Maqedoni, heshtje e partive për negociatat për formimin e Qeverisë

Vetëm tri ditë para afatit të fundit të mandatarit Nikola Gruevski për të formuar qeverinë, nuk ka ende asnjë informacion se si zhvillohen negociatat midis palëve, shkruan analiza e përbashkët e NOVATV dhe Portalb.mk.

Heshtje nga VMRO-DPMNE dhe BDI. Përveç që herë pas here lëshohen balona testues për publikun nëpërmjet kanaleve të ndryshme, palët nuk kanë zbuluar se çfarë ndodh në prapaskenë dhe nëse të dy palët do të jenë përsëri pjesë e qeverisë së re.

Tekstin në gjuhën maqedonase mund ta lexoni KËTU.

 

Zëdhënësit e VMRO-DPMNE dhe BDI nuk janë në dispozicion për koment mbi atë se deri ku janë negociatat dhe nuk iu përgjigjen thirrjeve tona. Ekspertët thonë se me siguri presin deri në minutën e fundit që zyrtarisht të shpallet nëse Gruevski do të mundet të formon një koalicion, ose do të duhet t’ia kthen mandatin Ivanovit.

Sipas ish-Kryetarit të parlamentit, Stojan Andov padyshim që është krijuar një atmosferë në të cilën informacionet për publikun do të dalin atëherë kur do të vlerësojë katër partitë që nënshkruan marrëveshjen e “Përzhinos”.

“Deri më tani, transparenca e negociatave për publikun është në nivelin më të ulët. Këto qarqe të mbyllura tani rregullohen nga standarde të tjera, jo nga ato që janë normale në politikë. Nuk jam i kënaqur që lëshohen vetëm spekulime, dhe askush nuk tregon se çfarë ndodh. Qëllimisht lëshohen balona testues në kanalet dytësore dhe testohen njerëzit”, thotë Andov.

Qeveria e gjerë shpëtim për Gruevskin dhe Ahmetin

Rreth spekulimeve për një qeveri të mundshme të zgjeruar por edhe thirrjeve të Johannes Hahn se ajo do të ishte një alternativë e mirë, Andov tha ka ngelur i habitur nga deklarata e tij, transmeton Portalb.

“Han sikur të mos e din gjendjen këtu, ose nuk e ka të qartë se çfarë është niveli i kulturës politike jo aq shumë e qytetarëve sa e qeverisësve dhe udhëheqësve tanë politikë. Nëse qeveri e tillë bëhet me forcë dhe presion nga jashtë ajo do të ishte e dëmshme, sepse secili do të ushtrojë politikë të veten në të. Dalje nga kjo situatë ata nuk do të kërkojnë, secili do të tërheq në anën e vet, do të vendosin pengesa “, thotë Andov.

Sipas tij, duhet të sigurohet qeveri e cila do të jetë plotësisht e përkushtuar vetëm për reforma dhe ajo nuk do të ishte një qeveri që Gruevski dhe Ahmeti do ta bëjnë.

Sipas ish-deputetit Pavle Trajanov formimi i qeverisë së zgjeruar do të thotë shpëtim për Ahmetin dhe Gruevskin. Ai thotë se në një koalicion të tillë vështirë se do të mundet të pastrohen punët, sepse partitë e tyre do të frenojnë reformat. Sipas Trajanovit, ndryshime mund të ketë vetëm nëse opozita ka rol udhëheqës në qeveri.

“Mediat pro-qeveritare nuk janë shuar dhe ata bëjnë një fushatë të fortë për të krijuar një klimë në publik se mund të ketë një koalicion mes VMRO-DPMNE dhe BDI. Në mediat tjera kushtimisht thënë të pavarura edhe te qytetarët dhe partitë ndjehet një lodhje që është një strategji e gabuar. Në një kohë kritike për të formuar qeveri të ketë heshtje dhe të mos ketë komente dhe vlerësime për atë që deri tani bënë, VMRO-DPMNE dhe BDI dhe në çfarë krize na sollën, është e gabuar “, tha Trajanov.

BDI e ndarë “për” ose “kundër” një koalicioni me Gruevskin

Në BDI tashmë shihet publikisht ndarja e partisë sa i përket pyetjes nëse ata do të koalicionojnë me VMRO-DPMNE. Zyrtarët e tyre në media dhanë mesazhe dhe interpretime të ndryshme për “marrëveshjen e majit”. Sipas zëdhënësit të partisë Bujar Osmani, kjo marrëveshje do të thotë se fituesi i komunitetit shqiptar përzgjedh partner fituesin e bashkësisë maqedonase dhe ajo duhet të respektohet. Në anën tjetër, nënkryetarja e BDI Teuta Arifi thotë se parimi “fitues me fitues” nuk është përmendur në marrëveshjen e majit. Ajo mendon se nuk është e drejtë që partia e saj të thirret në, sepse ajo nuk ka legjitimitetin e votuesve shqiptarë.

Jozyrtarisht, sot pasdite në Reçicë të vogël do të takohet kryesia e BDI ku do të bisedohet për formimin e qeverisë. Një pjesë e nënkryetarëve si Teuta Arifi, Nevzat Bejta dhe Izet Mexhiti publikisht deklaruan se janë kundër koalicionimit me Gruevskin. Sipas burimeve tona, nesër do të takohet kryesia qendrore e BDI, ku duhet të sillet vendim përfundimtar.

Autore: Kristina Ozimec

Kjo storje është realizuar me anë të bashkëpunimit ndërmjet NOVA TV dhe Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button