Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni, partitë deklarohen nëse duhet të përfshihet përkatësia etnike

Propozimi i drejtorit të Entit Shtetëror për Statistika, Apostoll Simovski që regjistrimi i popullsisë në vitin 2020 të bëhet pa deklarimin e përkatësisë fetare dhe etnike të popullatës ka shkaktuar reagime negative kryesisht te partitë shqiptare, duke e pasur parasysh karakteristikën e shtetit multietnik të Republikës së Maqedonisë, por edhe mungesën e gjatë të regjistrimit, njofton Portalb.mk.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ende nuk ka ndërtuar një qëndrim në lidhje me propozimin e Entit për Statistika, ndërkaq sipas burimeve të Portalb.mk, të njëjtët kanë formuar një komision partiak për të bërë analizën e të gjitha aspekteve të regjistrimit.

“Kemi formuar një komision partiak me njerëz me eksperiencë dhe njohuri në këtë drejtim, i cili bën analizën e gjitha aspekteve të regjistrimit. Këtë javë komisioni do takojë udhëheqësinë e Entit për Statistikë për t’i dëgjuar idetë e tyre dhe do vazhdojë me takime të shumta, analiza dhe më pas do të japë qëndrimin për organizimin e këtij procesi të rëndësishëm”, thonë burimet partiake nga BDI.

Elmi Aziri
Elmi Aziri

Aleanca për Shqiptarët, është kategorisht kundër propozimit, duke vlerësuar se nuk ka asnjë arsye se pse të mos bëhet regjistrimi i popullsisë me deklarimin e përkatësisë etnike.

“ASH nuk e pranon një regjistrim të tillë, pasi që nuk sheh asnjë arsye që të mos jetë përkatsia etnike dhe fetare në grafa. Aleanca do të bëjë përpjekje që t’i demantojë zërat se nuk janë të rëndësishme përkatësia etnike dhe fetare, ju bëjmë apel të gjithë shqiptarëve që të mos e nënshkruajnë zhbërjen identitare të shqiptarëve”, thotë nënkryetari i ASH-së, Elmi Aziri.

Në të njëjtën linjë janë edhe të dy krahët e Lëvizjes BESA, duke theksuar se është e patjetërsueshme që të dihet përfaqësimi etnik i qytetarëve.

Orhan Murtezani
Orhan Murtezani

“Ne mendojmë se mungesa e një regjistrimi të popullsisë që nga viti 2002 tashmë e implikon një përcaktim të tillë. Ne duhet ta dimë se kush dhe sa është në këtë shtet. Nëse ky shtet në preambulën e vet është përcaktuar me përcaktime etnike, nuk e shohim arsyen pse në regjistrim duhet të fshihen identitetet etnike. Në atë rast do të duhej të merremi vesh që në preambulë “Maqedonia të jetë shtet i qytetarëve” dhe i asnjë etnie në mënyrë të veçantë.
Mendojmë se përcaktimi etnik është i rëndësishëm për të ardhmen e vendit, aq më shumë që identiteti etnik nuk zëvendësohet me identitetin gjuhësor”, thotë Orhan Murtezani nga Lëvizja BESA me kryetar Afrim Gashin.

Elmedin Memishi
Elmedin Memishi

“Në çdo vend në botë regjistrimi është proces statistikor ndërsa te ne është politik sepse të drejta kolektive të shqiptarëve në shumë segmente lidhen me përqindjen. Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë që të hiqen termat nënçmues nga kushtetuta dhe pasi t’i rregullojmë çështjet e hapura të shqiptarëve atëherë nuk do ishte aspak problem të zhvillohej një proces statistikor i cili po ashtu duhet të përmbajë grafën e etnive që jetojnë. Propozimi i Entit Statistikor është i pa matur dhe lejon hapësirë dyshimi se me këtë përgatitet skenar në dëm të shqiptarëve. Lëvizja BESA do të angazhohet me gjitha kapacitetin që regjistrimi të përmbajë edhe përkatësinë etnike edhe religjioze dhe të realizohet pasi që shqiptarët të jenë të përfaqësuar në vendet udhëheqëse në mënyrë adekuate”, thotë Elmedin Memishi, zëdhënës i Lëvizjes BESA me kreytar, Bilall Kasami.

