Propozim ligji për amnisti sot para deputetëve në Kuvend

Propozim ligjin për amnisti që e kërkon VMRO-DPMNE, për të gjithë të akuzuarit për dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar, sot do të dorëzohet në Kuvend, njofton Nova.tv.

Debati për miratimin e ligjit do të fillojë rreth orës 12:00, ndërkaq VMRO-DPMNE do të kërkojë që ligji të miratohet me procedurë të shkurtër.

Sipas LSDM-së poropozimi i VMRO-DPMNE-së do të thotë përzierje në punën e gjykatës. Qëndrimi i partisë në pushtet është që kjo çështje të zgjidhet përmes Komisionit të formuar të Kuvend.

Nëse deklarata e kryeministrit Zoran Zaev, për shtrirjen e dorës së pajtimit dhe faljen e dhunuesve të 27 Prillit, interpretohet si ofertë publike për amnisti, me qëllim që të miratohen ndryshimet kushtetuese në Kuvend, atëherë ajo mund të jetësohet nëpërmjet miratimit të ligjit të veçantë për amnisti, të cilin do të propozonte Qeveria apo deputetët, shkruan Portalb.mk

“Vetëm nëpërmjet bisedave gjendet zgjidhje dhe unë jam për dialog. Nuk më shkon ndër mend të ndikoj në punën e prokurorëve dhe gjykatësve, por duhet të falim”, tha Zaev sot në seancën plenare për ndryshimet kushtetuese.

Por, sipas ekspertit juridik dhe kushtetues, Osman Kadriu, në këtë fazë, dhunuesit e 27 Prillit do të mundeshin të lirohen nga burgu vetëm nëpërmjet ligjit të veçantë për amnisti, i cili do të duhej që të miratohet në Kuvend.

“Në këtë fazë, mund të hyjë në procedurë vetëm ligji për amnisti, dhe jo falje, pasi që faljen e bën vetëm presidenti, edhe atë pasi që të sillen vendimet nga gjykata”, komenton për Portalb.mk, Kadriu.

Si mund të aplikohet amnistia?

Ligjin për amnisti e miraton parlamenti me 61 vota, ndërkaq si propozues mund të jetë Qeveria, një deputetë, grup deputetësh, me mbledhjen e 10 mijë nënshkrimesh e kështu me radhë.

Amnistia nënkupton vullnet i mirë ndaj personave të dënuar dhe tentativë për riadaptimin dhe socializmin e të njëjtëve. Sipas rregullit, amnistia aplikohet në periudhë pas mbarimit të ndonjë konflikti të armatosur, risocializim të pjesëmarrësve dhe për pajtim në shoqëri. Amnistia aplikohet edhe në kushte të kohëve të paqes, si atë i faljes së pjesshme të dënimeve të kryerësve të veprave penale më pak serioze, por edhe si korrigjim i vendimeve gjyqësore të padrejta nga kohët e regjimeve jo-demokratike politike.

Amnistia miratohet në formë të ligjit me të cilin një numër i caktuar i njerëzve lirohen nga ndjekja, lirohen plotësisht ose pjesërisht nga kryerja e dënimeve, ose u zvogëlohet dënimi, fshihet vendimi gjyqësor ose shfuqizohen pasojat juridike nga vendimi gjyqësor.

Ligji i amnistisë mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese ashtu si çdo ligj tjetër dhe i njëjti mund të vihet në pikëpyetje, gjegjësisht mund të rrëzohet nëse gjykatësit kushtetues vlerësojnë se i njëjti është anti-kushtetues.

Pos ligjit për amnisti, ekziston dhe mundësia e faljes nga presidenti, por ajo do të mund të kryhej pasi të shqiptohen dënimet dhe atë mund ta miratojë vetëm presidenti i shtetit.

LEXO: Ndryshimet kushtetuese, Zaev shtrin dorën e pajtimit për dhunën e 27 prillit
LEXO: Zaev: Nuk më shkon në mend të ndikoj në punën e gjykatësve dhe prokurorëve, por jam i hapur për dialog me Mickoskin

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button