Ata që ishin cak i sulmeve të shumta gjatë gjithë kësaj kohe, ja çfarë presin nga 2018-ta

Organizatat joqeveritare gjatë viti 2017 kanë qenë pjesë e procesit “desorosoizimi”, i cili si term dhe proces ishte hera e parë që u dëgjua dhe zhvillua në Maqedoni. Në kuadër të këtij procesi, OJQ-të në vazhdimësi kanë qenë nën trysni të institucioneve shtetërore, si nga Policia Financiare, Drejtoria e të Ardhura Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, por me leje të Prokurorisë Themelore Publike. Megjithëse zyrtarisht ende nuk ka një njoftim se procesi i “desorosoizimit” ka mbaruar, përfaqësuesit e sektorit civil të kontaktuar nga Portalb.mk të njëjtin e shohin si “të kaluar” e cila nuk pritet të ndodhë në të ardhmen pasi që, siç vlerësuan ata në vazhdimësi, me ndërrimin e pushtetit qendja në sektorin civil bëhet më relaksuese.

Të kontaktuarit, varësisht synimit dhe qëllimit të organizatave të tyre, nga viti 2018 presin rikthim të besimit të qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore nëpërmjet organizatave joqeveritare, presin përparim të Maqedonisë në procesin evro-atlantik, masa më konkrete për zgjidhjen e problemit me ajrin e ndotur, avansim i pozitës dhe rolit të gruas si dhe korektësi nga Qeveria e Maqedonisë, se do të vazhdojë të sillet me “xhentilizëm” ndaj OJQ-ve edhe në të ardhmen.

Të gjithëve iu parashtrua e njëjta pyetje: Nga mënyra se si rrjedhën punët me sektorin civil, si e vlerësoni vitin 2017 dhe çfarë pritni ndryshe në vitin 2018?

Përgjigjet mund t’i shihni më poshtë, radhitur sipas alfabetit shqip (a-zh).

Albert Musliu
Albert Musliu

Albert Musliu, Asociacioni për Iniciativa Qytetare (ADI)

“Realisht shoqatat shqiptare kanë pasur presione edhe më herët, dhe kjo që ka ndodhur vitin e fundit nuk është parë si diçka e re. Presioni ndaj shoqatave ka qenë i pranishëm që nga pavarësia. Ajo çfarë i bën shoqatat shqiptare më stabile në presionin e fundit ka të bëjë se partitë politike shqiptare kanë qenë më bashkëpunuese ndaj nesh, krahasuar me partitë maqedonase. Mirëpo VMRO-DPMNE-ja filloi presione të ashpra dhe sikur u mbyll ndaj sektorit civil, por kjo ngeli në të kaluarën, pasi që qeveria e re tashmë është më hapur për sugjerime dhe komente. Ky veprim i Qeverisë i bën edhe OJQ-të të jenë më xhentile, por kjo do të mund të vazhdojë derisa Qeveria është korrekte ndaj sektorit civil”.

 

Arianit Xhaferi
Arianit Xhaferi

Arianit Xhaferi, Eco Guerilla

“Për qytetarët e Tetovës viti 2017 do mbahet mend si viti kur ndotja e ajrit shënoi rënie shumë domethënëse deri në 60% si rezultat i mosfunksionimit të Jugohromit, por edhe largimit të deponisë së egër gjigande që për vite me radhë e ndoti Tetovën, e gjitha kjo si rezultat i presionit të madh publik e politik të qytetarëve të Tetovës. Pavarësisht faktit që shumë gjëra tjera nuk u ndërmorën për të përmirësuar akoma më shumë gjendjen e mjedisit, ngelet që të shpresojmë se në vitin 2018 do të kemi progres akoma më të madh. Për Eco Guerillën viti 2018 do jetë viti i ndryshimeve sepse po shqyrtojmë mundësinë e zgjerimit të aktiviteteve tona edhe në aspekt tematik, edhe në rrafsh gjeografik, duke u zgjeruar më shumë në gjithë Pollogun. Eco Guerilla ju uron një vit të ri më të shëndetshëm, më të pastër, më të begatë”.

 

Bardhyl Jashari
Bardhyl Jashari

Bardhyl Jashari, Fondacioni “Metamorfozis”

“Padyshim që viti 2017 ishte një prej viteve më të vështira për të gjithë ne që jetojmë në Maqedoni. Kriza politike u reflektua në të gjitha sferat e jetës, ndërsa për OJQ-t ishte posaçërisht vështirë, sepse presioni nga kriza politike ishte i përcjellë me fushatë diskredituese, me përplot shpifje në media si dhe me mësymje institucionale nga Policia Financiare dhe Drejtoria për të Hyra Publike. Megjithatë të gjitha këto tani janë të kaluara, viti 2018 do të jetë vit i cili do ta rikthej Maqedoninë në binarët demokratik drejt integrimit në BE dhe NATO dhe OJQ-t kanë rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë proces. Edhe pse duhet shumë punë, një prej prioritet duhet të jetë rikthimi i besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit dhe kjo do të arrihet vetëm nëse ata bëhen më të hapur dhe me të përgjegjshëm, për çka mund të ndihmojnë shumë edhe OJQ. Njëkohësisht, duhet të punojmë që qytetarët të fitojnë hapësirën dhe njohuritë e nevojshme për të marr pjesë mirëfilli në proceset demokratike në shtet”.

 

Fani Karanfillova-Panovska
Fani Karanfillova-Panovska

Fani Karanfillova Panovska, Fondacioni për Shoqëri të Hapur

“viti 2017 e kanë karakterizuar shumë ngjarje të cilat në fund rezultuan me kthesë të madhe politike, me ndërrimin e pushtetit dhe në planin e realizimit të reformave të cilat e presin Qeverinë e re, të cilat disa u realizuan disa priten të realizohen në vitin 2018.  Në suaza të zhvillimit të krizës politike, u përfshi edhe sektori civil i cili u përball me trysni që nuk janë parë asnjëherë më parë, të dirigjuara dhe urdhëruara nga funksionarët shtetëror duke bërë që 22 OJQ të kontrollohen në vazhdimësi nga ana e institucioneve shtetërore. Ende nuk është dhënë njoftim zyrtar se procesi është përfunduar. Këtë e presim të ndodh në vitin 2018. Ajo çfarë na pret në vitin 2018, është një mundësi e madhe që mund ta ketë Maqedonia por njëkohësisht, duhet të konstatoj se nëse nuk arrijmë të kemi sukses në sfidat dhe ambiciet, nuk duhet të lejojmë që 2018-ta të jetë një dështim i madh. Ambicia e Qeverisë së Maqedonisë dhe OJQ-ve të cilat do të kritikojnë, është që Maqedonia të ketë sukses në procesin evro-atlantik. Por duhet shumë dituri dhe vullnet që kjo të arrihet”.

 

Goran Llazarov
Goran Llazarov

Goran Llazarov, organizata joqeveritare “Evrothink”

“Mund të fillojmë nga ajo se viti 2017 ishte një nga vitet më të rënda sa i takon zhvillimeve politike. Si organizata joqeveritare në vitin 2017 jemi përballur me trysni nga institucionet shtetërore, e cila sipas meje ishte sulm me urdhër, pasi që disa ditë më pas nga deklarata e ish kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ku tha se do të luftojë për “desorosoizmit”, menjëherë pas një jave, në pjesën dërmuese të sektorit civil kishte kontrolle të shumta. Presim që vitin e ardhshëm, do të kemi bashkëpunimin e rregullt si në aspekt të kritikës po ashtu edhe të këshillimit”.

 

Gyner Basha Nebiu
Gyner Basha Nebiu

Gyner Basha Nebiu, Asociacioni i Rrjetit të Iniciativës së Grave “Antico”

“Në kontekstin e përgjithshëm socio-politik Viti 2017 ishte një vit jostabil i cili filloi me shumë vështirësi, sfida, por njëkohësisht edhe ndryshime dhe shpresë për një riorganizim dhe fuksionim më efikas dhe demokratik të institucioneve, dhe në kuadër të asaj edhe të OJQ. Sa i takon rrjetit të iniciativës së grave “Antico” patëm një vit të suksesshëm në realizimin e programit vjetor si në plan të brendshëm, ashtu edhe ndikim në sferën e aktualizimit të problemeve dhe sfidave në komunitetet ku  veprojmë, por dhe në inicimin e ndryshimeve rreth përmirësimit të politikave që kane të bëjnë me pozitën e grave dhe vajzave në shoqëri, sidomos në sferën  e fuqizimit ekonomik e parandalimit dhe mbrojtjes nga dhuna gjinore,  gjegjësisht në avokimin për Ratifikimin e Konventës së Stambollit. “Antico”  u vlerësua në mesin e organizatave më të suksesshme e cila në kuadër të fuqizimit ekonomik  të grave, e cila përveç tjerash,  arriti të punësojë 34 gra. Viti 2018 shpresojmë të jetë vit i ndryshimeve më të mëdha në kontekstin e rrjedhave demokratike dhe në zhvillimin ekonomik ku do të arrihen rezultate konkrete në fushën e përmirësimit të standardit jetësor të  familjeve që janë në situate të palakmueshme ekonomike, por edhe ne zbatimin e politikave gjinore që kanë të bëjnë me pozitën e grave në sferën e punësimit, vendimmarrjes, por dhe  çështjet aktuale ne lidhje me parandalimin , mbrojtjen dhe strehimin dinjitoz të viktimave të dhunës  në familje dhe në përgjithësi në eliminimin e diskriminimit në baza gjinore”.

 

Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hann
Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hann

Ndryshe, edhe eurokomesari Johanes Han ka porositur që të ndryshohet edhe qëndrimi dhe raporti ndaj organizatave jo qeveritare. Procesi i “desorosoizmit” erdhi në pah nga partia e Nikolla Gruevskit, VMRO-DPMNE, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, i cili shpalli luftë të hapur OJQ-ve në Maqedoni me procesin siç e quan ai “desorosoizëm”, pasi që sipas tij, të njëjtat punojnë “për interesat e huaja”. Menjëherë pas këtij paralajmërimi nga Gruevski, OJQ-të kanë qenë cak i sulmeve të shumta dhe të shpeshta si nga Drejtoria e të Ardhurave Publike po ashtu edhe nga Policia Financiare. 13 prej tyre u kontrolluan nga Policia Financiare për të kuptuar se sa para kanë marrë nga USAID-i gjatë realizimit të aktiviteteve të tyre.

Me një linjë me Gruevskin ka qenë edhe bashkëpartiaku dhe presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili gjatë qëndrimit të tij në Hungari, shtet i cili gjithashtu i sulmon OJQ-të, tha se “patjetër të përforcohet kontrolli dhe transparenca në financimin e punës së OJQ-ve, patjetër të hiqen të gjitha dyshimet dhe të bëhet dallimi mes organizatave që me të vërtetë punojnë në interes të popullit dhe ata që fshihen pas emrit OJQ”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button