Vesel Memedi
Vesel Memedi

Vesel Memedi nga Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) thotë se për shqiptarët nuk ka dilemë se etnikumi është temë thelbësore, ndërkaq ligjin për regjistrim do ta miratojë Kuvendi dhe jo Enti për Statistika.

“Ligjin për regjistrim e miraton Parlamenti, dhe jo Enti Statistikor. Veprimi konkret shihet në Parlament, dhe jo nëpër rrjetin social. Opinioni duhet të kuptoj cilat janë temat thelbësore që i kërkon EUROSTAT, dhe cilat janë dytësore. Asgjë që flitet në opinion nuk është temë thelbësore për EUROSTAT, duke e përfshi edhe gjuhën, prandaj nuk ka nevojë për panik. Për shqiptarët, nuk ka dilemë aspak se, etnikumi është temë thelbësore, dhe këtë asnjë nuk e ve në dyshim”, thotë Memedi.

Portalb.mk ka kërkuar qëndrim edhe nga PDSH, megjithatë të njëjtët nuk janë të kapshëm për redaksinë.

Cili është qëndrimi i LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së?

Kostadin Kostadinov, LSDM
Kostadin Kostadinov, LSDM

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) pushtetarë është e qëndrimin se është e “logjikshme që në regjistrimin e popullatës të përfshihet edhe përkatësia etnike”, ndërkaq VMRO-DPMNE-ja opozitare thotë se nuk kanë qëndrim, por kjo ide sipas tyre është “e çuditshme dhe e rrezikshme”.

“Ky është propozim i Entit Shtetëror për Statistika, bëhet fjalë për testim të sistemit përpara zbatimit të regjistrimit të përgjithshëm. Deri në fund të këtij viti duhet që Qeveria ta përgatit propozim-ligjin e ri për regjistrim. Sipas nesh, si LSDM, më e logjikshme është që të ketë grafë për përkatësi etnike”, thotë për Portalb.mk, zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE
Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE

“Këto ditë do të mblidhen trupat e VMRO-DPMNE-së dhe do të dalin me qëndrim përfundimtar në lidhje me grafën për nacionalitetin. Prej asaj që tani mund të them është e çuditshme dhe e rrezikshme”, thotë për Portalb.mk, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Ndryshe, javën e kaluar bëri bujë të madhe njoftimi i drejtorit të Entit për Statistika i cili deklaroi se regjistrimi i popullsisë që do të realizohet prej më 1 prill deri më 21 të vitit 2020 dhe nuk do të përmbajë grafën për përkatësisë etnike dhe fetare, pasi që sipas tij të njëjtat janë keqpërdorur për qëllime politike.. Për t’u kuptuar se cila është përkatësia e qytetarit do parashtrohet pyetje se cila gjuhë është gjuha amtare.

Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë

Për regjistrim të popullsisë, në teren do të angazhohen rreth pesë mijë persona, dhe kësaj radhe do të përdoret metodë e kombinuar, që do të thotë përveç shfrytëzimit të të dhënave në terren, do të shfrytëzohen edhe të dhëna nga regjistrat. Vlerësohet se për kryerjen e këtij procesi do të nevojiten rreth 8,5 milionë euro.

Për t’u realizuar regjistrimi fillimisht duhet që Qeveria ta miratojë propozim-ligjin, ndërkaq më pas i njëjti duhet që të miratohet në Kuvend.

Portalb.mk, ka kontaktuar me zëdhënësin e Qeverisë, por ende nuk ka treguar se deri ku është procedura e propozim-ligjit. Propozim-ligjin për regjistrimin e popullsisë zyrtarisht do ta përgatit Ministria e Drejtësisë deri më 31 janar të vitit të ardhshëm. Pasi të përgatitet i njëjti duhet të vendoset për shqyrtim publik në Regjistrin Nacional Elektronik, ku për 20 ditë do të jetë i hapur për diskutim dhe shqyrtim publik. Pas kësaj, i njëjti do të duhet të dorëzohet në Qeveri për miratim, ndërkaq më pas nëse Qeveria e miraton dërgohet për procedurë parlamentare. Regjistrimi i fundit i popullsisë Maqedoni u realizua në vitim 2002, ndërkaq në vitin 2011 u fillua, por nuk u realizua.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button