Për Kasaphanën dhe lisin e Tafës në Tetovën e vjetër

Shqiptaro-amerikani Abdylsami Xhaferi nga Çikagoja (SHBA), një veprimtar i dalluar në mërgatën shqiptare, gjithnjë dhe kudo i pranishëm kur ka qenë rasti për kombin dhe flamurin, edhe pse tashmë paksa në moshë, në asnjë çast nuk e nxjerrë nga mendja vendlindjen e tij, Tetovën dhe njerëzit e saj, duke e cilësuar veten, madje, me epitetin “tetovari i vjetër”. Ai komunikon nëpërmjet postës elektronike dhe rrjeteve sociale me tetovarët e tij, që aq shumë i do. Ndonëse mori botën në sy që në moshën rinore, në vitin 1969, duke u arratisur nga hordhitë komuniste të asaj kohe, ka një prirje të rrallë dhe memorie të fuqishme për të mbajtur mend në detaje ngjarjet e vjetra,  emrat, shtëpitë dhe lagjet e Tetovës, sikur në shirit filmi.

Ismail Arsllani

Shkruan: Ismail Arsllani

Çifligu i Derallajve dhe treni i vogël

“Deri në vitin 1969, sa më kujtohet, pranë hekurudhës Tetovë-Gostivar, ishte një rrugë paralele, që quhej “Rruga e Qoses”. Drejtimin e saj, në disa vende mori hekurudha, kurse një pjesë, mbi çifligun e Derallajve, që ishte në perëndim të “Ujit të ftohët”, afër fshatit Saraqinë, u nacionalizua nga shteti dhe u shndërrua në kooperativë bujqësore. Aty pranë ishte një udhë fushe që e “ndërpriste” rrugën Tetovë-Shkup, që quhej udha e Mazarit (Masllarit), kurse përreth saj ishin binarët e “trenit të vogël”, që funksionoi deri më 1951, ndërsa më vonë u ndërtua hekurudha e trenit me binarë “normalë”.

Më afër qytetit, një vend i quajtur “Rasadnik”, pronë e disa banorëve të Rashçes, po ashtu ishte nacionalizuar nga pushteti. Në atë kompleks, përballë Monopolit të Tetovës, aty ku u ngrit kombinati industrial i drurit “Jellak”, ishin varrezat e myslimanëve, ndërsa në afërsi kishte edhe një varrezë tjetër. Nga viti 1951-1952 u ndërtua pranë kombinatit “Jellak”, fabrika për grumbullimin dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve “Miçurin”, ndërsa Stacioni i sotëm i trenit u ndërtua në vitin 1952, me aksione të shumta punuese, ku u përfshinë edhe shumë shqiptarë”, përshkruan kështu Tetovën e messhekullit të kaluar, Abdylsami Xhaferi.

Xhaferi, më tej, vazhdon: “Kazerma e Ushtrisë ishte në afërsi të hekurudhës së trenit, në lokacionin e sotëm të Qendrës Sportive. Në kohën e turkut, aty ka qenë një “Kasaphane” për therjen e kafshëve. Te vendi i quajtur “Cigllana”, ku me kallëpe, prej balte prodhoheshin tulla që “piqeshin” në diell, pranë rrugës Tetovë-Gllobiçicë-Ferizaj, ishte stadiumi i vjetër i qytetit, i rrethuar me dërrasa, ndërsa në pjesën e sipërme të rrugës dhe pas stadiumit, ishin varrezat myslimane. Stadiumi u rindërtua në vitin 1953, kur përreth u ngritën mure dhe u shtua sipërfaqja e fushës dhe tribunave. Aty mbi “Kasaphane”, bëhej fshirja e grurit me kuaj që rendnin të lidhur për një shtylle druri gjithë muajin korrik.

Në këtë lokalitet kishte një lis i lartë, i vjetër, i njohur me emrin Lisi i Tafës, për etimologjinë e të cilit nuk dihet. Ky lis, siç flitej, ishte i vjetër mbi dy shekuj dhe ishte një nga dëshmitarët e rrallë, memecë, që bëzante për ndodhitë e rënda ndër shekuj në kasabanë rrëzë Sharrit.

Përreth lumit Shkumbin, në pjesën e poshtme periferike të qytetit, ishte një “Tabakhane”, ku përpunoheshin lëkurat e kafshëve. Përballë varrezave, mbi Monopolin, ishte Stacioni i trenit të vogël, që gjendej në përfundim të lagjes së ashtuquajtur të “Qystebekut” (Urithit), ndërsa pak më në perëndim ishte Stacioni i Veterinarisë dhe pranë tij gjendej edhe Xhamia e Serçebegut, të cilën pushteti e rrënoi nga vitet 1952-1953”.

