Përfundoi edhe edicioni i dytë i “Othellos”: Urime Gostivar teatrin! (FOTO/VIDEO)

Të premtën, më 9 nëntor, në Gostivar ka përfunduar edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Othello”. U shprehën urime për themelimin e Institucionit Nacional “Teatri i Gostivarit”, transmeton Portalb.mk.

Producenti i Festivalit, Berat Saliu ka vlerësuar lartë interesimin e publikut gjatë pesë netëve, pasi që salla e Qendrës për Kulturë “ASNOM” ka qenë e stërmbushur.

“Jemi këtu në natën e fundit të Festivalit, një festival që besoj që ka shkuar për mrekulli, bazuar në dëshmitarët e këtij edicioni. Publiku na ka ndjek për pesë natë me radhë, ngaqë salla ka qenë përplot”, tha Saliu.

Argjend Hasani, Muzafer Etemi dhe Berat Saliu

Në natën e fundit të festivalit janë ndarë edhe katër çmime: shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, aktorja më e mirë dhe aktori më i mirë.

Çmimi më kryesor i Festivalit, “shfaqja më e mirë”, i ka takuar “Grave” me autor, Robert Thomas dhe në regji të Qëndrim Rijanit, me aktoret: Teuta Ajdini Jegeni, Drita Kaba Karaga, Amernis Nokshiqi, Vjollca Bekteshi Hamiti, Aida Alidemi, Xaka Jonuzi Çeliku, Linda Saiti dhe Aida Elezi.

Kushtrim Bekteshi

Çmimi “regjia më e mirë” iu është ndarë regjisorit nga Maqedonia, Kushtrim Bekteshi për shfaqjen “Ata që ikin” e realizuar në Teatrin “Bekim Fehmiu” në Prizren.

“Urime teatrin. Urojmë që vitin e ardhshëm sërish të vijmë në Festival dhe ta festojmë hapjen dhe themelimin e ansamblit të Teatrit të Gostivarit”, tha Bekteshi pas marrjes së çmimit.

Ndërkaq udhëheqësia e Teatrit janë shprehur: “Në Festivalin “Othello” në Gostivar, Kushtrim Bekteshi me shfaqjen “Ata që ikin”, me tekst dhe në regji të Kushtrim Bekteshit, prodhim i Teatrit “Bekim Fehmiu” – Prizren u shpërblye me “regjisori më i mirë” i këtij Festivali. Urime Kushtrim, urime gjithë ekipës dhe urime Teatri”.

Çmimi “aktori më i mirë”, i takoi Ylber Bardhit dhe Adrian Morinës.

Adrian Morina
Adrian Morina

“Kënaqësia është e jashtëzakonshme, për vetë faktin që salla ka qenë plot, dhe pse ky festival këtë vit po shënon edhe themelimin e Teatrit të Gostivarit”, tha Adrian Morina.

Adem Karaga

Çmimi “Aktorja më e mirë” i ka takuar Aida Elezit.

“Në emër të Aidës, në emër të aktorëve, të kolegëve të saj, ju uroj juve publik i dashur, themelimin e Teatrit të Gostivarit”, tha drejtori i Teatrit Shqiptar të Shkupit, Adem Karaga, pas marrjes së çmimit në vend të aktores Aida Elezi e marrë për rolin e saj në shfaqjen “Gratë” e Teatrit Shqiptar të Shkupit.

Çmimet janë ndarë nga juria në përbërje të artistëve nga Maqedonia – Visar Vishka, nga Shqipëria – Lulzim Zeqja dhe nga Kosova – Agron Gërguri.

Në mbrëmjen e pestë dhe të fundit të festivalit u paraqit shfaqja “Hollyshit” në regji të Ilir Bokshit, e realizuar në “AAB Faruk Begolli” – Prishtinë.

Shfaqja solli jetesën e një province e cila “pushtohet” nga një produksion hollivudian të cilët vijnë për të xhiruar një film. Në qendër të storjes ishin Çarlli Konllon dhe Xhejk Kuin, të cilët sikurse shumica e banorëve të qytezës, ishin punësuar si statistë filmi. Komedia solli përpjekjet e produksionit që të krijojnë një “ndjesi provinciale” – një nocion romantik, i cili shpesh bie ndesh me realitetin jetësor.

LEXO: Dje u shfaqën “Gratë”, sot do të përfundojë Festivali “Othello” (VIDEO)
LEXO: Festivali “Othello”, u shfaq “Oscari dhe tezja Rozë” (FOTO)
LEXO: Shfaqja “Ata që ikin” shënoi natën e dytë të Festivalit “Othello” (FOTO)
LEXO: Shfaqja “Vetëvrasësi” ngriti siparin e Festivalit të Teatrove “Othello”
LEXO: Programi i Festivalit të Teatrove “Othello” (FOTO/VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button