Nëse mbahen zgjedhje, të gjitha partitë duhet të garojnë bashkë kundër VMRO-DPMNE-së

Nëse shumica parlamentare nuk arrin t’i sigurojë 80 deputetë për t’i votuar ndryshimet kushtetuese të parashikuara me Marrëveshjen me Greqinë, atëherë partitë politike në vend duhet të bashkohen në një kamp dhe të dalin me lista të përbashkëta në zgjedhjet eventuale me qëllim që ata vetë të arrijnë t’i mbledhin votat e nevojshme për t’i bërë ndryshimet kushtetuese, me qëllim që vendi të anëtarësohet në NATO dhe t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në BE, shkruan Portalb.mk.

Xhelal Neziri
Xhelal Neziri

Njohësit e çështjeve politike në vend, thonë se nëse nuk arrihet marrëveshje me deputetët e VMRO-DPMNE-së për t’i bërë ndryshimet kushtetuese, partitë duhet që në zgjedhjet e paralajmëruara të garojnë e lista të përbashkëta, me qëllim që të arrihet numri i nevojshëm i deputetëve.

Sipas analistit, Xhelal Neziri, nëse do të mbahen zgjedhje, partitë do të duhet të bashkohen në një bllok, pra me listë të përbashkët, ndërkaq në të njëjtin të marrin pjesë edhe figura jo-politike. Siç sqaron ai, ky do të ishte rasti i fundit për integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike.

“Nuk ka dyshim që koalicioni duhet të jetë i hapur për të gjithë ata që janë me gjithë mend që këtu të instalohen vlera e standarte evropiane. Jo vetëm parti politike, por ky lloj koalicioni për BE dhe NATO duhet të jetë inkluziv, gjithëpërfshirës ndaj të gjithë aktorëve dhe faktorëve të sferës publike në vend. Pra, aty të përfshihen edhe figura publike apartiake. Nuk duhet bërë gabimi i referendumit ku fushata pro u shndërrua në “party” të partive politike, të cilat e panë se janë të pafuqishme dhe pa kredibilitet të mjaftueshëm për të nxjerrë mbi 50% të votuesve. Nëse do të ketë zgjedhje, ky do të jetë rasti i fundit për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Andaj nuk duhet të digjet shkaku i egove të partive politike, të cilat çdo proces e peshojnë me pushtetin që nesër do të kenë për klanet e tyre, e jo me nevojën që të sigurojë një të ardhme më të mirë për popullin”, thotë Neziri.

Albert Musliu
Albert Musliu

Në një linjë me të është njohësi i çështjeve politike, Albert Musliu, sipas së cilit, partitë nëse duan që me të vërtetë ta arrijnë numrin e nevojshëm për ndryshimet kushtetuese, do të duhet që të bashkohen në një koalicion për Evropë.

“Modeli zgjedhor te ne është asi soji që çdo copëtim më i vogël i ngre gjasat tjetrit, dhe ajo është e padiskutueshme. Këto zgjedhje të parakohshme mund të mbahen për shkak të mungesës së shumicës së 2/3-tave për debllokimin e proceseve euro-integrative, Marrëveshjes me Greqinë e kështu me radhë, tani objektivisht nëse shkojnë me një listë të përbashkët kanë mundësi më të mëdha që t’i fitojnë dy të tretat. Populli e di, le të dalin të ju thonë se ky koalicion është njëvjeçar e bëjmë për këtë punë, populli nuk janë injorantë, edhe ata jetojnë në realitetin tonë. Hyjmë në zgjedhje të parakohshme se kjo shumicë të mbërrije dy të tretat, pra VMRO-DPMNE-ja nuk është e gatshme për t’i mbledhur 80 deputetë. E tash, nëse partitë thonë se ne duam 80, por do ndahemi copa – copa, gjasat që të mos i arrijnë ato numra janë më të mëdha. Prandaj, nuk ka justifikim të qëndrueshëm se nuk duam për shkak kësaj ose asaj. Ato duhet të tregojnë madhështi politike, nëse kanë pengesa, nëse mendojnë se është pengesë për demokracinë, mund të thonë se ky koalicion vlen një vjet, pra është koalicion për Evropë, le t’i shpërndajnë vendet dhe le ta sigurojnë ardhmërinë euro-atlantike, pas asaj çfarë të duan le të bëjnë”, thotë Musliu.

LSDM-ja është “për” që në zgjedhje të shkohet me lista përbashkëta

Nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri, dje tha se presin të shohin se a do të munden t’i sigurojnë 81 votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese, ndërkaq nëse nuk arrijnë, atëherë opsioni më i dëshiruar është që të gjithë partitë pro-evropiane të dalin në zgjedhje me lista të përbashkëta.

Muhamed Zekiri
Muhamed Zekiri

“Po presim që të shohim se a do të mund të sigurohen deputetët, nëse jo atëherë do të fillojnë edhe bisedimet dhe do merren vendimet përfundimtare se në çfarë forme do të dilet në zgjedhjet e parakohshme. Sigurisht, opsioni më i dëshiruar që forcat pro evropiane të dalin bashkë me një listë dhe kështu do të jetë më i sigurt sigurimi i dy të tretave të votave brenda parlamentit”, tha Zekiri.

I pyetur nëse ka pasur ndonjë ofertë nga BDI për të dalë me lista të përbashkëta në zgjedhje, ai tha se ende nuk kanë biseduar.

Nga ana tjetër, edhe pse zyrtarisht BDI-ja tha se është kundër mbajtjes së zgjedhjes, jo-zyrtarisht nëpër media dolën se ata kanë 3 opsione nëse Maqedonia shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare:

  1. Blloku politik shqiptar të shkojë në zgjedhje me listë të përbashkët. Në këtë situatë, sipas burimeve, ata thonë se është e mundur që të sigurohen 30 deputetë.
  2. Koalicion të përbashkët parazgjedhor me LSDM-në, dhe pas zgjedhjeve të formojnë Qeveri e cila do të ketë shumicë parlamentare të nevojshme, për të miratuar amandamentet kushtetuese dhe me atë edhe marrëveshjen për emrin.
  3. BDI të shkojë vetë në zgjedhje.

Opsionin për zgjedhje të reja parlamentare e vendosi në tavolinë kryeministri Zoran Zaev, pasi që në referendumin e 30 shtatorit për çështjen e emrit, edhe nuk u arrit cenzusi që Marrëveshja me Greqinë që aprovohet edhe në Kuvend, pasi që VMRO-DPMNE-ja opozitare refuzoi që t’i votojë ndryshimet kushtetuese, edhe pse 610.000 qytetarë thanë se janë “për” integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Paraprakisht, kryeministri Zoran Zaev deklaroi sipas të gjitha gjasave nuk do të takohet me liderin e opozitës Hristian Mickoski në lidhje me ndryshimet kushtetuese për Marrëveshjen e Prespës, pasi që kërkesat e tij janë të papranueshme. Mickoski thotë që do të marrë pjesë në zgjedhje nëse do të organizoheshin nga një qeveri teknike sipas modelit të Përzhinës, të formohet Komision Anketues për Ligjshmërinë e Referendumit dhe të shkarkohet prokurori aktual Lubomir Joveski, me qëllim që të emërohet një prokuror i ri me propozim të tyre.

Te blloku politik shqiptar, BDI mbrëmë në Kryesi Qendrore ka diskutuar për çështjen e zgjedhjeve dhe u deklaruan se janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ndryshe, pas referendumit, Maqedonia është në limbo. Koha numëron në dëm të Marrëveshjes së Prespës, pasi që afatet për implementimin e saj janë të kufizuara. Nëse nuk hyn në fuqi Marrëveshja, gjegjësisht nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, çdo gjë bie në ujë – nuk ka anëtarësim në NATO, nuk ka fillim të negociatave me BE-në. Rasti më i mirë për Maqedoninë do të ishte që të arrihet marrëveshje me opozitën, ose në zgjedhje të parakohshme parlamentare, blloku “për” Marrëveshjen të sigurojnë 2/3 e numrit të përgjithshme të deputetëve për të kaluar ndryshimet kushtetuese.

http://portalb.mk/561166-maqedonia-para-zgjedhjeve-te-parakohshme-vmro-ja-vazhdon-kerkesen-per-amnistim-te-bandes-se-gruevskit/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button