Xha Abdullah Jusufi me shokë përgatiti ngritjen e flamurit kombëtar në Tetovë

Këtyre ditëve, në moshën 95 vjeçare, ndërroi jetë xha Abdullah Jusufi nga Tetova, atdhetar i shquar për çështjen kombëtare, i cili tërë jetën mbajti plisin e bardhë në kokë. Xha Abdullahu, ishte i biri i Hafëz Xhemil Efendiut, ligjërues i fesë në Universitetin e Stambollit, luftëtar i paepur për arsimimin e shqiptarëve dhe kundërshtar i rreptë i shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Në një bisedë të zhvilluar me xha Abdullahun në Tetovë, në vitin 2007, i ka rrëfyer autorit të këtij shkrimi në detaje ngjarjen rreth ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar në sheshin e Tetovës.

Shkruan: Ismail Arsllani
Shkruan: Ismail Arsllani

“Në fillim të prillit të vitit 1941, rrobaqepësi Idriz Cërcëri, i cili ishte nga radhët e organizatës ilegale “Besa” në Tetovë, kishte mbledhur disa të rinj, të cilët do të organizonin pritjen e trupave gjermane në hyrje të Tetovës. Që t’u tregonim gjermanëve se këtu jetojnë me shumicë shqiptarët, u vendosë që të gjithë të rinjtë shqiptarë të mbajnë plisa të bardhë. Në ditën që duhej të hynin trupat gjermane në Tetovë, shumë të rinj dolën t’i presin trupat gjermane në afërsi të Monopolit, në vendin e quajtur “Dulie”, ndërsa Idriz Cërcëri, i cili e dinte gjermanishten, kishte shkuar t’i presë disa qindra metra më përpara”, rrëfente për ato ditë të okupimit gjerman në Tetovë, Abdullah Jusufi, edhe vetë anëtar i organizatës “Besa”.

Disa ditë më vonë, Abdullah Jusufi, bashkë me Abdurrahman Tresin, kishin bërë një skicë të shqiponjës dykrenore, ndërsa kallëpin e shqiponjës duhej ta shtypnim në një pëlhurë të kuqe, të cilën e kishim siguruar  nga dyqani i tekstilit të Abaz ef. Myhedinit. Përgatitjen e flamurit të parë shqiptar në Tetovë e kishin bërë në dyqanin e rrobaqepësisë të Idriz Cërcërit, ndërsa lejen për ngritjen e flamurit shqiptar e kishim marrë nga disa oficerë gjermanë.

Ballkoni pranë Xhamisë së Çarshisë, ku në vitin 1941 u ngrit për herë të parë jo zyrtarisht flamuri shqiptar
Ballkoni pranë Xhamisë së Çarshisë, ku në vitin 1941 u ngrit për herë të parë jo zyrtarisht flamuri shqiptar

“Në ditën që duhej të ngrihej flamuri shqiptar, rruga kryesore e qytetit ishte mbushur përplot njerëz. Unë dhe Muharrem Jusufi, çamë turmën e njerëzve me flamurin në dorë dhe u drejtuam kah ndërtesa e Vakëfit që gjendej pranë Xhamisë së Çarshisë në sheshin e qytetit. Hipëm në ballkon dhe prej aty e valëvitëm flamurin shqiptar, ndërsa disa gjermanë fotografonin këto momente historike për shqiptarët”, përshkruante me shumë emocione xha Abdullahu këto momente historike për Tetovën.

Abdullah Jusufi, në ditët e rinisë
Abdullah Jusufi, në ditët e rinisë

Pas disa ditësh, flamuri shqiptar ishte ngritur për herë të parë edhe zyrtarisht, bashkë me flamurin gjerman dhe italian, në ballkonin e ndërtesës së Bashkisë në Tetovë, ku ishin të pranishëm oficerë gjermanë dhe italianë, si dhe personalitete të tjera të rëndësishme të Tetovës, ndërsa në oborrin para ndërtesës ishin tubuar shumë njerëz që deshën të jenë dëshmitarë të këtij manifestimi madhështor.

“Ato ditë, duke qëndruar në kafenenë “Kosova”, pranë ballkonit ku u ngrit flamuri shqiptar, që gjendej përballë hotelit “Jadran” (hotel “Liraku”), ku tuboheshin bullgarofilët, në xhamat e këtij hoteli ishte ngjitur një proklamatë, në të cilën paralajmërohej popullata ortodokse sllave që të mblidhet te Kisha e qytetit, prej nga kolona e njerëzve me flamurin bullgar do të marshonte  drejt sheshit të qytetit. Kjo punë na shqetësoi ne shqiptarët, andaj në bisedë me Haxhi Hakiun dhe Mahmut Zeqirin, vendosëm që të bëjmë një rezistencë kundër këtij manifestimi të bullgarofilëve në Tetovë, të cilët dëshironin që të tregojnë se në këtë qytet jetojnë bullgarët dhe se duhej të vinin aty trupat bullgare”, kishte shprehur shqetësimin e tij asokohe xha Abdullahu, duke shtuar se lidhur me këtë kishin ndodhur në Tetovë ngjarje dramatike, me përleshje mes bullgarofilëve dhe shqiptarëve, ndërsa tetovarët kishin kaluar një natë shumë të frikshme e me bastisje të shtëpive.

Nga shkrimet paraprake të Ismail Arsllanit:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button