sepse me këtë rast është i pashmangshëm trazimi i skenës politike në vend, që assesi nuk i shkon përshtat kryeministrit të tashëm Zaev, i cili është në tajming me agjendën e vet të ndryshimeve kushtetuese, që do rezultojë me ndërrimin e emrit të shtetit. Zaev mund të dalë humbës i dyfishtë, nëse në këtë kontekst përmenden edhe shqiptarët, të cilëve u përgatiti një “kalë Troje”, që në mënyrë tinëzare t’i shndërrojë në kushtetutën e re në qytetarë pa përkatësi etnike, së cilës do t’ia vinte vulën me operacionin statistikor të regjistrimit të popullatës në vitin 2020. Duke humbur kohë në këto telashe, Zaev pa dashur do t’i zgjojë nga përgjumja shqiptarët, të cilët jo vetëm që mund t’i bëjnë obstruksione të fuqishme, por edhe të përfitojnë nga ato, duke inkorporuar në kushtetutë “platformën shqiptare”.

Nga shkrimet paraprake të Ismail Arsllanit:

Si u themelua dhe veproi në Tetovë organizata ilegale “Besa” (1936)
Sheh Mustafë Tetova, strategu i Lidhjes së Prizrenit
Mehmetriza Gega, prijësi sypatrembur i demonstratave të Tetovës (1968)
Një “festë” e mallkuar moniste e tetovarëve
Një histori e heshtur për tetovarët në Amerikë
Xha Abdullah Jusufi me shokë përgatiti ngritjen e flamurit kombëtar në Tetovë
Shkrimet e para për Tetovën më 1878 në gazetat britanike
Për Kasaphanën dhe lisin e Tafës në Tetovën e vjetër 
Shpat Sharri dhe njerëzit me çanta të zeza
Nga katrahura e vendlindjes në ballë të demonstratave shqiptaro-amerikane
Anëtarët e “Besës” përcillnin situatën në Tetovë nga kafeneja “Kosova”, 1941

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button