PSP zbuloi me dhjetëra llogari bankare të Gruevskit dhe Peshevskit, 10 milion denarë të depozituara

Ish-kryeministri i Maqedonisë, lider i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski ka 35 llogari bankare kurse ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Vlladimir Peshevski ka 27 llogari bankare. Kështu tregojnë të dhënat e reja e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), njofton Portalb.mk.

Këto të dhëna PSP i ka përdorur në aktakuzën e parashtruar për arrestim të Gruevskit dhe Peshevskit në rastin “Titanik” dhe “Traektorja”.

“I akuzuari N.G. posedon mjete në formë parash në llogari bankare në gjashtë banka të Maqedonisë ku në 10 llogari bankare në formë denarësh ka 9,934,875.00 dhe 15 llogari të tjera me deviza në banka të ndryshme”, thuhet në aktakuzën e rastit “Titanik” ku i akuzuar është Nikolla Gruevski.

Në rastin “Traektorja” ku i akuzuar është Vlladimir Peshevski thuhet se nga 27 llogari bankare, 24 janë aktive.

“Sipas të dhënave të mbledhura në disa banka, është vërtetuar se i akuzuari V.P. në gjashtë banka të Maqedonisë posedon 27 llogari bankare nga ku 24 janë aktive në të cilat gjenden shuma të majme parash të cilat do të mund të përdoreshin për arratisje”, thuhet në aktakuzën ndaj Vlladimir Peshevskit.

Për funksionarët e tjerë të VMRO-DPMNE-së, për të cilët PSP kërkoi paraburgim si ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski dhe të tjerë nuk ka informata se sa llogari bankare dhe se sa mjete në formë parash kanë në to, përfshirë këtu edhe ish-zëvendëskryeministrin, Vlladimir Peshevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button