Abdylsami Xhaferi

Abdylsami Xhaferi

 

“Mbi parcelën e “Tabakhanes”, në perëndim, pranë lumit Shkumbin shtrihej një sipërfaqe e madhe e tokës, që ishte në pronë të Derallajve, ku ishte ndërtuar edhe pallati i Halim Bej Derallës, të cilin pas Luftës së Dytë Botërore e nacionalizoi pushteti dhe e shndërroi në spital të qytetit. Në pjesën mbi spitalin e qytetit, përgjatë lumit Shkumbin, ishin hapësira në pronë të Vakëfit, ku kishte një medrese. Edhe kjo godinë u nacionalizua dhe u shndërrua në Banjë publike. Në rrugën kryesore për në Gostivar, më poshtë se Hamami i vjetër, kishte një mulli, i cili ka ekzistuar deri në vitin 1954. Afër Spitalit të qytetit, në afërsi të Urës së Gurit, kishte edhe një mulli tjetër, objekti i të cilit ekziston edhe sot, paksa i përshtatur për banim, prej nga fillonte shtrirja e Mëhallës së Qelebekut (Fluturës)”, përshkruan Xhaferi me saktësi lagjet e harruara të Tetovës nga viti 1950-1955.

Tetova “kasaba” karakterizohej me lagjet dhe furrat

Tetova, në gjysmën e parë të shekullit 20 ishte një kasaba, me infrastrukturë të vjetër, kryesisht orientale, me kapacitete të vogla prodhuese dhe ishte e ndarë në lagje apo mëhalla. Tetovarët më të moshuar thonë se qyteti i shekullit të kaluar ka pasur mbi 30 mëhalla, që kanë funksionuar si njësi më të vogla të qytetit. Ato kishin emërtimet e veta dhe kishin etimologji të ndryshme. Disa prej tyre kishin edhe etimologji turke, si trashëgimi kulturore e gjuhësore nga osmanlinjtë përgjatë shekujve në këto troje.

Një nga rrugët kryesore të Tetovës së vjetër
    Një nga rrugët kryesore të Tetovës së vjetër

Sipas Abdylsami Xhaferit, në Tetovë gjatë shekullit të kaluar kanë qenë këto lagje apo mëhalla: mëhalla e Jevgjve, mëhalla e Eski Xhamisë, mëhalla e Tumbës, mëhalla e Manit, mëhalla e Qystebekut, mëhalla e Tophanes, mëhalla e Çapçakut, mëhalla e Potokut, mëhalla e Sahatit, mëhalla e Çifteagaçit, mëhalla e Varroshit,  mëhalla e Pelenave, mëhalla e Kralave, mëhalla e Kolltukut, mëhalla e Serçebegut, mëhalla e Gamgamit, mëhalla e Çarshisë së Epërme, mëhalla e Jag-Pazarit, mëhalla e Kazazëve, mëhalla e Qelebekut, mëhalla e Xhamisë së Pashës, mëhalla e Balezës,  mëhalla e Çarshisë, mëhalla e Bazhdarhanes, mëhalla e Pançikovës, mëhalla e Klikovës, mëhalla e Teqesë, mëhalla e Përzhovës, mëhalla e Tabakhanes, mëhalla e Hajdutëve e ndonjë tjetër që nuk u përmend këtu. Në ndërkohë janë krijuar në Tetovë edhe shumë lagje të tjera, me emërtime konkrete, që mbeten për të studiuar në të ardhmen.

Në çdo lagje më të madhe të Tetovës ka pasur furra të bukës. Te mëhalla e Eski-Xhamisë ka qenë furra e xha Refikut, te lokaliteti i quajtur “Mani” ka qenë furra e xha Uzeirit, afër saj furra e xha Zejnullahut, në Tophane furra e xha Abdullahut. Te mëhalla e Gamgamit ishte furra e xha Selamit, i cili u shpërngul në Turqi, te Kadastra e vjetër furra e xha Azizit, në Çarshi të Epërme furra e xha Halilit /e thirrnin Halil planci, për shkak të barkut të tij të madh. Në lagjen “Shtipska” ishte furra e Qazim Torbeshit.

Të gjitha furrat e bukës në Tetovë kanë historinë e vet tejet interesante. Ishte edhe furra e xha Refikut, i cili përherë kërkonte t’i tregohet një copë shkopi (kunji), të cilin e quanin “çetele”, ku shënonte  vija  me thikë (në vend të fletores), për të mbajtur mend numrin e tepsive me bukë të pjekur, në mënyrë që të mblidhte “haraçin” në fund të muajit. Ndodhte që gratë të cilat nuk i kishin burrat në shtëpi, të nxirrnin tepsitë me bukë përpara derës dhe kalimtarët e rastit i merrnin dhe dorëzonin në furrën më të afërt, kurse furrtari njihte të kujt ishin për nga pamja e tepsisë.

Një karakteristikë tjetër e Tetovës “kasaba” ishin edhe krojet apo çezmat, që ishin ngritur nga bamirës tetovarë, që asokohe kishin mundësi materiale. Një nga çezmat më të njohura, që është edhe pikë identiteti për Çarshinë e Epërme të qytetit, ishte dhe qëndron edhe sot, çezma e Balezës. Këtë çezme e kishte ndërtuar i pari i familjes Baleza. Lidhur me këtë çezme ekzistojnë disa gojëdhëna dhe legjenda shumë interesante, që do të jenë objekt hulumtimi në të ardhmen.

One thought on “Për Kasaphanën dhe lisin e Tafës në Tetovën e vjetër

  1. Shume publikime interesante we per fat te keq nuk ja me te publikuar me historografine Tetova neper shekuj.ketu flasin edhe disa monumentse te vjetra historike,so gjurme te ketij populli me keto vse

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP