Shpat Sharri dhe njerëzit me çanta të zeza

Ismail Arsllani

Ismail Arsllani

Ngjashëm me të pandehurin, i cili, kurdo qoftë, gjithsesi një ditë, i kthehet vendit të deliktit, edhe Shpat Sharri, tashmë njeri në moshë, ndodhi që, për një çast, t’i kthehet kujtesës së fëmijërisë. Pasi mbështeti gishtin tregues te koka, shtangu shikimin diku larg në një zbrazëtirë kohe dhe, mori veten tek kur kishte bluar trurin, ashtu së koti, për atë se ç’kishte ngrënë në fëmijërinë e tij të hershme!? Gërmoi e gërmoi paksa në trurin gri dhe, përnjëherë, prafulloi drita mes bebëzave…Çfarë mrekullie, po të mos i kujtohej dita e parë e shkollës, asnjëherë nuk do të dinte se ç’kishte ngrënë për mëngjes, në moshën kur kishte vetëm pesë vjeç. Kishte filluar kështu, pak nga pak, kthimi i shiritit të kujtesës në rradaken e tij, për një kohë të perënduar, madje, pikërisht tash, në këtë moshë kur kishte zënë t’i dalë nga mendja edhe ajo se ç’kishte të shtruar në darkë, një ditë më parë. Ky, jo që shquhej për nga hollësia e mendjes, por, ja që, thjesht iu kujtua.

Kësisoj, Shpat Sharri filloi të përtypë me ngadalë edhe më tej kujtesën e tij. Sakaq filluan t’i hapen horizontet. Kishte parë veten të mbërthyer në kohë të largëta, që e shtynë të fillojë  belbëzimin e heshtur të rrëfimit.

Shumë moti, një ditë shtatori me diell, kur Shpati ishte si thupër, i brishtë, sapo kishte kaluar ditëlindjen e pestë, tek shtëpia e tij e vogël kishte behur kushërira, me gjithë të vëllanë më të vogël, që së bashku të shkonin në shkollën e qytetit Enea, në atë më të mirën, të cilën, në atë moshë nuk e dinte se ku gjendej, ndonëse ishte vetëm dyqind metra larg. Mysafirët e pa ftuar, gjetën Shpatin ndër pojatë, duke ngrënë përshesh me kos, që ia kishte përgatitur nëna, si peshqesh, për ditën e parë të shkollës, në vjeshtën e largët të vitit 1953, atëbotë kur përsheshi me kos dukej në shumë familje vetëm për festa. Sapo iu kujtua ky detaj i fëmijërisë, Shpat Sharrit, të cilit tashmë i kishin rënë disa dhëmbë e disa ishin shtrembëruar, iu rehatua shpirti.

Në këtë meditim të tij që çonte drejt shtigjeve të largëta të kujtesës, doli një dëshmi për të mos besuar. Në atë kohë, në shkollë kishte pasur foshnjore, ku regjistroheshin fëmijët sapo kishin mbushur pesë vjeç. Këta pesëvjeçarë, me gëzim të madh i suleshin drejt bankave shkollore. Bankat e kësaj shkolle të përmendur kishin qenë prej druri, të vjetra, të gërvishtura anembanë, të larta deri në fyt, të vendosura në një klasë të madhe, pa fund. Nxënësit ishin tepër të imët, të zverdhur, të zbathur, por sy hapur pritnin mësuesen, të ulur me nga katër në një bankë. Në këtë foshnjore të vetme ishin jo më pak se 80 sish, që Shpati mund të dëshmojë me foton e fundvitit, të cilën e kishte ruajtur si sytë e ballit.

