Maqedoni, tre opsionet e BDI-së për zgjedhje parlamentare

Në momente të rëndësishëm, kur Maqedonia pritet të shkojë në zgjedhje parlamentare, dhe qytetarët kanë nevojë për informacione dhe orientim, Bashkimi Demokratik për Integrim, mbetet e paqartë në lidhje me hapat e mëtutjeshme, ndërkohë që media maqedonase “Plusinfo” publikoi tre opsionet që janë folur dje në Kryesinë Qendrore të partisë: Blloku politik shqiptar të shkojë me një listë deputetësh në zgjedhje, BDI vetë të shkojë në zgjedhje dhe të shkojë në zgjedhje në koalicion parazgjedhor me LSDM-në, transmeton Portalb.mk

I vetmi që iu përgjigj thirrjeve të Portalb.mk, ishte nënkryetari BDI-së, Sadullah Duraki, i cili i vlerësoi si të pavërteta informacionet se në mbledhjen e kryesisë është diskutuar për tre opsionet e lartpërmendura.

“Jo nuk është e vërtetë qe ne kemi folur për ato opsionet. Ajo çfarë kemi folur ka qenë vendimi që ne sollëm që të mos shkohet në zgjedhje parlamentare, por të bëhet përpjekje që të gjendet zgjidhje. Unë i demantoj ato informacione në atë portal”, tha Duraki.

Përndryshe, “Plusinfo” njoftoi se: “Burimet e Kryesisë Qendrore kanë brifuar se janë të mëdha gjasat që blloku politik shqiptar të shkojë në zgjedhje me listë të përbashkët. Në këtë situatë, ata thonë se është e mundur që të sigurohen 30 deputetë, dhe bashkërisht me LSDM pas zgjedhjeve të formojnë Qeveria e cila do të ketë shumicë parlamentare të nevojshme, për të miratuar amandamentet kushtetuese dhe me atë edhe marrëveshjen për emrin”.

Më tej thuhet se sipas “BDI-së opsioni më pak i dëshirueshëm është që të shkojë në zgjedhje me koalicion parazgjedhore me Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM)”.

“Opsioni i tretë i BDI-së është që vetë të vrapojë në zgjedhjet parlamentare eventuale”, shkruan më tej “Plusinfo”.

LEXO: Ky është vendimi i BDI-së nga mbledhja e sotme në Tetovë

Ndryshe, dje BDI mbajti mbledhje të Kryesisë Qendrore, dhe në fund njoftoi se temë e diskutimi ka qenë a të shkohet në mbledhje parlamentare apo jo. Sipas asaj që deklaroi zëdhënësi i partisë, Bujar Osmani, BDI-ja ka sjellë vendim që të mos shkohet në zgjedhje parlamentare, por të shikohen të gjitha opsionet për të siguruar 80 deputetët e ndryshimeve kushtetuese.

“Për momentin prioritet i vendit është gjetja e zgjidhjes me të cilën do të implementohet Marrëveshja e Prespës në Kuvend, BDI thërret të gjitha partitë politike që të punojnë në drejtim të krijimit të kushteve për implementim të Marrëveshjes. Për momentin nuk është koha për zgjedhje parlamentare të parakohshme, me të cilat do të rrënohet dinamika e implementimit të Marrëveshjes së Prespës, gjë që mund të sjell deri te një bllokadë serioze të proceseve integruese të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në kumtesën e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u paralajmëruan nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pas referendumit të 30-shtatorit, si mundësi e vetme e sigurimit të votës “për” të 80 deputetëve të nevojshme për miratim të ndryshimeve kushtetuse që parashihen me marrëveshjen Maqedoni – Greqi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button