VMRO dhe BDI së bashku me Ivanovin po rrezikojnë mandatin e PSP-së!

Përderisa partia maqedonase VMRO-DPMNE sulmon dukshëm Prokurorinë Speciale, duke thënë se ajo u transformua në filialë të LSDM-së, BDI sikur qëndron në heshtje dhe pret të kalojë koha, gjë që po-ashtu ven në pikëpyetje vazhdimin e mandatit të PSP-së, komentojnë njohësit e çështjeve juridike për Portalb.mk. Ata thonë se këto dy parti të lartpërmendura po blejnë kohë me mos formimin e qeverisë, duke përfshirë këtu edhe ndihmën e presidentit Ivanov, të cilët si duket kanë për qëllim ndërprerjen e mandatit të PSP-së.

Teksti në gjuhën maqedonase është në këtë link.

Ata thonë se opsioni më i dëmshëm për vendin dhe banorët e saj është mos formimi i qeverisë, dhe shkuarja sërish në zgjedhje të parakohshme.

Patjetër të formohet Qeveri që ka prioritet PSP-në

Profesori universitar për çështje juridike kushtetuese, Osman Kadriu thotë për Portalb se duhet patjetër të formohet qeveria e cila do të fillojë punën me prioritete në të cilat duhet të jetë e përfshirë edhe prokuroria speciale, sepse vazhdimi i mandatit të PSP-së është i nevojshëm dhe në vazhdimësi të saj është edhe çështja e gjyqësorit.

“Disa nga partitë politike njëherit nuk janë të interesuar që të ketë formim, që të bëhet zgjedhja e qeverisë, dhe kërkohet që të shkohet në zgjedhjet e reja të parakohshme. Që nga të gjitha opsionet tjera, ky është opsioni më i gabuar dhe i dëmshëm edhe për shtetin edhe për qytetarët dhe në veçanti për shqiptarët. Kjo nga shkaku se duhet patjetër të formohet qeveria e cila do të fillojë punën me prioritete në të cilat duhet të jetë e përfshirë edhe prokuroria speciale e cila buron edhe nga platforma e partive politike. Sepse vazhdimi i mandatit të PSP-së është i nevojshëm dhe në vazhdimësi të saj është edhe çështja e gjyqësorit”, tha për Portalb.mk Kadriu.

Ai shtoi se kriza politike në Maqedoni nuk mund të zgjidhet nëse paraprakisht nuk zgjidhet kriza juridike që nënkupton gjykimin e gjithë personave të përfshirë në korrupsion në vepra të rënda kriminele.

“Në qoftë se nuk bëhen hapa radikal dhe reforma në gjyqësor, nuk mund të pritet që të zbardhen të gjitha këto raste që tani i inicion prokuroria speciale. Këtu kemi të bëjmë me një krizë të thellë juridike meqë punohet për vepra të rënda, vepra penale në të cilat njëherit janë të përfshirë pjesëtarët e pushteteve dhe unë gjithmonë e kam theksuar, e përsëris edhe tash se kriza politike në Maqedoni nuk mund të zgjidhet nëse paraprakisht nuk zgjidhet kriza juridike që nënkupton gjykimin e gjithë personave të përfshirë në korrupsion në vepra të rënda kriminele”, shtoi Kadriu.

Më tutje Kadriu shprehet se nëse ndodh që të shkohet në zgjedhje të parakohshme atëherë kriza politike do të thellohet dhe natyrisht siç kanë qenë deri më tani përgjegjës, përgjegjës do të ngelen përsëri partia e VMRO-se dhe ajo e BDI-së.

“Këtu natyrisht se përgjegjësinë e kanë të gjitha partitë politike të cilat gjithashtu mbajnë përgjegjësi për formimin e qeverisë dhe assesi të mos pranohet vendimi eventual që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Për këtë deri më tani është prononcuar VMRO-ja, tërthorazi dhe ndërmjet rreshtave mund të vërehet edhe në pikëpamjet dhe qasjen që ka BDI-ja meqenëse dhe ashtu si është i formuar opinioni ato kanë pesë opsione ku njëri prej tyre edhe opsioni i të shkuarit në opozitë ose të shkuarit në zgjedhje të parakohshme. Sido që të jetë nëse ndodh që të shkohet në zgjedhje të parakohshme atëherë kriza politike do të thellohet dhe natyrisht siç kanë qenë deri më tani përgjegjës, përgjegjës do të ngelen përsëri partia e VMRO-se dhe ajo e BDI-së”, sqaroi për Portalb.mk Kadriu.

Nga standardet e dyfishta të Ivanovit më së shumti dëmtohet PSP-ja

Profesoresha universitare Besa Arifi thotë për Portalb se standardet e dyfishta të presidentit Gjorgje Ivanov po e komplikojnë punën e formimit të qeverisë, dhe se nga i gjithë ky proces PSP është ajo që dëmtohet më së shumti.

“Nuk e di se çfarë po planifikojnë partitë por me të vërtetë ka standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për dhënien e mandatit. Këtë mund ta them se presidenti Ivanov nuk u soll në të njëjtën mënyrë për ta dhënë mandatin herën e dytë siç u soll herën e parë dhe ky po që është standard i dyfishtë. Që faktikisht e komplikon pak më tepër punën sepse nuk jep një afat të caktuar se kur duhet të merret mandati dhe si duhet të veprohet më tej, duke e komplikuar edhe më tepër situatën dhe duke vendosur kushte të reja të cilat nuk i kishte vendosur më parë për dhënien e mandatit. Koha është vërtetë e çmuar edhe më tepër për prokurorinë speciale e cila ka afat deri diku në Korrik që t’i ngreh aktakuzat e saja dhe duke u nisur prej kësaj është një handikap i madh ajo që nuk ekziston një qeveri e cila nuk po krijohet ende, do ta përkrahte më shumë punën e kësaj prokurorie. Nga i gjithë ky proces PSP është ajo që dëmtohet më së shumti”, thotë Arifi për Portalb.mk

Enda ka shpresë për formimin e duhur të Qeverisë

Ish kryetari i Gjykatësn Kushtetuese të Maqedonisë, Trendafil Ivanovski bën të ditur për Portalb.mk, se partitë me sjellet e tyre tregojnë jo seriozitet për nxjerrjen e vendit nga kriza politike.

“Tani më bisedimet janë në fazë tjetër , por mund të vërehet mos serioziteti I partive politike, duke filluar nga gjendja alarmante e ndotjes së ajrit e cila nuk është vetëm problem ekologjik, por edhe politik, gjithashtu e njëjta situatë vërehet edhe në formimin e qeverisë. Kur u dhanë rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme, partitë u munduan që ta mbajnë pushtetin ta mbajnë qeverinë me qëllim që mos shpalosen krimet e bëra gjatë mandateve të tyre. E gjithë kjo situatë po shkojnë kundër kushtetutës, por pas ngjarjeve të fundit besoj që ka lëvizje për të mire”, tha për Portalb.mk Ivanovski.

Ai shtoi se ende ka shpresë që Qeveria pro SPS të formohet së shpejti, dhe ky institucion të vazhdojë punën.

“Ivanov duhet të jep mandatin për formimin e qeverisë, por Qeveria mund të formohet edhe me nënshkrime, me marrjen e shumicës dhe pa mandatin e dhënë nga Ivanov i cili dukshëm favorizon parti. Ka shpresë që qeveria të formohet së shpejti dhe e cila do të ia vazhdojë mandatin PSP-së, që të vazhdojnë punën e saj në zbulimin e krimeve dhe korrupsionit të bërë”, shtoi Ivanovski.

Ndërkaq heshtja e partive për negociatat për formimin e Qeverisë ende vazhdon, kurse VMRO-DPMNE vazhdon me sulmet ndaj PSP-së dhe prokurores Katica Janeva.

Nga ana tjetër lideri i BDI, Ali Ahmeti kohë më parë foli se pse nuk kishte marrëveshje për Qeveri të re me VMRO-DPMNE-në, ku mes tjerash ai tha se këto dy parti nuk kanë prishur marrëdhëniet me VMRO por ka dallime në kërkesat e tyre.

Prokurorja publike Katica Janeva dhe ekipi i saj kanë edhe pesë muaj ( deri 4 qershor gjegjësisht 30 qershor) për hapjen e hetimeve të reja dhe ngritjen e aktakuzave për rastet që dalin nga “bombat” e LSDM-së.

Kjo del nga Ligji aktual për PSP-në, ku parashihet që PSP ka 18 muaj “nga marrja e lëndëve” për hapjen apo mbylljen e hetimeve dhe aktakuzave. Ndryshe, PSP lëndët dhe materialet e Prokurorisë publike dhe LSDM-së i mori me dy herë, më 4 dhjetor 2015 dhe 30 dhjetor 2015./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button