Për pak, ky, Shpat Sharri, ndalet, ka një bllokim truri, një boshllëk, një kërcim të memories drejt një kohe tjetër, pasuese, në klasën e parë, pastaj në klasën e dytë e kështu me radhë…

Ç’fat i madh ishte për Shpat Sharrin që në klasën e pestë të kësaj shkolle kishte një arsimtar shumë i dhënë pas lëndës së vet, asaj të gjuhës shqipe, të cilin e quanin “Zotni Migjeni”, sepse në atë kohë nuk kishin fort merak të thërritnin “mësues”. Ky arsimtar, me pasion të madh lexonte vargjet e Migjenit, derisa në ballë nuk i dilnin piklat e djersës. Shpati, nxënës, i vockël, i pa mbathur e pa ngrënë, dukej si një pikturë realiste që pasqyrohej në trupin e tij.

Shpati nuk arriti të kthjellojë në kokën e tij nëse Zotniu i gjuhës shqipe e kishte detyruar apo e kishte bindur, sikundër edhe nxënësit e tjerë, të cilët ishin skamnorë, që t’i parapaguante një herë në javë, në  një gazetë ku kishte edhe faqe për fëmijë. Ndoshta, asokohe edhe botohej vetëm aq, një herë në javë. Kjo gazetë, si me magji, për një kohe të shkurtër i kishte mbjellë një diçka të pa përshkruar në shpirtin e tij. Kishte kaluar një vit, fëmijët, si abonentë të gazetës, nuk dinin si ta ndalnin më tej ardhjen e saj në adresë të shtëpisë, ndaj dhe ishin bërë disa vite që vazhdonte t’u shkonte gazeta, e cila pritej me padurim ditëve që dilte nga shtypi.

Një ditë vere, befas, kishin trokitur fuqishëm te dera, si thoshte babai i tij, ndjesë pastë, “trokitje pushteti”, dhe kur kishte dalë me babanë, kishin parë përpara disa njerëz të vrazhdë, me çanta të zeza në dorë. Ata nuk donin shumë diskutime, justifikime e shprehje dhembshurie. Kërkonin me ngulm trishtues pagesën urgjente të parave të parapagimit të gazetës, në një shumë prej një rroge të atëhershme!

Rrugica me kalldrëm, me gjithë shtëpitë, shkuan rrotull përpara syve të Shpatit, në atë moshë minore. Ku do t’i gjenin gjithë ato para që i kërkonin këta njerëz të paskrupull, kur babai i tij nuk kishte rrogë të rregullt dhe siguronte bukën e ditës me punë krahu e me shumë mund?! Se ç’u bë më tej kjo punë, një Zot e di…

Shpati, i cili kishte filluar të lëshojë shtat në vitet që pasuan, në mungesë të gazetës së ndaluar, që i kishte lënë vragë në shpirtin e tij, të mishëruar me dashurinë për të lexuar, iu ngjit bibliotekës së  shkollës. Lexonte në vijim libra, ndërsa gjatë pushimeve verore bënte gara me shokun e tij të fëmijërisë (kur kishte ngrënë përshesh me kos), se kush më shumë libra do të lexojë. Ndodhte që për një, dy apo tri ditë, t’i kthenin librat e lexuar në bibliotekën shkollore, përderisa një ditë nuk i kishte qortuar Zotniu i gjuhës shqipe, duke kujtuar se nuk i lexonin! Por ata s’dinin si të vërtetonin se nuk gënjenin.

Atë verë të klasës së tetë kishin lexuar mbi 20 libra. Adoleshenti ndjente sikur truri i grafullonte dhe kishte një obsesion për ta shfryrë atë akumulim letrar. Kësisoj ndodhi që në verën e parë të pushimeve të shkollës së mesme, të vendos të shkruajë një “roman”, të cilin e kishte filluar kështu: “Në pranverën e vitit të mbrapshtë, kur u nxi behari nga një acar i pazakontë…” Kishte shkruar disa faqe dhe i ishte shterur truri e ishin harxhuar fjalët, për të mbetur një kohë ashtu të paprekura fletët mes librash, derisa nuk ishin zverdhur dhe ishin shndërruar në relikte të së kaluarës, që dëshmonin për një sfidë djaloshare.

Pas disa vitesh, djaloshit njëzetvjeçar, student në një kryeqendër, pas një leximi letrar i ishin afruar tre studentë absolventë, të cilët më vonë ishin bërë shkrimtarë me nam, për t’i ofruar punë në një revistë për letërsi, art dhe kulturë, një projekt i huaj në tri gjuhë. Aty kishte punuar nja dy vjet dhe kishte fituar përvojën e parë letrare. Kur ishte kthyer në vendlindje, shumë shpejt kishte hyrë në botën e shkrimeve.

Fati kishte dashur që në qytetin e tij, për herë të parë pas rrëzimit nga froni të një satrapi famëkeq “udbist” dhe vendosjes së njëfarë liberalizimi të jetës në shtet, të organizohej “Java e filmit shqiptar”, me produksionet më të reja të Shqipërisë amë, një manifestim i rrallë për publikun e etur shqiptar këndej kufirit, ndaj dhe salla e kinemasë së qytetit për shtatë ditë mbushej përplot. Shpat Sharri raportonte si praktikant për këtë ngjarje kulturore, për një radio lokale të qytetit. Kjo punë fillestare, i kishte hapur shteg që të pranohet në marrëdhënie të rregullt pune dhe të fillojë me shkrime profesionale.

Në atë shtëpi për informim, botohej një javore dhe punonte një radio. Shumë shpejt i kishte hyrë punës për të përgatitur një emision humoristik, që i mungonte programit shqip, krahas atyre ekzistues për gruan, shëndetin, fshatin e ku ta di për çka tjetër. Emisioni humoristik emitohej të shtunave. Në atë termin, Shpati praktikant dilte  andej nga “Çarshia”, ku kishte disa çajtore përplot me njerëz dhe ku jehonte zëri i radios, që të shohë me sy e të dëgjojë me veshë reagimin e dëgjuesve të gjetur aty. Kishte vërejtur që nga zhurma e gurëve të “dominos” dhe përplasja e figurave të shahut, nuk kishte fort mundësi që disa të tjerë të interesuar të dëgjonin këtë emision, i cili shumë shpejt ishte popullarizuar. Megjithatë ndjente një kënaqësi të veçantë, që zëri depërtonte gjithandej.

Kishin kaluar shumë vite dhe ishte shembur një sistem, ndërsa njerëzit pritnin duar hapur  pluralizmin, që do t’i shkëpuste prangat e monizmit. Thoshin se kishte filluar demokratizimi, madje edhe në media. Një ditë kishte ardhur në zyrën e tij që gjendej prapa postës së qytetit, prej nga raportonte për një të përditshme me renome, pronari i një televizioni, i cili i ofroi punë në një projekt për lajme në televizion. Kjo ofertë, nga kjo distancë kohore, as s’mund të perceptohet drejt, sepse asokohe ishte diçka si iluzion. Si të sajoheshin lajme për një televizion, kur nuk kishte përvojë në këtë rrafsh. Televizioni i vendit emitonte vetëm 20 minuta në ditë në gjuhën shqipe. Ishte pra një fushë e paprekur.  Megjithatë, Shpat Sharri kishte pranuar sfidën dhe kishte propozuar që në fazën e parë të përgatitjes së emisionit, të kishte një përmbledhje lajmesh e ngjarjesh disaditore që do të emetohej të shtunave, në terminin qendror të televizionit.

Këto, mbase, ishin lajmet e para në një televizion privat, ndër të parët që u hapën në vend në këtë gjuhë. Duhej të përgatiteshin materialet gjatë gjithë javës, me mund të madh dhe me një ekip të vogël, por rezultati shumë shpejt kishte qenë inkurajues, ngase ishte pritur shumë mirë nga shikuesit e qytetit. Ekipi kishte dalë në terren, me një veturë “Golf” të vjetër dhe me një kamerë modeste, me mikrofona që shpesh humbnin lidhjen. Sprova zgjati katër muaj dhe, pastaj, reflektorët ishin shuar. Përvoja në këtë profesion televiziv, mjerisht, mbeti vetëm si një episod i zbehtë i jetës së Shpat Sharrit.

Nga shkrimet paraprake të Ismail Arsllanit:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP